“Prapaskenat e Samitit dhe protestës opozitare”, analisti flet rreth qëllimit të Ramës

Politika

“Prapaskenat e Samitit dhe protestës opozitare”, analisti flet rreth qëllimit të Ramës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 dhjetor 2022 Në ora: 23:02
Pamje nga Samiti i BE-së

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana sot ka qenë nikoqir i Samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke filluar nga orët e mëngjesit, liderët evropianë kanë zbarkuar në Tiranë për këtë Samit, që sipas analistëve politikë nuk pati ndonjë produkt.

Në këtë samit u firmos marrëveshja e Roaming që parashikon uljen e tarifave të telefonisë celulare midis qytetarëve të BE-së dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja parashikon uljen e tarifave të roaming për telefonatat midis BE-së dhe Ballkanit duke filluar nga tetori 2023.

Përveç kësaj, pritet të ketë një angazhim të operatorëve telefonikë, që kostot e Roaming të pësojnë një ulje më të madhe midis viteve 2023 dhe 2027.

Analisti politik në Shqipëri, Afrim Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se Samiti BE- Ballkani Perëndimor përbën një zhvillim historik për Shqipërinë.

Sipas tij, në terma konkret nuk pati ndonjë produkt përveç roamingut, por samitet të tilla, nuk janë forume ekonomike, janë forume ku merren vendime politike dhe jepen mesazhe politike.

“Samit BE – Ballkani Perëndimor mendoj se përbën një zhvillim historik për Shqipërinë, sepse Tirana e kaloi pozitivisht testin e organizimit dhe vetë Samiti përbën investim në imazh dhe prestigj të vendit. Lidhur me BP samiti përforcoi lidhjen me BE, fakt që merr rëndësi për shkak të zhvillimeve në Ukraine dhe përpjekjeve ruse e kineze për shtrirje më të madhe në rajon. Në terma konkret nuk pati ndonjë produkt përveç roaming, por samite të tilla nuk janë forume ekonomike, janë forume ku merren vendime politike dhe jepen mesazhe politike. Krye tema ishte përpjekja për të përcjellë mesazhin se BE është këtu, do jetë këtu dhe e ardhmja e rajonit do jetë në BE. Krahas kësaj deklarata e samitit përmendi edhe sëmundjet tona, krimin, korrupsionin, dobësinë e demokracisë funksionale dhe e shtetit të së drejtës, valët e emigrimit dhe projektet destruktive, të cilat duhet të jenë agjendë prioritare e Tiranës zyrtare dhe çdo kryeqyteti ballkanik”, deklaron Krasniqi.

Pak orë pas fillimit të Samitit, filloi protesta e opozitës, protestë kjo që në fillim të saj u sulmua lideri i PD-së, Sali Berisha.

Ndaj sulmit të Berishës, ka reaguar kryeministri Rama, presidenti Begaj, kurse analisti politik thotë se opozita u ndje e pa përfaqësuar dhe e frikësuar se Rama mund ta përdorë samitin për agjendën e vet elektorale, gjë që ndodhi.

Sipas tij, protesta e opozitës nuk ishte kundër BE-së, por pro BE.

“ Lidhur me opozitën, ajo u ndje e pa përfaqësuar dhe e frikësuar se Rama mund ta përdor samitin për agjendën e vet elektorale, gjë që ndodhi. Për pasojë ajo zgjodhi të bëjë protestë, të çuditshme dhe mendoj edhe të panevojshme. E çuditshme sepse nuk ishte protestë kundër BE, por pro BE, pra garë me qeverinë se cila nga palët e do më shumë BE-në dhe e panevojshme sepse nuk zgjidhi asgjë, përkundrazi tregoi se elitat tona në qeveri e opozitë janë ende të paafta të kenë qasje strategjike lidhur me prioritetet dhe agjendën shtetërore e kombëtare, të paafta të zgjidhin problemet dhe të paqarta për perspektivën”, pohoi Krasniqi.

Mediet në Shqipëri kanë raportuar se mund të ketë një takim në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi.

Duke folur rreth një takim të mundshëm, analisti Krasniqi thotë se bisedimet kërkojnë mjedis tjetër, më shumë kohë, më shumë qetësi dhe prezencë ekzekutive.

“Samiti nuk ishte vendtakimi dhe negociimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Bisedimet kërkojnë mjedis tjetër, më shumë kohë, më shumë qetësi dhe prezencë ekzekutive, pra edhe kryeministrin Kurti. Samiti në deklaratë e ritheksoi pozicionin dhe qëndrimin e qartë perëndimor ndaj Kosovës, lidhur me lëvizjen e lirë, integrimin dhe bisedimet, por nuk hyri në detaje”, shtoi Krasniqi.

Në Samitin e mbajtur në Tiranë, mori pjesë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili fillimisht ishte shprehur që nuk do të shkonte.

Rama i ofroi pritje “të ngrohtë” Vuçiqit, duke shkëmbyer shtrëngime duarsh e përqafime.

Analisti Krasniqi, duke komentuar pritjen e Ramës thotë se kjo është pjesë e detyrës së drejtuesve të shteteve.

Por, shqetësimi i tij mbetet përpjekja e Ramës për të fituar kredenciale personale tej rajonit ndonjëherë duke anashkaluar institucionet e Kosovës dhe interesat politike të saj, ose duke mos përfaqësuar si duhet interesat strategjike.

Sipas tij, me samit u përjashtua “Open Ballkan”.

“Krasniqi: Unë mendoj se Rama ka shumë elementë të kritikueshëm, por jo atë se takon liderit politikë të rajonit, përfshirë presidentin e Serbisë. Le të takohen, le të flasin, le të bëjnë foto, kjo është pjesë e detyrës së drejtuesve të shteteve. Shqetësimi im është se përpjekja e Ramës për të fituar kredenciale personale tej rajonit ndonjëherë bëhet duke anashkaluar institucionet e Kosovës dhe interesat politike të saj, ose duke mos përfaqësuar si duhet interesat strategjike të Shqipërisë. Detyra kushtetuese e kryeministrit të Shqipërisë është të përfaqësojë shtetin dhe interesat, ku bëjnë pjesë edhe detyrimet kushtetuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Samiti nuk ishte vendi për shfaqjen qartë të kësaj pozite, por një mesazh e përforcoi, Open Balkan u përjashtua nga deklarata dhe procesi i Berlinit u rikthye si nisma e vetme serioze dhe prioritare”, përfundoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat