“Kukull, ushtar e shërbëtor i Vuçiqit”! “Ose Rama, ose gjithë shqiptarët nuk janë në rregull”

Politika

“Kukull, ushtar e shërbëtor i Vuçiqit”! “Ose Rama, ose gjithë shqiptarët nuk janë në rregull”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 dhjetor 2022 Në ora: 11:17
Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama

27 liderë evropianë do të marrin pjesë në Tiranë në samitin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, i cili fillon të martën.

Në mesin e vendeve pjesëmarrëse, do të jenë liderët Ballkani perëndimor, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina si dhe vendi nikoqir, Shqipëria.

Kur presidenti i Serbisë, refuzoi fillimisht pjesëmarrjen në samit, pavarësisht deklaratave fyese e poshtëruese që lëshoi për shqiptarët, kryeministrin Kurti, Edi Rama u ngut ta shpallte çështje emergjente për Serbinë.

Në një bashkëbisedim me gazetarë dhe qytetarë në Facebook, Rama tha se e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë.

“Nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda ose jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në Samit, iu a them këtë me bindje. E kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për vetën e vet natyrisht”, është shprehur Rama.

Vuçiqi të hënën vendosi përfundimisht që t’i bashkohet samitit në Tiranë, pa kërkuar falje.

Analistët politikë kanë kritikuar këmbënguljen e Ramës për pjesëmarrjen e Vuçiqit, gjersa kanë shtuar se ai ka harruar dhimbjen që u ka shkaktuar Serbia shqiptarëve nga Kosova.

Ata e quajnë Ramën kukull të Vuçiqit dhe fatkeqësi kombëtare të vendit.

Analisti politik në Shqipëri, Rexhep Shahu, e konsideron marrëzi këmbënguljen e Ramës që të investojë për Serbinë.

Sipas tij, dashuria e Ramës ndaj Serbisë dhe Vuçiqit është një karshillëk i rëndë fyes kundër Kosovës, viktimave shqiptare të Serbisë dhe të vetë Vuçiqit.

“Edi Rama po këmbëngul në marrëzinë e vet, kështu po e quaj unë këmbënguljen e Ramës, që të investohet për Serbinë, demokratizimin e saj, përmirësimin e imazhit të saj dhe të presidentit serb Vuçiq, duke anashkaluar, shpërfillë e nënvlerësuar Kosovën, duke harruar me dashje se dashuria e tij ndaj Serbisë dhe Vuçiqit është një karshillëk i rëndë fyes kundër Kosovës, viktimave shqiptare të Serbisë dhe të vetë Vuçiqit. Kosovës dhe gjithë shqiptarëve u dhemb plaga që ua ka shkaktuar Serbia, Edi Rama nuk e ndjen dhimbjen e plagëve të shqiptarëve që ua ka shkaktuar Serbia dhe miku e jarani i tij presidenti Vuçiq që para ca ditësh, (në histori, vitet janë ditë e orë) egërsisht deklaronte dhe bënte siç deklaronte, që për një serb vrasim 100 shqiptarë, a boshnjakë, a kroatë, a sllovenë, pra jo serbë”, pohoi Shahu.

Kosovës ende i kullojnë plagët, ende kërkojnë trupat e të pagjeturve nga Serbia, ka shtuar Shahu, ndërsa Rama puthet e përjarget me Vuçiqin.

“Kosovës ende i kullojnë plagët, ende kërkojnë nënat trupat e bijve, burrat trupat e grave, fëmijët kufomat e prindërve të masakruar nga Serbia nën udhëheqjen e Vuçiqit dhe Rama, puthet e përjarget me Vuçiqin, sikur Vuçiqi të ishte shpëtimtari i Kosovës. Ose Rama, ose gjithë shqiptarët nuk janë në rregull nga mentë e kresë. Ramës i është mbushur mendja dhe beson verbërisht se është i dijshëm, patriot, kozmopolit, lider botëror, ndërsa shqiptarëve përditë e më shumë po u mbushet mendja që janë mashtruar prej Ramës, prej bojërave e lojërave të tij, pasi është treguar një mashtrues profesionist”, thotë Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai presidentin shqiptar e quan kukull të Vuçiqit, një ushtar të rëndomtë të tij dhe shërbëtor të serbëve.

“Rama sikur e duartroket Vuçiqin kur kërcënon Kosovën, veriun e saj, shqiptarët. Rama shpesh të le përshtypjen se është një kukull, që e kurdis dhe luan me të Vuçiqi, duket si një ushtar i rëndomtë i Vuçiqit, si një shërbëtor i serbëve. Gati gati ishte dakord që të mos mbahet samiti i Tiranës, po të mos merrte pjesë Vuçiqi. Rama duket se është fatkeqësia e rëndë e radhës për shqiptarët që kanë pasur fatin e keq të kenë shpesh në histori udhëheqës jo patriot”, thotë Shahu.

Tirana tashmë është përgatitur për mikpritjen e Samitit, madje është vendosur ditë e lirë për shkollat dhe punëtorët e shtetit.

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, këmbënguljen e Ramës për pjesëmarrje të Vuçiqit, e quan fatkeqësi kombëtare.

Ai madje e quan Ramën mik të vjetër të bandës antishqiptare jugosllave që UDB-ja e ka sjellë në Shqipëri.

“Çështja e Edi Ramës është fatkeqësi kombëtare e shqiptarëve, të cilët me gjasë i ka zënë mallkimi, sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet dënimi që, ky person po ua bën, duke e tjetërsuar në thellësi qenien shqiptare, ndërsa shqiptarët sillen sikur dele, edhe ata në Shqipëri edhe ne në Kosovë, që rrimë duarkryq dhe e durojmë zullumin e tij të pakufishëm! Rama është miku i vjetër i bandës antishqiptare jugosllave që UDB-ja e ka aplikuar në Shqipëri nëpërmjet të Goran Bregoviqt, kryespiunit serbosllav që nëpërmjet kulturës ka depërtuar në sigurimet e vendeve fqinje dhe i ka krijuar bashkëpunëtorët e vet! Ndër ta më i rëndësishmi ka qenë Kristaq Rama, spiuni i dyfishtë: greko-serb, që është nga personalitete enciklopedike të Greqisë, sepse, ka merita historike për rrjetin e spiunazhit që vazhdon edhe sot!”, thotë Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Rama është djalë besnik që po e vazhdon misionin e të atit, sipas Zogajt, që nuk e fsheh miqësinë vëllazërore me Vuçiqin.

Kosova nuk duhet t’ia falë këtë tradhti Ramës dhe shqiptarët duhet ta ngrejnë zërin kundër tij, ka shtuar Zogaj.

“Edi Rama është djali besnik që po e vazhdon misionin e të atit, pa e fshehur miqësinë vëllazërore me Vuçiqin, të cilit nëse i vjen përdore, do t'ia kthente prapë nën protektorat Kosovën! Këtë po e bën. Vuçiq që po e quan Kosovën pjesë të Serbisë, ftohet për të marrë pjesë në samitin e Tiranës! Kjo është vepër e tradhtisë së lartë të Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë, por njëkohësisht është heroizëm atdhetar ndaj Serbisë, së cilës po i bën shërbesë të fuqishme diplomatike. Dhe krejt kjo e ka vetëm një shpjegim: Kosova nuk duhet t'ia fal kurrë këtë tradhti Edi Ramës. Shqiptarët patriotë të Shqipërisë e kanë për detyrë ta kuptojnë këtë vepër të ndyrë antikosovare dhe të ngrisin zërin kundër Ramës sepse e kanë detyrë të mbrojnë vëllezërit e tyre kosovarë, që pas shekujsh robërie janë të lirë dhe Shqipërinë e kanë atdheun e tyre!”, ka deklaruar Zogaj.

Janë 44 delegacione që do të formojnë Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ai do të mbahet duke filluar nga ora 10:00, samit ky i pari që do të zhvillohet në Tiranë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat