E krahasoi Osmanin me kasapin Millosheviç - Kritikohet ashpër Skënder Hyseni

Politika

E krahasoi Osmanin me kasapin Millosheviç - Kritikohet ashpër Skënder Hyseni

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 nëntor 2022 Në ora: 08:01
Vjosa Osmani dhe Skënder Hyseni

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë javës së kaluar krahasoi qëndrimet e presidentes, Vjosa Osmani me ato të kasapit të Ballkanit, kriminelit, Sllobodan Milloshevqi.

Siç u shpreh Hyseni, Osmani po mban qëndrime pothuajse të njëjta si Millosheviçi për evropianët dikur.

Edhe Millosheviçi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, deklaroi Skënder Hyseni.

Hashim Thaçi ia dhuroi postin e Ministrit të Jashtëm

Por, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi i quan budallaqe deklarimet e Skënder Hysenit.

Image
Enver Bytyçi

Unë e mirëkuptoj në dhimbjen e budallakisë që ai përjeton. Madje e mëshiroj. Sepse pa qenë në dhimbje të tillë nuk mund të thuash se “Presidentja Osmani po e izolon Kosovën, njësoj si Milosheviçi Serbinë”! Si mund ta thotë këtë një ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, nëse ai nuk është zhyt në budallaki ose në tradhti?! Sepse kjo më së pari nuk është e vërtetë. Vjosa Osmani pritet, nderohet e respektohet kudo në Evropë, SHBA e në botë “si princeshë” dhe në pritjet e saj i bën nder Kosovës. Vjosa është politikania që më së shumti e përfaqëson Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare e madje me shumë dinjitet! Në këto rrethana ta akuzosh atë se “po e izolon Kosovën” është sikur po i bën thirrje që të bëjë rolin e servilit, siç e bënte Skënderi në kohën e tij”, thotë Bytyçi.

Ai e quan njeri servil Skënder Hysenin, për të cilin thotë se Hashim Thaçi ia dhuroi postin e ministrit të Jashtëm.

Vetëm me të qenit servil pajtohet Skënder Hyseni. Nëse ruan dinjitetin dhe integritetin e vetes e të shtetit, atëherë për Skënderin je izolacionist. Madje në të njëjtën masë sa Milosheviçi. Dhe i mbeti hatri që LDK-ja e kritikoi për këtë deklaratë. Tha se LDK-ja po rrëshqet drejt një partie komuniste. Nuk i lejohet partisë, sipas Skënderit, t’i tërheqë vëmendjen një megalomani si ai, sepse ky paska qenë ministër i Jashtëm dhe i Brendshëm. Shihni sa servil ka qenë Skënderi, sa Thaçi ia dha edhe postin e ministrit të Brendshëm, i cili është personi më besnik i kryeministrit, të çdo kryeministri”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Siç thotë Bytyçi, Hyseni mban lidhje të ngushta me Dardan Molliqajn e PSD-së, i cili po ashtu tha se Albin Kurti po vepron si krimineli Millosheviç.

Ndërkohë, ai mban lidhje të ngushta miqësore pikërisht me ata politikanë të Kosovës që mendojnë si ai. Me Dardan Molliqajn p.sh. edhe ky Dardani tha se Albini po i trajton serbët njëlloj si Millosheviçi i trajtonte shqiptarët. Secili prej tyre me Milosheviçin e kanë dashurinë e tyre. Aq të zellshëm janë të ndihmojnë politikat anti-Kosovë të Vuçiqit, sa presidenti serb nuk ka nevojë të përdorë gazetat e tij në Beograd për të prodhuar akuza anti-Kosovë. Këto akuza i merr nga Skenda dhe Dardani të gatshme. Madje me alibinë se “këto nuk i thotë Beogradi, i thonë politikanë të Prishtinës”!”, thekson profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi i bën thirrje LDK-së që t’i bëjë presion Hysenit që të kërkojë falje publike.

“Lidhja Demokratike nuk duhet të mjaftohet me një kritikë ndaj deklaratës së Skënder Hysenit. Duhet patjetër që t’i bëhet presion e të kërkojë ndjesë publike. Vetëm ndjesa publike mund të rikthejë në një farë mënyre një situatë normale në raportet e tij me LDK-në dhe opinionin publik. Zoti Abdixhiku nuk mund të qëndrojë gjithmonë në pozicion midis Isa Mustafës e Skënder Hysenit dhe kohës e ideve të reja për partinë dhe Kosovën. Sa më gjatë nuk do të distancohet nga qëndrime si këto të Skënder Hysenit e të Isa Mustafës inatçor, aq më shumë do ta dëmtojë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kosova dëshiron një LDK që i ngjan asaj të Ibrahim Rugovës dhe jo asaj të varrmihësve të Rugovës!”, deklaron profesor Enver Bytyçi.

Inatet personale të Skënder Hysenit

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti shprehet se Hyseni në mungesë të përfitimeve personale, po ndjellë mllef ndaj presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Image
Faton Mehmeti

“Skënder Hyseni është mbetje e një regjimi dhunues ndaj qytetarëve, dëshpërues për ata që u besuan dhe shkatërrues për pasojat e së ardhmes. Skënder Hyseni në pamundësi për të vazhduar pazaret me klanin "Pronto" për përfitime personale dhe klanore, mllefin po e shfryen ndaj Kurtit dhe Osmanit, të cilët e përmbysën një regjim 20 vjeçar”, deklaron Mehmeti.

Ashtu si Bytyçi, edhe Mehmeti thotë se Skënder Hyseni është njeri servil i të gjitha pushteteve.

Servil gjithë jetën, njohësi i gjuhës angleze, arriti majat e diplomacisë, pa asnjë meritë intelektuale dhe as politike. E vetmja "meritë" e tij është serviliteti, i tillë ka ngelur, mjeran i dëshpëruar që fyen diamantin pse shkëlqen”, thotë Mehmeti.

Vjosa ka të drejtë të padis z.Hyseni, nuk besoj se e bën, siç thoshte dr.Rugova, “të këqijtë duhet izoluar, jo të merremi me ta”. Skenda, i tillë është, kërkon vëmendje duke u marr me presidenten Vjosa Osmani, dështaku i politikës dhe argati i “Prontos”, ende apo e kupton se nga 14 shkurti ka vdekur politikisht bashkë me regjimin 20 vjeçar”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat