Publicisti gjen zgjidhjen për zhbërjen e Asociacionit: Të ngriten akuza për tradhti ndaj dy ish-pushtetarëve

Politika

Publicisti gjen zgjidhjen për zhbërjen e Asociacionit: Të ngriten akuza për tradhti ndaj dy ish-pushtetarëve

A.Zhushi Nga A.Zhushi Më 24 nëntor 2022 Në ora: 08:58
Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Publicisti dhe analisti i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, e ka cilësuar si “idhnake dhe paushalle”, kërkesën e ndërkombëtarëve ndaj institucioneve të Kosovës, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Image
Idriz Zeqiraj

Duke folur në një bisedë për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka thënë se shteti multi-etnik I Kosovës nuk e lejon Asociacionin një etnik serb, pasi sipas tij, të tillë do të kërkonin edhe minoritetet tjera në vend.

“Kërkesa e SHBA-së dhe BE-së, për bërjen e Asociacionit, për komunat me shumicë serbe në Kosovë, më duket, është idhnake dhe paushalle. Kemi mirëkuptim për përpjekjet e Amerikës dhe të Evropës, për ta futur Serbinë në orbitën e tyre. Por, assesi, në dëm të Kosovës. Kam shkruar dhe përsëritur, si u formua "Republika Srpska" me Bosnjë-Hercegovinë, duke paralizuar, tërësisht, atë shtet. Kosova është shpallur shtet multi-etnik. Kjo përjashton Asociacion njëetnik. Sepse Asociacion mund të kërkojnë edhe komunitetet e minoriteteve tjera të Kosovës, si boshnjakët dhe romët me degëzimet e tyre, të cilët janë në numër të përafërt. Ky fakt domëthënës vazhdon të heshtët. I vetmi që e përmendi ishte specialisti i Kushtetutës, Ismet Kryeziu. Ndërkohë që unë e kam thënë më se një herë këtë fakt vetëfolës”, ka theksuar ai për gazetën.

Sipas tij, Kosobva ka humbur shumë territor dhe nuk mund të përballojë humbje të tjera.

Vajzat dhe djemtë e LVV, bollshëm të shkolluar në shkollat amerikane dhe gjetkë, duhej të agjitonin në Qendrat e Vendosjes, se Kosova ka humbur shumë territore, të grabitura dhunshëm nga fqinjët lakmitarë, përgjatë dy shekujve të shkuar. Dhe, nuk përballon humbje të tjera”.

Duke folur për punën e mërgatës për atdheun, publicisti ka hedhur akuza të rënda ndaj lobistëve shqiptarë në Amerikë, të cilët sipas tij, kërkuan zhbërjen e Gjykatës Speciale, duke “trokitur në dyert e shtetarëve të zëshëm amerikanë”.

“Lobi shqiptar i hershëm, që nga Noli e Konica, me mërgimtarët e tjerë, të përjetshëm, bënë shumë për Atdheun e tyre, Shqipërinë. Edhe brezëtarë të tjerë i pasuan ata, në punët e mbara lobuese atdhetare. Por, së fundi, helmi i përçarjes i çaprashiti burrat shqiptarë, duke e ndarë edhe Shoqatën "Vatra"! Disa nga Burrat e Dheut, degraduan aq shumë, ranë ndesh me demokracinë amerikane, trokitën në dyert e shtetarëve të zëshëm amerikanë, përfshijë edhe ish-presidentë, kongresmenë, senatorë amerikanë, duke kërkuar zhbërjen e Gjykatës Speciale të Hagës, krijesë kjo e administratës amerikane, për të ndëshkuar kriminelët e botës, vrasës faktikë të njerëzve të pafajshëm. Lobistët shqiptarë, dikur shumë autoritarë, që ishin të mirëpritur në çdo zyre, tani zhgënjyen skajshëm. Ata kërkonin zhbërjen e Gjykatës Specikale dhe lirimin e kriminelëve, që kishin përgjakur kundërshtarët politikë, gjatë dhe pas Luftës së Kosovës, duke veshur në zi mijëra familje atdhetarësh të devotshëm dhe duke ia shtuar jetimët Kosovës! Këta mbrojtës të krimit, duke vrapuar burgjeve të botës, me zarfa të mbushur me dollarë e euro, për lirimin e vrastarëve multi-milionerë, zvetënuan reputacionin dhe shkëlqimin e tyre të dikurshëm”, është shprehur analisti.

Ai më tej ka vlerësuar se nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociacionin ishte bërë në fshehtësi të plotë, duke kërkuar që të ngriten akuza për tradhti ndaj ish-pushtetarëve Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Shfuqizimi i Asociacionit, sipas Zeqiraj mund të bëhet përmes doktrinës së njohur ligjore "clausula rebus sic stantibu".

“Intelektuali atdhetar, Ramazan Bekteshi, shkruan: "Asociacioni, një shpatë e Vuçiqit, që rrinë mbi qafën e Kosovës, kush është fajtor, Isa, Thaçi, ose të dy, pse nuk jepet përgjegjësi?!" Akuza për tradhti, është shtegdalje nga kurthi i Asociacionit. Aprovimi dhe nënshkrimi i Asociacionit është bërë në fshehtësi të plotë. Nuk janë konsultuar as institucionet shtetërore dhe as strukturat partiake, përjashto miqtë e ngushtë të tyre shqiptarë e serbë. Ngritja e një akuze të tillë, qoftë edhe formalisht, do të ndihmonte shumë, për ta lokalizuar fajësinë, krimin. Kjo mundësi realizohet përmes "clausula rebus sic stantibu", është doktrina e njohur ligjore ndërkombëtare, mund të shfuqizohet, në rrethana që paraqesin rrezikshmëri për shtetin. Kjo doktrinë, si parim është praktikuar më 1973. Shembull: ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Islandës. Në rastin tonë, nënshkrimi nga kuislingu Hashim Thaçi dhe kyeministri Isa Mustafa, nuk mund të imponohet njëanshëm nga Serbia”, ka thënë Idriz Zeqiraj.

Ai ka potencuar se njëjtë duhet të veprohet edhe me rastin e Manastirit të Deçanit, ku Kuvendi i Kosovës duhet të shpallë të jashtëligjshme të gjitha falsifikimet e bëra nga Serbia. Ndërsa, ai ka kërkuar hetime dhe dënime për tradhti, ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët ligjësuan të 24 hektarët, si pronë të Kishës serbe.

“Ngjajshëm duhet trajtuar edhe rastin e Manastirit të Deçanit. Mbaj mend, në vitet `50-a, si nxënës, kur kemi vizituar këtë Manastir dhe "Pushimorën e Pionierëve", si pronë shtetërore, brenda 24 hektarëve, për të cilët pretendon Kisha serbe. Mendoj se Parlamenti i Kosovës, duhet, ligjërisht, të shpallë të jashtëligjshme të gjitha falsifikimet e bëra nga Serbia, përfshi edhe ato të kohës së kriminelit Millosheviq.

Ndërkohë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët ligjësuan të 24 hektarët, si pronë të Manastirit të Deçanit, duhet të hetohen dhe dënohen, hiç më pak se për tradhti. Për këtë rast, ka bërë një studim historiani Dr. Shkodran Imeraj, kryetar i Shoqatës të historianëve "Ali Hadri" të Deçanit. Presidenti serb Vuqiç, për devijimin e rrugës për në Plavë, e arsyetoi me një marrëveshje të arritur në mes Thaçit - Vuçiq, duke paraqitur vijëzimin devijues të rrugës, "kodra pas bregut", jashtë 24 hektarëve dhe larg Manastirit, të shënuar nga -dora vet- kryeministri Thaçi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai në fund ka kërkuar nga Qeveria e Albin Kurtit, që problemet e trashëguara, t’i zgjidh me maturi e mençuri.

“Qeveria Kurti, e cila trashëgoi problemin e "Asociacionit" dhe të Manastirit të Deçanit", nga pushtetarët e shantazhuar, batakçinj e horrakë, duhet të veprojë me maturi e mençuri, për ta bërë një zgjidhje, me sa më pak dhimbje për atdheun tone - Kosovë”, ka shtuar analisti për gazetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat