Trysnia për Asociacionin/ Ja çfarë nuk duhet lejuar të bëhet kompromis!

Politika

Trysnia për Asociacionin/ Ja çfarë nuk duhet lejuar të bëhet kompromis!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 dhjetor 2022 Në ora: 12:01
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosovës tash e një kohë po i kërkohet të gjejë rrugë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas BE-së ky është një detyrim ndërkombëtar. Por, qeveria Kurti thotë, se nuk do të ketë asociacion një-etnik të komunave.

Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë, Serbi dhe në mesin e pranisë ndërkombëtare e ndërlidhur ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi.

Kosova në vitin 2013 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike.

Mirëpo a cila është zgjidhja politike nën trysninë e rritur për Asociacionin?

Kuçi: Pakoja e Ahtisarit ka ofruar shumë benifite për serbët në Kosovë

Image
Gurakuç Kuçi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Gurakuç Kuçi, doktor në marrëdhëni ndërkombëtare dhe histori e diplomaci.

Ai u shpreh se Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare, por që mund t’i jepet ndonjë kompetencë jo-ekzekutive, por e afërt me një afat 5 vjeçar, por nuk duhet të ketë një status të veçantë dhe ide të tillë përkrahë edhe SHBA-ja.

“Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare që të bëhet sipas ligjeve të Kosovës dhe potencialisht mund t’i jepet ndonjë kompetencë jo-ekzekutive, por e afërt me një afat 5 vjeçar, por nuk duhet të ketë një status të veçantë dhe ide të tillë përkrah edhe SHBA-ja.

Kosova nuk ka një ligj për referendum, rrjedhimisht nuk mund të mbahet referendum në Kosovë, mirëpo kjo mund të bëhet vetëm nëse institucionet e krijojnë një ligj, por shtetet për të bërë negociata dhe paqe me shtetet tjera zakonisht kanë institucionet e tyre të zgjedhura.

Pra, nuk mund të bëhet një asociacion nëse nuk ka një marrëveshje përfundimtare sepse nëse kjo bëhet më herët, atëherë në marrëveshjen përfundimtare Serbia mund të kërkojë më shumë, deri në shkëputjen e tërësishme të veriut të Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, ai thekson që Qeveria aktuale ka një qasje të ndryshme prej qeverive të kaluara dhe kjo dëshmon që po mbrohen kufijtë e vendit.

“Zakonisht referendumet në nivel kombëtar mbahen për çështje statutare dhe statuti i Kosovës nuk është në bisedimi por është vetëm e ardhmja fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një prej arsyeve përse populli ka votuar mbi 50% LVV-në ka qenë qasja e kaluar e subjekteve që ishin në pushtet karshi marrëveshjeve me Serbinë. Shteti nuk guxon t’i lëshoj interesat e veta ekzistenciale në nivele partiake, sepse këto interesa duhet të mbrohen pa marrë parasysh kush është në pushtet. Andaj duhet të kihet shumë kujdes me veprime të tilla”, thotë ai.

Kuçi për Pakon e Ahtisarit thotë që ka ofruar shumë benifite për serbët në Kosovë, por fatkeqësisht politikanë në Kosovë kanë pranuar të shkohet edhe më shumë dhe tani askush nuk mund t’i kthejë prapa apetitet e Serbisë.

“Pakoja e Ahtisarit ka ofruar shumë benifite për serbët në Kosovë, por fatkeqësisht politikanë në Kosovë kanë pranuar të shkohet edhe më shumë dhe tani askush nuk mund t’i kthej prapa apetitet e Serbisë. Tani këto apetite duhet të frenohen gjithnjë me ndihmën e aleatëve dhe ligjeve të Kosovës. Por, të gjitha këto duhet të realizohen duke kërkuar të njëjtat gjëra edhe për shqiptarët në Serbi, ekskluzivisht për ata që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Do ishte mirë që në këtë Kosova ta kishte përkrahjen edhe të Shqipërisë, por qeveria e këtij të fundit ka zgjedhur neutralitetin pozitiv për Serbinë”, nënvizoi Kuçi për “Bota sot”.

Duhanaj: Të drejtat duhet të shkojnë deri aty ku nuk rrezikohet funksionimi normal i shtetit

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova nuk duhet bërë lëshime me Serbinë që e dëmton shtetin.

“Megjithatë mendoj, që të drejtat duhet të shkojnë deri aty ku nuk rrezikohet funksionimi normal i shtetit. Në këtë kontekst mendoj se, Asociacioni duhet të kornizohet qartë brenda vijave kushtetuese”, shton analisti.

“Për mendimin tim, Kosova duhet të ketë platformë të qartë. Ne kemi lëshuar pe mjaftueshëm dhe nuk besoj që duhet të lëvizim më tej. Vetë Kushtetuta e Kosovës e bazuar mbi planin Ahtisari është kompromis i madh. Nuk ka edhe një shembull në botë ku një shtet me shumicë absolute të shpallet shtet multi-kulti, ku minoritetet kanë me shumë të drejta se sa shumica. Kjo nuk do të thotë që unë jam kundër të drejtave të minoriteteve, përkundrazi mendoj që sa me shumë të kenë të drejta veç sa na bëjnë nderë, sepse nuk rrezikohemi nga minoritetet. Megjithatë mendoj, që të drejtat duhet të shkojnë deri aty ku nuk rrezikohet funksionimi normal i shtetit. Në këtë kontekst mendoj se, Asociacioni duhet të kornizohet qartë brenda vijave kushtetuese dhe nuk guxon të lejoj hapësirë keqinterpretimesh e manipulimesh”, thotë analisti.

Më tej, ai thekson që çdo Asociacion i krijuar ndryshe mund të cenojë rëndë integritetin shtetërorë të Kosovës dhe si i tillë nuk i shërben as Kosovës, as paqes.

“Pos kësaj, mendoj se Kosova duhet të pajtohet për një Asociacion, i cili nuk prek në frymën kushtetuese por themelimi i tij të shkoj në pako me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, sepse nuk mendoj që ne duhet ta formojmë si të tillë dhe prapë të ulemi në tavolinën e bisedimeve. Pra, asociacion po, por mbi bazën e frymës kushtetuese dhe në pako me marrëveshjen e përgjithshme. Ndryshe çdo Asociacion i krijuar ndryshe mund të cenojë rëndë integritetin shtetërorë të Kosovës dhe si i tillë nuk i shërben as Kosovës, as paqes. Ndryshe do të ishte me i mirë ndryshimi i kufijve dhe bashkimi me Shqipërinë se sa një zgjidhje e gabuar”, potencon ai.

Në fund analisti tha se Kosova duhet të jetë e vendosur për përgjegjësit e veta kushtetuese që ka dhe të bashkëpunoj nëse është nevoja, vetëm të mos dëmtohet vendi.

“Nuk mendoj që Kosova duhet të bëjë referendum mbi këto tema. Ne e kemi një qeveri me legjitimitet popullor. Kjo qeveri veç se duhet të tregohet edhe e aftë për t'u marrë me punët e shtetit, gjë që gjerë më tani nuk e ka dëshmuar. Nëse nuk janë të aftë, atëherë duhet të dorëzohen e jo ta dëmtojnë interesin shtetëror e nacional, vetëm e vetëm ta mbajnë pushtetin për shfryrje të egove. Kosova ka kuadro të mjaftueshme, të cilat dinë dhe duan ta mbrojnë interesin e saj në tavolinën e negocimit. Kërkohet vetëm mundësi për ta bërë një gjë të tillë. Në këtë kontekst do të thosha: Qeveria o të marrë përgjegjësitë e veta kushtetuese, o të kërkoj ndihmë e bashkëpunim të përgjithshëm, gjë që edhe do të ishte më i mirëseardhur”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat