T’i jepet fund diskriminimit pensional të shqiptarëve, favorizimit të mbështetësve të regjimit të Millosheviçit!

Politika

T’i jepet fund diskriminimit pensional të shqiptarëve, favorizimit të mbështetësve të regjimit të Millosheviçit!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 dhjetor 2022 Në ora: 08:03
Foto ilustrim-Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë është e kufizuar që nga UNMIK-u, nga viti 2004 e drejta për pensione, sipas së cilës mund të kenë të drejtë, të gjithë ata që dëshmojnë mbi 15 vjet përvojë pune.

Por, shqiptarët pas grevës së 3 shtatorit 1990, u dëbuan masivisht nga puna, nga institucionet shëndetësore, arsimore, kulturore, dhe veçanërisht nga fabrikat, ndërsa më vonë do të mbylleshin edhe shkollat e mesme dhe universiteti.

Kështu, që shqiptarët u privuan nga mundësia e punës normale, dhe të gjithë ata që refuzuan të jenë pjesë e sistemit okupues, u ndëshkuan, përveç se mbetën pa një punë, edhe ranë në varfëri, në shumë raste edhe ekstreme, dhe i përballuan të gjitha, për të mbijetuar “Shteti paralel”, që e krijuan shqiptarët, dhe që Kosova të çlirohej nga okupimi, dhe shqiptarët ta fitonin Pavarësinë.

Një përpjekje gati njëshekullore, prej kur shqiptarët kishin arritur ta krijonin Shqipërinë e pavarur, por duke mbetur shumica e shqiptarëve jashtë kufijve të saj, pasi disa nga superfuqitë kundërshtuan ta njihnin Shqipërinë në kufijtë etnik dhe as sipas territorit që u shpall i pavarur, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.

Ajo Rregullore e UNMIK-ut e vitit 2004, i dha mbështetje jo vetëm serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve që e mbështetën regjimin e Milosheviçit, por edhe atyre shqiptarëve të pakët që tradhtuan dhe e mbështetën atë regjim kriminal e gjenocidal.

Për dallim prej atyre që kanë punuar gjatë regjimit të Milosheviçit, të cilët përfitojnë pension, shqiptarët që e refuzuan me vetëmohim atë regjim, nuk marrin asnjë cent më shumë se sa përfituesit nga mosha e pleqërisë, nga 100 euro, edhe pse i kanë mbi 15 vjet përvojë pune, por pas çlirimit. Ata që kanë pasur rastin të punojnë në institucione dhe vende tjera, ku është paguar Trusti, e përfitojnë tërheqjen e atyre parave.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar nëpër komuna buxhetin prej më shumë se tre miliardë eurove për vitin e ardhshëm. Ai gjithashtu ka deklaruar se për vitin e ardhshëm janë paraparë 610 milionë euro për skema pensionale.

Ndërkohë, nismës së iniciuar për debat nga ne, në një mënyrë i është bashkuar të enjten, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, i cili në një konferencë për medie ka kërkuar që me ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të ndryshohet kushtëzimi ekzistues i përvojës së punës prej 15 vjetësh para vitit 1999.

Si duhet të ndryshojë kjo qasje?

“Bota sot” ka biseduar të martën me juristë, të cilët mbështesin ndryshimin e këtij ligji diskriminues, dhe vlerësojnë se Kosovës i duhet reforma në skemën pensionale.

Kelmendi: Sistemi pensionalo-invalidor do reformë të gjerë në Kosovë

Juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim për “Bota sot” thotë se, Kosovës i duhet një reformë dhe ajo kërkohet të bëhet në disa drejtime.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosovës i duhet një reformë e përgjithshme në sistemin e sigurimit pensional dhe të atij social.

Reforma kërkohet të bëhet në disa drejtime.

1. Kërkohet reformimi i sistemit pensional i pleqërisë nga marrëdhënia e punës.

2. Rregullimi juridik i pensionit invalidor.

3. Reformë e veçantë e sigurimit pensional të familjes dhe

4. Reformë e veçantë në fushën e sigurimit social.

Format e rregullimit të deritashëm janë intervenime mbi baza jo profesionale të sigurimit pensional.

Shembull.

Është caktuar në pension të pleqërisë nga puna e njerëzve që kanë punuar në kohën e pushtimit, deri në vitin 1999, kur kanë paguar sigurimet në Serbi, që i ka marrë shteti serb, në organe të ndryshme të shtetit serbo-jugosllav, ndërsa është refuzuar në stazh koha e kaluar jashtë punës, pse është dëbuar nga puna me dhunë ose pse e ka kundërshtuar pushtimin serb. Kjo është thjesht e pakapshme dhe tepër ofenduese për veprimtarët e shumtë të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar”, thotë juristi.

Sipas tij, ata që kanë mbetur pa pension janë të shumtë, por vetëm pse kanë kundërshtuar pushtimin e ashpër serb dhe këtej kanë mbetur pa pension.

Ajo që duhet sqaruar është fakti se këtë nuk e ka bërë vetëm UNMIK-u, por qeveria e Isa Mustafës dhe e Hashim Thaçit, në vitin 2016. Por, kjo pak ka rëndësi, për faktin se shumë kanë mbetur pa pension, mu pse e kanë kundërshtuar pushtimin e ashpër serb dhe këtej kanë mbetur pa pension edhe shumë atdhetar që kanë punuar për çlirimin e vendit. E në anën tjetër, janë pensionuar ata që kanë qenë të dëgjueshëm të pushtetit dhe që fare nuk kanë punuar për çlirimin e Kosovës.

Gjithashtu, është edhe fakti tjetër, se çka të bëhet me Trust?

Reforma e sigurimit pensionalo-invalidor kërkon një përfshirje të të gjitha mënyrave aktuale të pensionit në një reformë unike.

Përjashtim bënë vetëm pensioni për veteran, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve. Ndërsa, kërkohet një reformë e re e tërësishme, duke u krijuar kushte për jetë shfrytëzueseve të këtyre të drejtave. Akuza se ka shumë veteranë nuk e pengon këtë reformë.

Shërimi i kësaj bëhet vetëm nga ana e gjykatës. Janë çështje të realizuara me ligj dhe asnjë reformë me ligj nuk mund ta anulojë të drejtën e realizuar. Atë e bënë vetëm gjykata me aktgjykim. Fusha e sigurimit pensionalo-invalidor është e gjerë. Kërkon kuadro profesional për ta rregulluar”, deklaron Kelmendi.

Burjani: Skemat pensionale duhet të reformohen

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot” thotë se skema pensionale duhet të reformohet dhe që kjo të ndryshojë duhet të bëhet me kusht që shteti të rimbursojë personat që nuk kanë përvojë pune.

Image
Blerim Burjani

Skemat pensionale duhet të reformohen, duhet të kthehet skema, gjenerata paguan gjeneratën. Kjo skemë aktuale është e dëmshme për pensionistët apo ata që dalin në pension, ky ligj që përmendni ju mund të ndryshohet, vetëm me një kusht, nëse shteti kompenson ose rimburëson personat që nuk kanë përvojë pune, pra nuk është vetëm me thënë me ndryshua dhe zgjidhet problemi, por duhet të kompensoj shteti pensionet. Stazhi nuk mund të blihet bazuar në ligjet në fuqi, nëse blihet stazhi ka gjasa me u rregulluar, por këtë se lejon ligji për pensione, po të kishte vullnet të mirë ky sistem duhet të ndryshohet”, shpjegon juristi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat