Shpërthimi i një lufte të re?/ Si duhet ta përballojë Kosova? Sfidat që e presin...

Politika

Shpërthimi i një lufte të re?/ Si duhet ta përballojë Kosova? Sfidat që e presin...

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 nëntor 2022 Në ora: 19:49
Ilustrim

Lufta pushtuese e Ukrainës nuk po përfundon. Ukraina është zotuar se do të luftojë deri në [lirimin e plotë të sajë, përfshirë territoret e pushtuara në vitin 2014 dhe Krimenë!

Kur situata politike dhe e sigurisë po shkon në vazhdimësi drejt rritjes në botë për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania tashmë ka marr masat që të përgatitet në rast të një lufte me Rusinë.

Situata ishte mjaft kritike javën e kaluar, ku dy raketa ranë në Poloni, shtet ky anëtar i NATO-s.

Fillimisht u raportua se raketat ishin të Rusisë, por më pas u pranua raportimi se ato ishin raketa të sistemitantiraketor të Ukrainës, të cilat kishin rëndëaksidendalisht, gjatë ndjekjes së raketave ruse.

Së fundi, në një dokument konfidencial, Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Zorn betohet se Bundesvehri do të përballet me vite të vështira.

Sipas medias gjermane, spiegel.de, një konflikt me Rusinë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm dhe trupat gjermane duhet të përqendrohen plotësisht në mbrojtjen kundër një sulmi.

Por si duhet të veprojë Kosova në rast të shpërthimit të një lufte të re?

Sfidat që e presin Kosovën

Image
Drizan Shala

Lidhur më këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se Kosova ka para vetit tri sfida me të cilat duhet të ballafaqohet.

“Kosova ka para vetit tri sfidat, të cilat njëra me tjetrën kanë një gërshetim në proces të integrimeve në mekanizmat ndërkombëtar që ka për synim Kosova.Pra, sfida e parë e Kosovës në këtë kohë daton që nga votim i tri ligjeve të FSK-së si dhe startimi i procesit të transformimit të strukturës ushtarake nga misioni civil që ka patur në mision ushtarak. Sfida e dytë tani më mbeti mbajtja dhe forcimi i autoritetit shtetëror të brendshëm politik, sigurisë në Kosovë si dhe avancimin e raporteve me miqtë tanë strategjikë”, thotë Shala.

Si sfidë të tretë për Kosovën, Shala e sheh forcimin e kapaciteteve ushtarake.

“Si dhe tani sfida e fundit do të jete forcimi i kapaciteteve ushtarak/siguri, në vend por edhe përmbylljen e arkitekturës së sigurisë me struktura të reja që kontribuojnë në avancimin e sigurisë, siç është xhandarmëria, e cila tani më na është treguar si e domosdoshmëri për situatën aktuale, ku sulmet e karakterit ushtarak zhvillohen dhe manifestohen në aspektin civil,ndërsa përdorimi i ushtrisë do të ishte ndesh me normativat ndërkombëtare dhe një strukturë e re me karakter civil të kontrollit, por më mundësi dhe qasje në asete ushtarake kontribuon në garancinë e sovranitetit për vendin”, deklaron eksperti Shala për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Kosova duhet ta ndryshojë strategjinë për mbrojtjen dhe sigurinë.

“Kosova për vitet në vijim duhet të ndryshojë qasjen në investime strategjike për pjesën e sigurisë/mbrojtjes në partneritet me SHBA, Kroacinë, Turqinë në fushën armatimit dhe mjeteve ushtarake, dronëve si dhe në mbrojtjen antiajrore të një bashkëpunimi të ngushtë me Izraelin, i cili ka dëshmuar për një sistem tejet efikas të tij”, përfundon Drizan Shala.

Kosova është në një situatë jo të këndshme, ndoshta të rrezikshme

Image
Enver Bytyçi

Kurse profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr.Enver Bytyçi deklaron se kur situata në botë nuk është aspak e mirë, Kosova duhet ta forcojë mbrojtjen e saj.

“Megjithëse unë nuk shoh mundësinë e një lufte frontale midis ushtrisë serbe dhe asaj të Kosovës, besoj se Qeveria dhe institucionet e saj do të duhet ta forcojnë aftësinë mbrojtëse të vendit. Për vitin e ardhshëm janë planifikuar për këtë qëllim 123 milionë euro dhe kjo është shifra më e lartë në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës. Por, me këtë buxhet nuk mund të përballohet një luftë hipotetike me Serbinë. Ushtria e Kosovës duhet të rritet në numër dhe të trajtohet në mënyrë preferenciale nga pikëpamja financiare e materiale. Profesionalizmi i saj mesa di unë është i admirueshëm, megjithatë nuk mjafton as kjo”, deklaron Bytyçi.

Profesor Bytyçi shprehet se Kosova ka nevojë për armatime dhe për një numër më të madh ushtarësh profesionistë.

“Nëse ballafaqojmë aftësinë mbrojtëse të Kosovës me Serbinë apo shtetet e tjera të rajonit, rezulton se Kosova është shumë herë më pak e armatosur. Armatimi i saj është i kufizuar. Mungojnë armatime të llojeve të ndryshme, për të mos folur për mbrojtje ajrore ose mbrojtje me armë të fuqishme. Megjithatë, besoj se teknologjia e armatimit është shumë e përparuar. Me këto që thashë dua të vë në dukje se Kosova ka nevojë për armatime ashtu si edhe për një numër më të madh ushtarësh profesionistë”.

Bytyçi thekson se gjithçka varet nga zhvillimet në luftën në Ukrainë.

“Por, kjo nuk arrihet menjëherë. Nëse Kosova ose Ballkani përfshihen në një luftë të mundshme, kjo ose ndodh në dy-tri vitet e ardhshme, ose nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë, me dekada. Rreziku i luftës e madje edhe përshkallëzimi i situatave konfliktuale midis Kosovës e Serbisë varen nga dështimi ose fitorja e VladimirPutinit në Ukrainë, nga mundësia për ta përhapur konfliktin rus në shtete të tjera të Evropës Lindore. Nëse ndodh kjo, pra, nëse Putini përparon e nuk dështon në agresionin e tij në Ukrainë, atëherë Serbia do të jetë e gatshme të luajë rolin e mashës ruse për të nis një konflikt të ri në Ballkan. Nëse Putini dështon në aventurën e vet, atëherë Serbia do të struket”, thotë Bytyçi.

Sipas Bytyçit, tash është momenti vendimtar për Kosovën.

“Aktualisht është e fokusuar në rritjen e presionit për të përfituar territore në Kosovë. Ajo do të donte ta bënte këtë direkt, me një vijë kufitare të re ndarjeje midis dy vendeve. Por, nëse jo përmes kësaj, po lufton opsionin B, që të krijohet Asociacionii Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, me qëllim që në një moment të përshtatshëm, në të ardhmen këto komuna ta shpallin shkëputjen.Prandaj, unë e konsideroj momentin e tashëm si vendimtar për të ardhmen e vendit. Qeveria, Presidentja, Kuvendi, institucionet, opozita duhet të bëhen bashkë për ta parandaluar këtë lojë politike e diplomatike, si dhe objektiv të Serbisë. Nëse njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, atëherë krijohet hapësirë që Beogradi ta realizojë lehtësisht qëllimin e tij. Dhe mos të harrojmë, janë në treg territoret e Kosovës, trojet e saj”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se ‘duhet t’i hapim sytë’, nga e ardhmja e pasigurt.

“Shkurt: Duhet të bëhemi bashkë, me një qëndrim të prerë e të pandikueshëm. Duhet të hapim sytë, të dimë se çfarë është e dobishme dhe e drejtë dhe çfarë nuk është e tillë”, përfundon për “Bota sot”, profesor  Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat