E ‘braktisi’ Thaçin për Trumpin, juristi nga Blegjika zbulon prapaskenat e dorëheqjes së prokurorit Smith – hedh disa dyshime!

Politika

E ‘braktisi’ Thaçin për Trumpin, juristi nga Blegjika zbulon prapaskenat e dorëheqjes së prokurorit Smith – hedh disa dyshime!

A.Morina Nga A.Morina Më 22 nëntor 2022 Në ora: 23:04
Donald Trump, Jack Smith dhe Hashim Thaçi

Jack Smith nuk do të jetë më Kryeprokuror i Gjykatës Speciale. Smith, i cili ishte në detyrën e kryeprokurorit që nga viti 2018 në Gjykatën e Hagës, për të hetuar krimet e luftës në Kosovë, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të hetuar raste të tjera.

Smith është emëruar prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lagot ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Ditë më parë, u bë publike një dorëheqje që zgjoi interesim dhe kureshtje të madhe në opinionin e Kosovës, respektivisht bëhet fjalë për dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, Jack Smith. Zoti Smith në mandatin e parë u emërua me 7 maj të vitit 2018, kurse u riemërua si Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2022 për një mandat katërvjeçar.

Lajmin për dorëheqjen e Kryeprokurorit Smith, përmes një komunikate, e bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, edhe pse në rrethana të zakonta, këtë dorëheqje është dashur t’a publikojë Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke i dhënë zyrtarish arsyet që çuan deri te dorëheqja.

Këtë dorëheqje të prokurorit Smith e komentoi juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për “Bota sot”.

Fillimisht, ai tha se kjo dorëheqje i paraprinë deklaratës se ish-presidenti Trump do të të kandidojë për herë të dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

“Dorëheqjes së Zotit Smith, i paraprinë zhvillimet e fundit politike në SHBA, respektivisht ishte deklarata e ish presidentit Trump, se do të kandidojë për herë të dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kjo nga fakti se, ish presidenti Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2020, jo vetëm që refuzoi t’i pranojë, por ai i kishte bërë thirrje simpatizuesve të tij, të « luftonin me mish e shpirt » për mos t’i pranuar rezultatet e zgjedhjeve, dhe si pasojë u sulmua Kapitoli, që nuk kishte ndodhur nga gushti i vitit 1814 kur britanikët dogjën Kapitolin. Dhe duke ditur se Zoti Trump ka disa proçese gjuqësore, sipas të cilave edhe mund të dënohet, që do t’ia pamundësonin kandidimin e sërishëm për president, atëherë Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, ka patyur arsye serioze, t’a angazhojë Zotin Smith në këto proçese kaq të rëndësishme. Dorëheqja e Zotit Smith nuk është zgjidhja më e mirë, mirëpo SHBA-të i kanë, mbi të gjitha, prioritet e politikave të tyre të brendshme”, deklaroi jursti.

Musliu përmendi kur gjatë kohës së prokurorit Smith u piblikua aktakuza e pakonfirmuar me arsyen se Thaçi dhe Veseli, kishin bërë përpjekje të përsëritura për pengimin dhe dëmtimin e punës së Dhomave të Specializuara.

“Kryeprokurori Jack Smith dhe Zyra e tij, u bënë të « famshëm » kur bënë publike aktakuzën e pakonfirmuar kundër Hashim Thaçit, të cilit ia ndërprenë udhëtimin për vizitën e planifikuar me 27 qershor 2020 lidhur me negociata në Shtëpinë e Bardh në Uashington. Me apo pa dashje, me publikimi e një aktakuze të pakonfirmuar, Prokurori kishte bërë shkelje të Ligjit mbi Procedurën Penale, sepse aktakuzat e pakonfirmuara, janë konfidenciale dhe nuk bëhen publike para se të konfirmohen nga gjykatësi i procedurës paraprake. Në atë kohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), publikimin e aktakuzës së pakonfirmuar e kishte arsyetuar me faktin se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, kishin bërë përpjekje të përsëritura për pengimin dhe dëmtimin e punës së Dhomave të Specializuara”, theksoi ai.

Krahas kësaj, juristi nga Belgjika foli për ndikimin e dorëheqjes së prokurorit Smith në procesin gjyqësor të Thaçit dhe të tjerëve.

“Tani, shtrohet pyetja se, dorëheqja e Prokurorit Smith, a do të ndikojë në zgjatjen e proçesit gjyqësor ?! Lidhur me këtë, në opinion ka mendime apo spekulime të ndryshme, mes të cilave dominon mendimi se, dorëheqja e Zotit Smith lidhet me mungesën e provave për t’a vërtetuar fajsinë e të akuzuarve.

Personalisht nuk e ndaj këtë opinion, e në veçanti, nga fakti se, një Prokurori i një kalibri, profili dhe integriteti të lartë profesional të këtij lloji, nuk mund dhe ligjërisht nuk guxon të ngritë një aktakuzë, e cila nuk mbështet në fakte dhe argumente të mjaftueshme”, nënvizoi Musliu.

Në vazhdim, ai tha se në rast se ka prova të mjaftueshme, një prokuror me kredibilitet nuk jep dorëheqje, sepse as që ngritë aktakuzë.

“Nëse aktakuza nuk ka fakte dhe prova të mjaftueshme, Prokurori nuk jep dorëheqje, sepse as që ngritë aktakuzë, respektivisht është një normë ligjore që përcakton se, në mungesë të provave të mjaftueshme, përfiton i akuzuari.

Rrjedhimisht, në këto procese delikate, kur bëhet fjalë për vepra penale të rënda, prokurori duhet të posedojë fakte dhe prova materiale përtej dyshimeve të bazuara, me një probalitet të lartë për vërtetimin e tyre”, vlerësoi juristi.

Ndër të tjera, Musliu potencoi faktin se mund të ketë zgjatje të procesit gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Derisa, kishte edhe disa fjalë për prokurorin e ri, që sipas tij duke e patur parasysh përvojën në këtë Prokurori, atij nuk i duhet shumë kohë për t’u ‘ambientuar’ me materialet e lëndëve, edhe pse ato janë voluminoze

“Dorëheqja e Prokurorit Smith, mund të ketë pasoja që do të kishin ndikuar në zgjatjen e proçesit gjyqësor, i cili për momentin ende gjindet në procedurën paraprake. Mirëpo, gjykoj se pasojat mund të jenë minimale, sidomos nga fakti se Zotin Smith do t’a zëvendësojë Zoti Alex Ëhiting, fillimisht si ushtrues detyre të Prokurorit Special, me të njejtat kompetenca dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës. Prokurori Ëhiting është me shtetësi franko – amerikane, i cili në Zyrën e Prokurorit Special ka punuar, nga qershori i vitit 2019, fillimisht si udhëheqës i hetimeve, kurse nga muaji gusht 2020 si Zëvendës Prokuror i Specializuar. Prandaj, duke e patur parasysh përvojën në këtë Prokurori, atij nuk i duhet shumë kohë për t’u « ambientuar » me materialet e lëndëve, edhe pse ato janë voluminoze. Në kalim, të përmendi se Zoti Ëhiting ka qenë Prokuror që ka kryesuar hetimet pranë Gjykatës Penale Ndërkombëta me seli në Hagë si Gjykatë e OKB-es, në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Balës”, nënvizoi ai.

Në fund, juristi tha se nuk beson që Smith do t’a kompromitonte dhe rrezikonte karrierën e tij profesionale, që ka ndërtuar ndër dekada, pa ndonjë shkak të arsyeshëm madhor.

“Një vonesë eventuale, karshi proçeseve të ardhshme gjyqësore të këtij niveli, nuk çojnë peshë të madhe, por me rëndësi është që ZPS-ja të vazhdojë punën, pa ndikim, pa presione, pa ndërhyrje dhe ajo të punojë në mënyrë të pavarur, sepse është në interes të proçesit në përgjithësi.

Jam i thirrur të besoj se, nuk mund të ketë Prokuror i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, që në një proces të ngjajshëm gjyqërsor, do t’a kompromitonte dhe rrezikonte karrierën e tij profesionale, që ka ndërtuar ndër dekada, pa ndonjë shkak të arsyeshëm madhor, siç është rasti i Zotit Smith.

Përndryshe, në përgjithësi, për shkak të kontinuitetit dhe efikasitetit, nuk preferohen dorëheqjet e prokurorëve apo gjyqtarëve gjatë një proçesi gjyqësor, mirëpo këto janë fenomene juridike me të cilat përballet drejtësia, e që janë të menagjueshme”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat