ShBA-ja të marrë rol kyç në bisedimet Kosovë-Serbi / S’ka garanci për marrëveshje

Politika

ShBA-ja të marrë rol kyç në bisedimet Kosovë-Serbi / S’ka garanci për marrëveshje

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 nëntor 2022 Në ora: 14:42
Miroslav Lajçak, Albin Kurti dhe Gabriel Escobar

Të mërkurën e kaluar është arritur marrëveshja për targat, në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtime të qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Tutje ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.

E kurthuar nga fashizmi serb

Ndërsa, Kritika ndaj dialogut dhe ecurisë së tij, kanë analistët politikë, të cilët kërkojnë përfshirjen më të madhe të ShBA-së në dialog, pasi që sipas tyre, Evropa historikisht nuk ka qenë asnjëherë në anën e shqiptarëve.

Analisti politik nga Amerika, Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut.

Image
Binak Maxharraj

 

Ai madje mori shembull Fishtën dhe deklaratat e tij rreth Evropës.

“Vite të humbura në dialog. Qeveria e Kosovës duhet ta ndërpresë dialogun për shkak të animit të BE-së kah Serbia. Është e domosdoshme përfshirja direkte e ShBA-së në dialog, sepse pa të nuk ka dialog, nuk ka zgjidhje. Siç dihet Evropa historikisht asnjëherë nuk ka qenë në anën e shqiptarëve, historia ka qenë në vazhdimësi e pamëshirshme ndaj shqiptarëve, sepse armiqtë e saj sllavë të ardhur nga Karpatet, aty vazhdimisht kanë zhvilluar luftëra okupuese për t’i gllabëruar trojet shqiptare. Si pasojë e kësaj sot shqiptarët janë të ndarë në disa shtete sllave, që do të thotë se Shqipëria është i vetmi vend në botë që rrethohet me kombin e vet. Herët shumë herët, para shumë dekadave e ka vënë këtë në shënjestër edhe i Madhi Homeri ynë, atë Gjergj Fishta, në kohën e luftës për Pavarësi të Shqipërisë. Gjergj Fishta ishte njohës i fortë i rrethanave gjeo-politike, ishte i bindur që shtetet e korruptuara të asaj kohe, me qëllim po e digjnin kombin shqiptar, për t’i kënaqur orekset e shteteve sllave me qëllim për ta dënuar kombin shqiptar, i cili asokohe ishte kombi me numrin më të madh të banorëve në Ballkan. Lidhur me këtë Fishta e shprehte mllefin e vet me: “Uh! Evropë, ... që i re mohit, besës së Zotit! Po, a ky asht shenji i qytetnisë? Me da tokën e Shqypnisë”. Ky konstatim, ky mllef i Gjergj Fishtës edhe sot e kësaj dite është aktual edhe pas çlirimit të Kosovës nga fashizmi serbo-sllav. Dihet se Kosova në vend se ta përjetonte dhe ta gëzonte lirinë e shumëpritur, ajo edhe sot e kësaj dite është e kurthuar me kthetrat e fashizmit dhe çetnikizmit serb. Kjo ndodhi, sepse kështu dëshiron një pjesë e Evropës, e cila e la të ngatërruar me Serbinë, e kjo ka pretendime territoriale ndaj Kosovës - shtetit më të ri në Evropë, i njohur nga 117 vende të botës dhe i sanksionuar edhe nga GJND-ja”, ka deklaruar Maxharraj.

Sipas tij, Kosova ka 12 vite të humbura në dialog dhe vendi pati fatin e keq edhe për shkak të liderëve të korruptuar, të shantazhuar dhe të zënë robër nga Serbia.

“Mbeti e ngatërruar me Serbinë përmes dialogut për shkak të neglizhencës së liderëve tanë naivë, të cilët nuk ishin fare vigjilentë për të mbrojtur lirinë e fituar. Pra, kaluan 12 vite që Kosova dialogon me Serbinë, janë këto 12 vite të humbura, sepse për të gjitha këto vite u arritën disa marrëveshje paçavra, të pavlera, të cilat është vetë Serbia, ajo e cila nuk i zbaton. Kosova gjatë këtyre 12 viteve të dialogimit të kotë nuk pati asnjë përfitim, por vetëm humbje, trauma dhe nënçmim. Kosova e pati fatin e keq kur në dialog u futën liderët e korruptuar, të shantazhuar dhe të zënë robër nga Serbia. Hashim Thaçi ishte njëri nga ata, i cili ia dha atë të mbrapshtën dialogut, sepse ky njeri shkonte në dialog herë me Daçiqin, e herë me Vuçiqin me duar në xhepa. Shkonte pa asnjë kërkesë ndaj Serbisë, bile pa i kërkuar që ajo të kërkonte falje, e lëre më krimet dhe masakrat as që guxonte t’ia përmendte Serbisë, ani pse i kishte faktet para vetes, për ta dërmuar Serbinë në dialog. Por, ai heshtte si qyqar bile, shkonte edhe aq larg sa që haptas thoshte se duhet të pajtohemi me Serbinë, thuajse ajo nuk ka bërë kurrfarë krimesh në Kosovë”.

Bënin skica për ndarjen e Kosovës

“Gjatë dialogut me Serbinë, Hashim Thaçi së bashku me Isa Mustafën ia bënë dëmin më të madh Kosovës duke e nënshkruar Asociacionin një etnik serb me kompetenca ekzekutive, të cilin Gjykata Kushtetuese ia hodhi poshtë me 23 nene antikushtetuese. Por, Hashim Thaçi shkoi edhe më larg?! Ai gjatë diagolimit me Serbinë u lidh me dreqin dhe të birin e tij, u lidh me mafitë serbo-ruse për t’ia futë Kosovës thikën pas shpine, që për tre-katër vjet të diagolimit takohen skutave, tinëz opinionit, për t’i realizuar planet serbo-sllaveve. Ky njeri tebdil i shantazhuar nga Serbia, bëri pazare me Serbinë pa fije turpi duke bërë plane, skica për ndarjen e Kosovës, përkatësisht për shkëputjen e veriut të Kosovës për të cilin Serbia ishte e interesuar dhe shpesh Vuçiqi thoshte se veriu i Kosovës është interesi nacional i Serbisë dhe pa të nuk dal nga Kosova. Me siguri se Thaçi do të realizonte planin e Serbisë e sidomos kur ai u lidh me administratën e Trumpit, i cili ishte i rrethuar nga njerëzit si Jo Bollton, Mattejev dhe Richard Grenell, por dashti Zoti që planet e tij i hetoi me kohë kancelarja Angela Merkel, por edhe qarqet e caktuara të sigurisë kombëtare në Amerikë, që bash në kohën kur Hashim Thaçi po udhëtonte për në ShBA për të realizuar planin e tij serbo-rus, iu prish avioni në 12 mijë metra lartësi, dhe u detyrua të kthehet, pas i qe ngritur aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe më pas e çuan në Hagë”, ka pohuar Maxharraj.

Duke folur rreth qëllimeve të Serbisë në dialog, Maxharraj thotë se ajo kërkon marrjen e veriut të Kosovës dhe kjo për shkak të pasurisë së tij.

“Nga ana tjetër dihet se Serbia nuk ka hyrë në dialog me Kosovën për përmirësimin e pozitës së serbëve të veriut, e as për përmirësimin e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke. Serbisë fare nuk i intereson pozita e serbëve në Kosovë, të cilët i kanë të gjitha të drejtat, bile më të mëdha se shumica e pakicave kombëtare në Evropë. Serbia serbët e Kosovës i përdor si “vegla pune” me pretekst për të arritur diçka më shumë, për të marrë veriun e Kosovës, qoftë përmes ndarjes apo përmes asociacionit një etnik me kompetenca ekzekutive ashtu siç e kanë nënshkruar Thaçi dhe Mustafa. Serbisë, pra nuk i intereson pozita e serbëve të Kosovës, por ajo është e interesuar për veriun e Kosovës, i cili është me pasuritë më të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore, ose veriu i Kosovës sipas vlerësimeve ndërkombëtare e ka vlerën më të madhe se sa 2,5 herë se sa krejt Serbia, kurse veriu i Kosovës e ka vlerën me të madhe se sa 10 Shqipëria. Pra, kjo është çështja, ky është qëllimi pse Serbia ka hyrë në dialog me Kosovën, thjesht për të marrë veriun e flakëruar në arë e argjend. Nuk do mend se veriu i Kosovës është koka e Kosovës, për të cilin Albin Kurti po lufton për ta mbajt, sepse t’ia heqësh veriun Kosovës është njësoj si t’ia heqësh kokën, epo a jeton trupi pa kokën? jo. Pra, këtu qëndron Nyja e Gordit, këtu qëndron Thembra e Akilit për të cilën Serbia është lidhë dhe nuk lëshon pe”, thekson ai.

Serbia i aktivizon kriminelët e vet si radojçiqët, rakiqët e veselinoviqët për të krijuar tensione

Sipas tij, liderët e Kosovës në krye me Hashim Thaçin lejuan që veriu ngadalë të rrëshqasë, thuaja nën kontrollin e strukturave paralele.

“Prandaj, gjatë gjithë këtyre viteve të dialogut Serbia e ka këtë qëllim dhe për këtë ajo sot është në gjendje ta rrotullojë edhe krejt botën për ta arritur këtë qëllim. Serbia për të gjitha këto vite në veriun e Kosovës sillet si me shtëpinë e vet. Liderët e Kosovës në krye me Hashim Thaçi lejuan që veriu ngadalë të rrëshqas thuaja nën kontrollin e strukturave paralele të Serbisë. Atje veprojnë strukturat ilegale serbe, shërbimet inteligjente serbe BIA dhe KOS-i, nuk ndihet as këngë shqipe etj. Të gjitha këto të lidhura me Beogradin dhe të dirigjuara nga çetnikët Vuçiq-Daçiq. Dhe sa herë që qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin tenton të vejë rregull dhe të shtrijë sovranitetin edhe në atë pjesë të vendit, siç është rasti me dokumentet, letërnjoftimet e së fundmi me targat, Serbia çartet, i aktivizon kriminelët e vet si radojçiqët, rakiqët e veselinoviqët për të krijuar tensione, po edhe më keq binomi Vuçiq-Daçiq kërcënojnë edhe me ushtri”, thotë ai.

Sipas tij, pa përfshirjen e Amerikës në dialog të drejtpërdrejtë, nuk ka kurrfarë shansi që me Borellin e Lajçakun pro serb të arrihet ndonjë marrëveshje.

“Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të mendojë mirë se a është e mundur që të vazhdohet dialogu me këta ndërmjetës që anojnë kah i forti, kah Serbia duke e lënë Kosovën fajtore. Po si është e mundur që këta ndërmjetësues skandaloz dhe shumë të dyshimtë, të mos i kërkojnë asnjë llogari Serbisë për kërcënimet me luftë, për rrethimin e hekurt të Kosovës me ushtri, për instalimin e bandave kriminele në veri të armatosur, për praninë e ushtarëve dhe agjentëve rus në veri, etj. Krejt kjo duhet t’i jap mend qeverisë së Kosovës se një dialog i këtillë me Serbinë nuk ka më kuptim dhe se ai menjëherë duhet të ndërpritet ani pse Serbia e ka qëllimin që dialogu të vazhdojë në pakufi duke e pritë një shans për realizimin e qëllimeve të veta strategjike për ta marrë veriun. Ndoshta edhe do ta merrnin veriun e Kosovës sikur në dialog të ishin Thaçi e Mustafa, por me Albin Kurtin Serbia nuk ka shanse sepse Kurti është një arrë e fortë që nuk thyhet. Nga ana tjetër qeveria Kurti, duhet me ngulmë të kërkojë që SHBA-ja të involvohet drejtpërdrejtë në dialog, më fuqishëm. Kjo është më se e domosdoshme sepse duke i pasur parasysh sjelljet historike të BE-së ndaj shqiptarëve, e në veçanti tashti ndaj Kosovës është e pamundur që të arrihet ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen në qendër të shtetit të Kosovës. Pa përfshirjen e Amerikës në dialog të drejtpërdrejtë nuk ka kurrfarë shansi që me borella dhe lajçaka pro serb të arrihet ndonjë marrëveshje”, ka përfunduar ai.

Reflekto Albin, konsultohu me ShBA-në

Ndërsa, opozita thotë se Kurti është duke i prishur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, e sidomos Amerikën.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për “Bota sot”, se veprimet e Kurtit mund ta kthejnë Kosovën prapa në kohë.

Image
Time Kadrijaj

 

Ajo ka kërkuar që Kurti të konsultohet me ShBA-në për veprimet e tij.

“Albin Kurti ka vepruar kokë më vete këto ditë, pa u konsultuar me miqtë ndërkombëtarë, sidomos ShBA-në. Veprimet e tij të njëanshme mund të na kthejnë në kohë prapa. Në vend se ta ketë fokusin në marrëveshje finale, Albini bisedonte për targa, por është pozitive që është arritur më në fund marrëveshja për targa. Por, për herë të parë Kosova po akuzohet nga ndërkombëtarët, e jo Serbia. Albini me veprimet e tij po i jep adut Serbisë për destabilizimin e Kosovës, sepse ky është synimi i saj. Reflekto Albin, mos hy në rrugë pa dalje, konsultohu me SHBA-në e hapëro me këtë aleat”, ka deklaruar Kadrijaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat