“Qetësi para stuhisë”, analisti parashikon dhunë dhe dështim zgjedhjesh në veri: Ky ishte kurthi dhe padrejtësia për shqiptarët!

Politika

“Qetësi para stuhisë”, analisti parashikon dhunë dhe dështim zgjedhjesh në veri: Ky ishte kurthi dhe padrejtësia për shqiptarët!

Nga: A.Zhushi Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka folur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, ndaj Qeverisë së Kosovës, për shtyrjen e afatit për targat ilegale në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se është provokuese dhe cinike për shqiptarët, kur targat krahasohen me “teneqe”, të cilat qe gjysmë shekulli, kontestojnë shtetësinë e Kosovës.

“SHBA dhe BE e pranojnë kërkesën e ligjshme, për zëvendësimin e targave ilegale të Serbisë, me targat legale të Republikës së Kosovës. Sepse paradoksi i deritanishëm, nuk ndodhë asgjëkundi në botë. Por, megjithatë, duan shtyrje të afatit 10 mujor! Dhe, këtë shtyerje të afatit e arsyetojnë me pakohëshmëri, që sjell probleme dhe, thjeshtë, nuk është parësi.

Image
Idriz Zeqiraj

Por, është provokuese dhe cinike për shqiptarët, kur targat krahasohen me "teneqe" dhe nuk ka arsye për kaq shqetësim e nguti, për zëvendësimin e tyre me targa legjitime të Kosovës. Ndërkohë që, janë, pikërisht, këto "teneqe", të cilat për afro një çerek-shekulli, janë shenja, simbole të kontestimit të shtetit të Kosovës, të mungesës të sovranitetit, edhe pse të njohur zyrtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, madje, në kufinjtë klasik të saj”, ka thënë Zeqiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Publicisti është shprehur kritik ndaj ambasadorit amerikan në Serbi Christopher Hill, lidhur me deklaratat e tij të fundit për targat.

“Një koxha ambasador amerikan, shkon edhe më larg: "Ndërkohë që bota kërcënohet me bombën bërthamore, ne merremi me targat!" Shumë i nderuari ambasador, Hill, është provokimi i dytë që i bëni popullit dhe shtetit të Kosovës. Herën e parë, për mungesë gadishmërie për dialogun, fajësoni Kosovën, në vend që ta fajësoni Serbinë bllokuese.

Së dyti, bëri krahasimin e pa vend e përçmues. Sepse për Kosovën që i mohohet shtrirja e sovranitetit, në kufijtë e pranuar botërisht, edhe pas 23 vjet çlirimi, kjo është, vërtet, bombë e kurdisur për shqiptarët”, është shprehur analisti.

Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët, që t’i japin fund agonisë së Kosovës.

“"Gjithkush hallin e vet, por samarxhiu të vetin", - thotë populli. Andaj, miqtë tanë amerikanë, por, edhe Evropa e Bashkuar, si dhurues e lirisë tonë të sotme, duhet t`i japin fund agonisë së pafund shqiptare, përkatësisht, të Kosovës”.

Ai e ka quajtur “kurth” dhe “padrejtësi të madhe” për shqiptarët, që nuk u lejua vendosja e ushtrisë së Kosovës në kufijtë e saj. Se 17% e territorit të Kosovës gjendet jashtë kontrollit të shtetit, Zeqiraj fajëson ish-pushtetarët, që sipas tij Serbinë e bënë hisedare e sunduese në veri.

“Ishte kurth dhe padrejtësi e madhe, për shqiptarët e Kosovës, pse nuk u lejua të vendoset ushtria e saj, në kufijtë e Kosovës. Pikërisht, rrjedhojat e këtij kurthi po i vuan sot Kosova. Dhe, Beogradi, vrastar i djeshëm i shqiptarëve, bëhet hisedar e sundues i sotëm, në 17 % të territorit të Kosovës, përmes bandave të armatosura serbe, në Veriun e Kosovës, të cilat janë jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës, por, gëzojnë privilegjet e dyfishta: të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë! Ndërkohë, dirigjohen, tërësisht, nga Beogradi zyrtar!”, ka thënë më tej analisti.

Sipas publicistit, veriu pas ikjes së serbëve nga institucionet, gjendet në “qetësi para stuhisë”. Ai parashikon se mund të ketë eskalim dhune dhe dështim të zgjedhjeve komunale.

“Aktualisht, në veriun e Mitrovicës, pas rebelimit bojkotues të të gjitha institucioneve shtetërore, nga zyrtarët e minoritetit serb, është një qetësi, para stuhisë. Kosova nuk ka mundësi, reale, për ta menaxhuar eskalimin e dhunshëm, ndaj kuadrit të zëvendësuar. Edhe zgjedhjet komunale mund të dështojnë, lehtësisht, sepse bandat kërcënojnë qytetarët e asaj zone. Me refuzimin e kërkesës amerikane dhe evropiane, për shtyrjen e afatit për zëvendësimin e targave të paligjshme, me ato të ligjshme, është zvogëluar mundësia, për të kërkuar garanci nga ndërkombëtarët se pas 10 muajve, vendimi i qeverisë Kurti, për targat, do të plotësohet? Ndjeshmëria amerikane është e lartë, duan bindje, përndryshe shpërfillin”, ka potencuar Idriz Zeqiraj.

Në fund, ai i ka kërkuar Kurtit të të shtyjë afatin për targat për 10 muaj, sipas kërkesës së SHBA-së dhe BE-së.

“Oferta e re e shefit Borell, uroj ta këtë bekimin amerikan! Kryeministri Kurti duhet ta mbledh kryesinë e Vetëvendosjes, të marrë vendimin kolegjial, duke pranuar shtyrjen afatit për targat, në pajtim me SHBA dhe BE-në”, ka thënë Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat