Samiti i BE-së në Tiranë, analisti “zbulon” arsyet e mos shkuarjes së Vuçiqit: Ja nga kush rrezikohen shqiptarët

Politika

Samiti i BE-së në Tiranë, analisti “zbulon” arsyet e mos shkuarjes së Vuçiqit: Ja nga kush rrezikohen shqiptarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 10:12
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq

Tirana do të jetë mikpritëse e samitit të radhës mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Me 6 dhjetor në kryeqytetin shqiptar, do të zbresin për pjesëmarrje, liderët e shteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës si dhe vendi nikoqir, Shqipëria.

E anulimin e pjesëmarrjes e kishte konfirmuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ky vendim i Vuçiç vjen për shkak emërimit të Nenad Rashiç si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Vuçiç ka akuzuar Kosovën se ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, ndërsa ‘Blic’ shkruan se ai nuk do të marrë pjesë në samit sepse sipas Presidencës serbe, BE nuk ka reaguar ashpër pas emërimit të Nenad Rashiç si ministër.

Vuçiq e vlerësoi emërimin e Rashiqit si “të turpshëm” dhe se është “fjala më e butë që mund të përdoret”.

“Ai njeri (Rashiq) fitoi më pak se një për qind në zgjedhje, sikurse edhe Rada Trajkoviq, e cila ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova. Nuk jam i sigurt se nesër do të ketë të ketë bisedime me komisionerin evropian”, tha Vuçiq.

Ai tha se është parë qëndrimi anti-serb i BE-së.

Analistët politikë deklaratat e presidentit serb i quajnë përpjekje për aktrim.

Leon Duhanaj, analist politik ka thënë për “Bota sot”, se Vuçiq vazhdimisht paraqitet për këso filmash, vetëm e vetëm që ta luajë të ofenduarin.

Sipas tij këto deklarata e dëshmojnë destruktivitetin e tyre në proceset integruese.

“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Vuçiq, nuk janë gjë tjetër por përpjekje për aktrim. Ai vazhdimisht paraqitet me këso filmash vetëm e vetëm, që ta luajë të ofenduarin. Deklaratat kontroverse herë se nuk do merr pjesë e herë po, veç sa e dëshmojnë destruktivitetin e tyre në proceset integruese”, ka deklaruar Duhanaj.

Ai proceset e samitet i quan të njëjta dhe se dallojnë vetëm nga emërtimet.

“Kur flasim për "Ballkanin e hapur”, procesin e Berlinit, apo mini Shengenin, mendoj që duhet ta kuptojmë njëherë e mirë që në vija të trasha flasim për të njëjtën gjë. Krejt çfarë dallojnë këto emërtime është protagonizmi politik regjional, dikush pro, e dikush kundër, veç për inate të njëri tjetrit. Të gjitha pikat apo marrëveshjet që duhet nënshkruar në çdo njërin nga këto procese, janë të koordinuara dhe të integruara në kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar analisti.

Image
Leon Duhanaj, analist politik

Shqiptarët nuk rrezikohet nga asnjë proces integrues i cili çon drejt BE-së, sipas Duhanajt, po rrezikohen nga nihilizmi, nga smira dhe inatet ndaj njëri-tjetrit.

“Në këtë kontekst, për mendimin tim, shqiptarët do të duhej menduar se a duan në të ardhmen me ekzistuar në BE, duke qenë pjesë e një platforme të përbashkët, apo duke sabotuar njëri-tjetrin. Ne nuk rrezikohemi nga asnjë proces integrues i cili çon drejt BE-së, por rrezikohemi nga nihilizmi, nga smira dhe inatet që kemi mes njëri-tjetrin dhe, që për fat të keq, po na kthejnë mbrapa në procese. Sepse për politikanët tanë është me rëndësi dukja e jo përmbajtja. Protagonizmi i sëmurë individualist, i cili nuk duhet të ketë vend në një shoqëri të emancipuar dhe demokratike”, ka shtuar Duhanaj.

Mbajtja e samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor, u njoftua në fund të punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, mbajtur në fillim të nëntorit në kryeqytetin gjerman.

Ndërsa, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka dhënë sqarime rreth temave që do të diskutohen.

“Kur bëhet fjalë për samitin mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, pritshmëritë janë të shumëfishta”, deklarojnë nga ky Këshill.

“Nga perspektiva e BE-së, temat janë agjenda gjelbër për Ballkanin Perëndimor, siguria e energjisë dhe ushqimit, të rinjtë, e deri te luftimi i dezinformimit dhe kërcënimet kibernetike”.

Sidoqoftë, ndër temat e tjera në këtë samit, sipas sqarimit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, e që nuk duket të jetë më pak e rëndësishme, është përshpejtimi i zbatimit të planit të veprimit të përbashkët rajonal.

“Shpresojmë të shohim fillimin e procesit të uljes së tarifave të roamingut midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, deklarojnë nga ky Këshill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat