Deputeti i VV-së tregon kush fshihet pas sulmeve në veri, kjo është thirrja për ndërkombëtarët

Politika

Deputeti i VV-së tregon kush fshihet pas sulmeve në veri, kjo është thirrja për ndërkombëtarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 dhjetor 2022 Në ora: 13:50
Policia e Kosovës

Zubin Potoku dhe Mitrovica e Veriut të martën kanë qenë cak i disa grupeve të qytetarëve serbë duke shkaktuar incidente, por pa pasoja në njerëz.

Incidentet vijnë pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarë të komunave, pra më 18 dhjetor.

Policia e Kosovës tha se "persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës", duke përdorur "mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav".

Ndaj këtyre incidenteve kanë reaguar edhe ambasadorët e Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje thotë se Serbia është e interesuar për sa më shumë tensione, sepse nuk duan të marrin pjesë në negociata.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se propozimi i BE-së i njohur si plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, andaj ata bëjnë përpjekje për ta eskaluar situatën.

“Serbia është palë destruktive në dialog. Ata tash janë të interesuar për sa më shumë tensione, sepse nuk duan të marrin pjesë në negociata. Propozimi i Bashkimit Evropian i njohur si Franko-gjerman është qartazi i papranueshëm për Serbinë dhe ata duan t'i evitojnë diskutimet lidhur me të. Andaj, tash e sa kohë janë në përpjekje të larta për ta eskaluar situatën në terren e ta pamundësojnë dialogun”, ka deklaruar Bajqinovci.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci

 

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës "duhet të jetë prioriteti më i lartë", dhe se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Ndërsa, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën në veri të vendit.

Wigemark ka shkruar në Twitter se është i shqetësuar me incidentet e djeshme në veri dhe se "çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur".

Ai ka shtuar se EULEX-i do të vazhdojë ta monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë postimin e Wigemarkut në Tëitter, dhe ka shkruar “vërtet shumë shqetësuese”, duke shtuar që ai mbështetë protestat paqësore, por duhet të ketë “zero tolerancë ndaj dhunës”.

Në anën tjetër, deputeti Bajqinovci ka kërkuar me patjetër mbështetjen e ndërkombëtarëve, duke thënë se roli i tyre në këtë proces është i domosdoshëm.

“Ndërkombëtarët patjetër që duhet t'i dënojnë aktet vandale e të dhunshme të strukturave ilegale që dirigjohen drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar. Andaj, është interes i përgjithshëm për stabilitet dhe paqe në rajon dhe për këtë nevojitet që Serbia të heqë dorë nga precedenti i dhunës që tash e sa kohë përdoret nga. Patjetër që mbështetja dhe roli i ndërkombëtarëve në këtë proces është i domosdoshëm”, ka pohuar Bajqinovci.

Kurse, Qeveria e Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë e shtyrerjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme që parashihen të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se po presin vlerësim të situatës në Veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtejmë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 18 dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat