Qëllimi i Serbisë është anarkia dhe sundimi i bandave në veri!

Politika

Qëllimi i Serbisë është anarkia dhe sundimi i bandave në veri!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 nëntor 2022 Në ora: 11:53
Foto ilustrim nga veriu i Kosovës

Nuk u lejua përshkallëzimi momental i situatës në veri me ndërhyrjen amerikane, duke arritur një marrëveshje, sipas së cilës Kosova e shtyn vendimin për ndalimin e targave ilegale serbe deri në arritjen e një marrëveshje politike dhe njëkohësisht Serbia e ndalon prodhimin e atyre targave ilegale.

Marrëveshja u arrit nga kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Lajçakut.

Njëkohësisht është arritur pajtimi që të vazhdohen bisedimet për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme, për të cilën nuk ka kohë, një afat kohor, por jozyrtarisht është deklaruar se ajo duhet të arrihet para marsit 2023.

Por, pavarësisht arritjes së marrëveshjes, presidenti i Serbisë u ka kërkuar serbëve që i braktisën institucionet e Kosovës, që të mos kthehen brenda tyre, si policët, gjykatësit, prokurorët etj.

Pas braktisjes së posteve edhe nga deputetët e Listës serbe, KQZ-ja nisi procedurat e zëvendësimit të tyre, por 9 të tjerët që ishin kandidat të saj në Listat zgjedhore, dhe një është nga Iniciativa Qytetare për liri, drejtësi dhe mbijetesë (GISPO).

Ndërkohë, që për kryetarët e komunave veriore me shumicë serbe dhe këshillat komunale, presidentja Vjosa Osmani i ka shpallur zgjedhjet, të cilat do të mbahen ndaras, në dy data, në muajin dhjetor, për katër kryetarë komunash dhe më pas për dy kuvende komunale.

Ajo ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri, në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Presidentja po ashtu e ka caktuar 25 dhjetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.

“Pas Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendeve Komunale në Zveçan dhe Leposaviq, pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, presidentja Vjosa Osmani, në përputhje me afatet dhe detyrimet ligjore, caktoi 25 dhjetorin, datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ajo ka ftuar subjektet politike për fushatë të qetë, pa tensione, duke respektuar Kodin Elektoral dhe rivalët politik.

Ndërsa, ata zyrtarë e nëpunës shtetëror që i kanë braktisur vendet e punës, mund të kthehen vetëm sipas ligjit, konkurseve apo zgjedhjeve elektorale.

Kuçi: Ligjërisht të dorëhequrit mund të kthehen në institucione vetëm sipas ligjit, pra nëpërmjet konkurseve apo zgjedhjeve elektorale

Image
Gurakuq Kuçi

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Gurakuq Kuçi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se të dorëhequrit mund të kthehen në institucione vetëm sipas ligjit, pra nëpërmjet konkurseve apo zgjedhjeve elektorale.

Sipas tij, qëllimi i tyre është anarkia dhe sundimi i bandave atje. “Serbia përderisa ka përkrahjen e Rusisë dhe Kinës, e po ashtu edhe të BE-së, nuk do të ndryshojë kurrë qëndrim dhe nuk do të jetë kurrë konstruktive ndaj Kosovës.

Ligjërisht të dorëhequrit mund të kthehen në institucione vetëm sipas ligjit, pra nëpërmjet konkurseve apo zgjedhjeve elektorale. Por, duke mos i leju serbët të bëhen pjesë e institucioneve do të tentojnë që ta mbajnë sa më larg kontrollit të institucioneve të Kosovës, pjesën veriore. Qëllimi i tyre është anarkia dhe sundimi i bandave atje. Po ashtu, Serbia po e shfrytëzon tej mase jo-efektivitetin e institucioneve të Kosovës në shtrirjen e sovranitetit.

Kosova nuk po arrin të materializojë përparësitë e saj sepse nuk po e luan diplomacinë e duhur dhe angazhimi për rregullimin e diplomacisë nuk duket askund”, sqaron Kuçi për “Bota sot”.

Qarri: Për të dalë nga kjo katrahurë e rrezikshme, do të duhej të mbahej një referendum popullor, kundër formimit të “asociacion”

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri thotë se si fillim nuk sheh ndonjë arritje të shpejt të ndonjë marrëveshje, e po ashtu deklaron se largimi i serbëve nga institucionet shtetërore të Kosovës, lidhet kryekëput me krijimin e asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb.

“Në fakt në urdhrin e tij, për largimin e serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës, Vuçiqi, as që i ka përmendur targat si shkakun kryesor, ndaj dhe kjo as që lidhet fare me to, por në realitet, pas fitores për targat, ku Qeveria e Kosovës u dorëzua para Vuçiqit dhe me pranimin e vazhdimit të regjistrimit, pa asnjë limit të paraparë kohor, fatkeqësisht me apo pa vetëdije, legalizoi targat KM. Është një parapërgatitje, për fitoren e radhës edhe nga bisedimet që pritet të fillojnë për shqyrtimin e planit franko-gjerman, të arritjes së marrëveshjes, nëse ndodhë të ketë vërtetë një marrëveshje, që unë pas dështimit të pësuar për targa, nga Kosova, nuk besojë fare në marrëveshje kaq të shpejt, madje aq më pak, në atë, siç po quhet edhe marrëveshje "gjithëpërfshirëse" me Serbinë, që pa njohjen e shtetit të Kosovës, as që ka ndonjë peshë edhe aq shumë të madhe.

Kështu që tanimë shihet hapur, se largimi i serbëve nga institucionet shtetërore të Kosovës, lidhet kryekëput me krijimin e asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb, grackë në të cilën duket se Albin Kurti ka rënë plotësisht, madje kjo edhe është vendosur si kusht nga Vuçiqi, për fillimin e bisedimeve në bazë të projektit franko-gjerman, ku decidivisht edhe aty ceket krijimi i "asociacionit" një etnik serb, të nënshkruar nga tandemi renegat Thaçi-Mustafa, por nuk përmendet fare njohja e shtetit të pavarur të Kosovës, nga Serbia”, shprehet ai.

Ai shton, se për ta tejkaluar këtë situatë duhet që të mbahet një referendum popullor, kundër formimit të "asociacionit" apo siç thotë Qarri që edhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Prandaj pas dështimit flagrant të Qeverisë për targat, para kushtëzimeve të reja edhe më të rrezikshme për shtetin e Kosovës, si formimi i asociacionit një etnik serb, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, këtë ide të shpifur, e gjen në më se 23 nene në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, nëse nuk ndryshohet ky trend fatal i bisedimeve, para se Kosova të pësoj dështimin e radhës dhe ta rrezikojë edhe vazhdimësinë e shtetësisë së shtetit tonë të brishtë, mënyra e vetme për dalje nga kjo katrahurë e rrezikshme, do të ishte mbajtja e një referendumi popullor, kundër formimit të "asociacionit", ose dorëheqja urgjente e Albin Kurtit nga qeverisja dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

nëse nuk organizohet referendum e të pyetet populli i Kosovës për idenë e rrezikshme të krijimit të “asociacionit”, e cila çon drejtpërsëdrejti në bosnjëzimin dhe ndarjen e Kosovës, përveç ndalimit të bartjes së targave KM, nga qytetarët serb të Kosovës, të prodhuara në Rashkë të Serbisë, tematikë kryesore e fushatës elektorale në zgjedhjet e jashtëzakonshme, duhet medoemos të jetë pikërisht shfuqizimi i marrëveshjes për krijimin e asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb, në mënyrë që populli të vendosë me vullnetin e tij, dhe në emër të shumicës votuese në vend, partia fituese, të merret me këtë çështje kaq madhore”, thotë Qarri.

Kurse, në fund, Qarri thekson se tendencat e Vuçiqit dhe Serbisë ndaj vendit tonë nuk do të ndalen kurrë, madje sipas tij, ai gëzon edhe përkrahjen e pa rezervë të opozitës së inkriminuar, udhëheqësit e të cilës, në bashkëpunim dy dekadash me strukturat paralele serbe dhe prijësit e bandave kriminale në veri, e kanë sjellë vendin në këtë gjendje kaq alarmante.

“Përndryshe loja e Vuçiqit e tendencat e Serbisë, nuk do të ndalen kurrë dhe vendi ynë, nuk do të gjejë asnjëherë qetësi, përderisa ai e ka në dorë, të vendosë nga Beogradi për sjelljet e serbëve në veri, madje edhe poçe se mbahen zgjedhjet e lira të shpallura në katër komunat veriore dhe nga Qeveria e Kosovës, vendoset që serbët e dorëhequr, të mos mund të kthehen në polici as institucionet tjera të vendit tonë, Serbia sërish do të krijojë probleme të reja, duke mos i njohur zgjedhjet në këto komuna dhe ftuar serbët në protesta, bllokime rrugësh e shantazhe tjera, kur dihet se përveç serbëve në veri, Vuçiqi gëzon edhe përkrahjen e pa rezervë të opozitës së inkriminuar, udhëheqësit e të cilës, në bashkëpunim dy dekadash me strukturat paralele serbe dhe prijësit e bandave kriminale në veri, si Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq etj, e kanë sjellë vendin në këtë gjendje kaq alarmante, që sot për Kosovën, mjerisht ka arrit dimensionin trishtues: “Të jesh, apo, mos të jesh”!, përfundon analisti Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat