Del një propozim i ri për zgjidhjen e çështjes së targave/ Kështu zhduken shpresat e Serbisë për “zajednicën” dhe gllabërimin e veriut

Politika

Del një propozim i ri për zgjidhjen e çështjes së targave/ Kështu zhduken shpresat e Serbisë për “zajednicën” dhe gllabërimin e veriut

M.Lakna Nga M.Lakna Më 20 nëntor 2022 Në ora: 21:57
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Tashmë është konfirmuar edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, se nesër (e hënë 21 nëntor) do të mbahet takim i nivelit të lart të dialogut Kosovë – Serbi. 

BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. 

Fillimisht Borrell do ta presë Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh. 

Këto takime do të zhvillohen vetëm një ditë para fillimit të zbatimit të fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e targave të kohës së Millosheviqit dhe atyre të lëshuara në Rashkë, në targa të Republikës së Kosovës.  

Qeveria e Kosovës është treguar e prerë sa i përket zbatimit të këtij vendimi që buron nga marrëveshjet e arritura në Bruksel në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Ndërkaq, sot Policia e Kosovës ka bërë të ditur se duke filluar nga data 22 nëntor e këtij viti e deri më 21 janar të vitit 2023, do të ketë gjoba 150 euro për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës, me targa ilegale të lëshuara nga Serbia. 

Ende nuk dihet se cili do të jetë ndikimi i takimeve të nersërme në Bruksel në zbatimin e vendimit për target. 

Duke folur për këtë temë, publicist Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se agresiviteti i tejskajshëm i Serbisë, nuk ka shpërthyer thjeshtë vetëm për targat, por për gllabërimin në një formë apo tjetër, të veriut. 

Image
Gani Qarri

“Siç parashihet edhe me vendimin e paralajmëruar zyrtar të Republikës së Kosovës, deri më 21 nëntor do të bëhet vetëm shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa nga 22 nëntori deri me 21 janar 2023, ndaj pronarëve të automjeteve me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të fillojë zbatimi i vendimit, për shqiptimin e gjobave.  

Por, në fakt, agresiviteti i tejskajshëm, aktual i Serbisë, nuk ka shpërthyer, thjeshtë vetëm për targat, as ruajtjen në to, të sinjalizimeve, sipas metodës së Millosheviqit për qytetet e Kosovës, por për gllabërimin në një formë apo tjetër, të veriut, e ndoshta edhe të ndonjë pjese tjetër vitale, të territorit të Republikës së Kosovës, duke përdorur nxitjen e rebelimit të bandave kriminale serbe me në krye banditët e njohur Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq, futjen e mercenarëve serb e rus në veri dhe kërcënimet publike për agresion të hapur ushtarak, kundër vendit tone”, ka deklaruar Qarri.  

Qarri u shpreh se qëndrimet e opozitës krah Serbisë, duhet ta bindin edhe më shumë Qeverinë që të mos heqë dorë nga vendimi i saj për target. 

Sipas tij, targat e veturave mund të zëvendësohen përkohësisht në “KS” në një afat 10 muajsh ashtu siç e kërkon edhe ShBA. 

“Madje, duke pasur parasysh edhe rreshtimin e hapur të opozitës së inkriminuar, në krah të Serbisë dhe Aleksandër Vuiçiqit, Kosova duhet të tregohet edhe më e vendosur për ndalimin definitiv të targave serbe, veçanërisht ato të lëshuara në Rashkë të Serbisë me siglimin “KM” dhe të tjerat që lëshohen nga ky shtet problematik dhe ish okupator i Kosovës.  

Zëvendësimi i menjëhershëm i tyre, duhet të bëhet, qoftë edhe me tabela të përkohshme "Ks", por të prodhuara vetëm në Kosovë, pa i dhënë asnjë hapësirë Serbisë, që të përzihet serish, në prodhimin e tyre, dhe vetëm për një afat të kufizuar 10 mujor, ashtu siç e kërkojnë SHBA-të, dhe miqtë tanë ndërkombëtar, me një vendim të posaçëm, të nënshkruar, për shkaqe sigurie, nga SHBA dhe BE, me kushtin se pa 10 muajsh nuk do të ketë më kërkesa shtesë as shtyrje të reja, por konvertimi i tyre, në RKS, do të bëhet automatikisht, dhe pa asnjë ekuivokë!”, potencoi ai. 

Ai thotë se nëse Kosova është e vendosur në zbatimin e vendimit të saj, atëherë Vuçiq do të ulë tonin kërcënues sikurse bëri në raste të tjera, kur kërkonte referendum e zgjedhje serbe në Kosovë. 

Kështu që, po qe se Kosova edhe në takimin e ditës së hënë më 21 nëntor në Bruksel, tregon konsistencë dhe vendosmëri maksimale, Vuçiqi ashtu siç jemi mësuar ta shohim edhe me rastin e ndalimit të referendumit serb dhe të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sërish do ta ul tonin kërcënues, siç veproi pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të Quintit, duke kthyer serish në parlament deputetët e "zajednicës", nga frika e bazuar, se ashtu siç është paralajmëruar nga presidentja e vendit zonja Vjosa Osmani, me 18 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e lira në veri dhe përfaqësuesve të "zajednicës" do tu ziheshin vendet nga serbët luajal ndaj shtetit të Kosovës, ku përveç humbjes së "listës serbe" do të humbte ndikimin në këtë pjesë të vendit tonë edhe Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste, me ç`rast do të zhdukeshin edhe shpresat e Serbisë për krijimin e “zajednicës” kundërkushtetuese si dhe gllabërimin e veriut të Kosovës”, shtoi ai. 

Për analistin, në gjendjen e krijuar, Kosova dhe Serbia, më mirë do të ishte të arrinin pikësëpari marrëveshjen finale, pas të cilës do të mund të zgjidheshin shumë më lehtë edhe mosmarrëveshjet e vogla, si ajo për tabelat, që siç dihet tash e mbi 11 vite, në dokument ekziston nënshkrimi i saj, por asnjëherë nuk është zbatuar deri më tani. 

Ndaj duke pasur parasysh tensionimin e ngritur artificialisht nga Serbia në terren, marrëveshje të arsyeshme nga takimi i 21 nëntorit, mund të arrihet vetëm me angazhimin e vendosur dhe të njëmendtë të SHBA-ve, si dhe veprimin përfundimisht, të sinqertë e të paanshëm të vet ndërmjetësuesve të BE-së, të cilët si Borell ashtu edhe Lajçak, pothuajse gjatë gjithë kohës kanë anuar nga Serbia”, tha Qarri.  

Kështu sipas tij, fakti që marrëveshja për targat është arritur dhe nënshkruar në Bruksel e bën Serbinë përgjegjëse për moszbatimin e saj. 

Prandaj bazuar në faktin se marrëveshja për konvertimin e targave, me ndërmjetsimin e BE-së, tash e mbi 11 vite ekziston e nënshkruar në Bruksel, si dhe praninë e KFOR-it dhe të EULEX-it, në Veri, çfarëdo që mund të ndodhë, me 21 nëntor, megjithëse unë nuk shoh arsye të ndodhë asgjë e keqe, ditën kur dhe fillon, normalisht faza e dytë e zbatimit të vendimit për targat, përgjegjësia do të bie mbi Serbinë si shtet agresor, e cila njëjtë si Rusia në Ukrainë edhe kjo, ka kohë që kërcënon publikisht, ripushtimin me forcë të Kosovës, si dhe mbi vet BE-në dhe ndërmjetësuesit e lartë të saj, të cilët, që nga fillimi ishin të njëanshëm duke bërë presion të vazhdueshëm vetëm mbi Kosovën, pa kërkuar asnjëherë me vendosmëri zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, njëra prej të cilave, është edhe ajo për konvertimin e targave ilegale të lëshuara në Rashkë të Serbisë, me ato legjitime RKS, të Republikës së Kosovës, që është edhe e drejtë e ligjshme dhe e pamohueshme e shtetit tonë, për jetësimin përfundimtar të tyre”, përfundoi Qarri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat