Pas ‘goditjes’ që ia dha Vuçiqit në takimin e fundit, Kurtit i vjen paralajmërimi: Ky është ‘tehu’ i rrezikshëm!

Politika

Pas ‘goditjes’ që ia dha Vuçiqit në takimin e fundit, Kurtit i vjen paralajmërimi: Ky është ‘tehu’ i rrezikshëm!

A.Morina Nga A.Morina Më 27 nëntor 2022 Në ora: 09:54
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe mes Kosovës dhe Serbisë më 23 nëntor, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Ky dokument është një propozim i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, por që zyrtarët e BE-së e quajtën ‘propozim evropian’.

Derisa dokumenti nuk ka dalë zyrtarisht në opinion dhe ende nuk dihen detaje të hollësishme për këtë.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” foli lidhur me marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdimësinë e dialogut.

Fillimisht, ai e vlerësoi lart këmbënguljen e kryeministrit Kurti për marrëveshjen e targave ilegale serbe.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

“Tani shihet këmbëngulja dhe vlera e marrëveshjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me rastin e targave serbe, kjo marrëveshje lokale e targave serbe ia hapi rrugën qeverisë së Kosovës që problemim e zgjedhur lokal ta rriste në atë ndërkombëtare e evropiane për një marrëveshje dialoguese përfundimtare të njohjeve reciproke Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.

Më tej, ai foli edhe për planin franko-gjerman i cili ka qenë temë diskutimi për mbarëvajtjen e mëtjeshme të negociatave Kosovë-Serbi.

Profesori tha se ky projekt është më shumë në të mirë të Kosovës se në të keqe. Ani pse, potencoi se ky është dytehësh.

“Pra, marrëveshja e targat serbe bëri përshpejtimin e bisedimeve të radhës në Bruksel ku si bazë kryesore e qendrore politike do jetë plani franko-gjerman që më së shumti anon për të mirën sesa për të keqen e Kosovës, po të bëjmë një analizë të projektit dialogues franko-gjerman do vërejmë se është dytehëshe, tehu i parë i marrëveshjes dhjetëvjeçare mund të jetë e mirë për Kosovën në të cilën gjatë kësaj periudhe Serbia do ta pranonte Kosovën, por nuk do ta njihte sovranitetin e pavarësinë e saj dhe do ta konsideronte Kosovën si shtet autonom brenda Serbisë, në formën e federatës jugosllave ku Kosova ishte autonome e jo republikë brenda federatës jugosllave, tehu i dytë i rrezikshmërisë për Kosovën është se çfarë do bëhej pas afatit dhjetëvjeçare të planit franko-gjerman se Serbia a do ta njoh Kosovën apo do ta sulmonte nëse rusët forcohen”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, shtoi se Beogradi nuk do e pranoj planin franko-gjerman, pasi do fokusohet në tentativën për krijimin e Asociacionit.

Megjithatë, ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të bëjë kërkesë të shtetet ndërkombëtarë që Serbia ta largojë nga kushtetuta Kosovën dhe të pranoj të dialogojë për njohje.

“Edhe pse gjatë takimit të ardhshëm në Bruksel thuhet se do bisedohet për njohje reciproke të shteteve fqinje, por nuk do jetë ashtu, se Serbia për shkak poenave diplomatike me BE-në nuk do pajtohet me planin franko-gjerman qëllimshëm për të fituar atë që do Serbia, e serbët duan asociacione qeverisëse serbe brenda Kosovës.

Gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel, pika e parë e kryeministrit, Albin Kurtit, që duhet kërkuar Serbisë, BE-së, Francës e Gjermanisë është që kushtetuta e Serbisë të nxjerr Kosovën nga kupolla e saj, e pastaj të pajtohet me projektin dialogues franko-gjerman, për ndryshe Kosova brenda kushtetutës serbe gjatë marrëveshjes dhjetëvjeçare do jetë e njëllojshme sikurse e ish-Jugosllavise, Krahinë Autonome e Federatës Serbe”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat