Gjykatësit, prokurorët, policët e UDB-së, nuk duhet lejuar të kthehen në punë!/ Juristët tregojnë si të veprohet!

Politika

Gjykatësit, prokurorët, policët e UDB-së, nuk duhet lejuar të kthehen në punë!/ Juristët tregojnë si të veprohet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 nëntor 2022 Në ora: 11:59
Policët nga komuniteti serb, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës

Javë më parë, pjesëtarë të komunitetit serb, u larguan nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës dhe nga Policia.

Këto dorëheqje, erdhën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat, por zgjedhjet në veri do të mbahen.

Kësisoj, ky po vlerësohet si një shans për t’i spastruar institucionet nga prezenca e njerëzve-agjentëve të BIA-s serbe.

Kujtojmë se, nga posti i deputetit është larguar edhe serbi Branislav Nikoliq, i verifikuar si agjent i BIA-s pasi u zëvendësuan deputetët e Listës serbe, pas braktisjes së Kuvendit.

Mirëpo, si mund të spastrohen nga agjentët serb, si në Kuvend, edhe institucionet tjera, si në gjykatë, prokurori dhe polici, që i braktisën institucionet e Kosovës!?

Për këtë çështje për gazetën “Bota sot” folën njohësit e çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi dhe Blerim Burjani.

Kelmendi: Punësimi realizohet vetëm me konkurs

Image
Muhamet Kelmendi

Fillimisht, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” thotë se juridikisht të lartpërmendurit nuk mund të rikthehen automatikisht në punë.

Ai thotë se pushteti duhet të hap vende të reja të punës. “Ikja me vullnet dhe pa revokim nga institucionet e Republikës së Kosovës është akt i parevokueshëm. Juridikisht nuk bënë të njëjtit që në mënyrë automatike të rikthehen në punë. Pushteti kërkohet që për vendet e punës, të paraqesë konkurs dhe aty konkurrohet për punësim. Kushtet e konkursit janë shumë të qarta. Ata që nuk e pranojnë Republikën e Kosovës ose janë në shërbim të ndonjë shteti jashtë Kosovës, nuk pranohen”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Kelmendi përmendi edhe dënimet që mund të pasojnë në rast se vërtetohet se individë të caktuar punojnë për Serbinë.

“Në fakt, ata që punojnë për ndonjë shtet, sikurse për Serbinë, arrestohen për vepër penale të tradhtisë dhe vendos gjykata mbi bazën e veprave të dënueshme, sipas neneve 120 - 125 të Kodit Penal të Kosovës. Dënimi shkon deri në 25 vite burg.

Këtij sanksionimi i nënshtrohen edhe të punësuarit tjerë, jo vetëm ata serbë, por edhe shqiptarët dhe të çdo komuniteti tjetër në Republikë.

Normat ligjore janë të qarta dhe askush sipas ligjit nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale”, theksori juristi.

Ndër të tjera, ai ritheksoi se normat juridike nuk lejojnë rikthimin në punë pa konkurs të të dorëhequrve, nëse veprohet ndryshe, me ndonjë marrëveshje, është veprim antiligjor dhe i dënueshëm.

“’Tash është situata e hapur. Pushteti kërkon me konkurs që çdo konkurrent ta pranojë Republikën e Kosovës. Me konkurs kërkohet gjithashtu që çdo subjekt të ketë të kaluar të pastër, pa ndonjë vepër, që e ngarkon me vepër penale të ndaluar. Natyrisht se pa kualifikim adekuat nuk punësohen.

Shembull: Deputetë, kryetarët e komunave veriore, gjyqtarët, prokurorët dhe policët e dorëhequr mund të konkurrojnë, si çdo konkurrent tjetër. Edhe ata i nënshtrohen kushteve të konkursit. Pa këtë, nuk mund të pranohet askush në punë. Nëse veprohet ndryshe, me ndonjë marrëveshje, është veprim antiligjor dhe i dënueshëm. Normat juridike nuk lejojnë rikthimin në punë pa konkurs të të dorëhequrve”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Serbia luan me fatin e serbëve të Kosovës pa ndalur

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, edhe juristi Blerim Burjani kërkoi të hapen vende të lira për gjyqtarë dhe prokurorë. “Duhet të shpallen vende të lira të punës për gjyqtarë dhe prokurorë, administrator tjerë, të cilët kanë ndërprerë kontratat e punës, kjo është e mundshme, dhe kjo duhet të ndodhë”, thotë ai.

Sipas Burjanit, Beogradi po i manipulon serbët në veri dhe kjo gjë është e papranueshme sipas tij. “Është për të ardhur keq që Beogradi po manipulon me serbët, të cilët po ballafaqohen me dhunën politike që e ushtron Vuçiqi. Ose duhet të pranojnë ose i akuzojnë dhe i ndëshkojnë, si me automjetet që u janë djegur. Pra, kjo politikë e dhunshme e Beogradit është e papranueshme”, nënvizoi juristi.

Në fund, Serbia luan me fatin e serbëve të Kosovës pa ndalur, dhe derisa këta të fundi të vendosin për fatin e vetë nuk do të ketë paqe në këtë pjesë të vendit.

"Pa vendosur vetë serbët e Kosovës, nuk do të ketë qetësi dhe demokraci në komunat ku jetojnë serbët. Pra, ndërtimi i iluzioneve, grackat politike e të tjera, i dëmtojnë serbët dhe këto lojëra s’kanë kufij qe 23 vjet. Serbia luan me fatin e serbëve të Kosovës pa ndalur, tash ata e dinë si Serbi pse e bëjnë këtë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat