Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, porosi nga SHBA: Ja çka duhet të bëjë Kosova

Politika

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, porosi nga SHBA: Ja çka duhet të bëjë Kosova

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 dhjetor 2022 Në ora: 10:35
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, tregojnë për mediat aplikimin e nënshkruar të Kosovës për anëtarësim në BE. Prishtinë, 14 dhjetor 2022.

Krerët e shtetit zgjodhën 14 dhjetorin për ta nënshkruar dokumentin me të cilin Kosova synon t’i hapë dyert e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një ditë më pas Kurti udhëtoi drejt Pragës për t’ia dorëzuar presidencës çeke të BE’së dosjen. Për këtë hap u kritikua, pasi adresë më e saktë do të ishte Brukseli ku dje ishin edhe shefat e BE’së që i dhanë statusin e kandidatit Bosnjës e Hercegovinës. Por, liderët e 27 vendeve që e patën në agjendë Ballkanin Perëndimor, nuk “mbajtën shënim” për aplikimin e Kosovës.

14 dhjetori ka qenë dita kur krerët e shtetit kanë nënshkruar dokumentin me të cilin Kosova synon t’i hap dyert e anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati udhëtuar të nesërmen drejt Pragës për t’ia dorëzuar presidencës çeke të BE-së dosjen.

Hapin e ndërmarrë ata e cilësuan si historik, ndërsa, shumë vende evropiane dolën në mbështetje të kësaj iniciative, ndër të parët që dhanë mbështetje ishte Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Finlanda e Estonia.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, veprimin e Kosovës e quan gjest të rëndësishëm që pasqyron ambiciet reale të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga Kosova që ta bind BE-në se do të jetë më mirë me Kosovën sesa pa të.

“Është një gjest i rëndësishëm simbolik që pasqyron ambiciet reale të qytetarëve të Kosovës. Mbështetja për Kosovën do të varet nga dy gjëra: Prishtina të iniciojë reformat e nevojshme dhe t'i bindë shtetet aktuale anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ato që nuk e njohin, se BE-ja do të jetë më mirë me Kosovën sesa pa të. Këto janë porosi të larta”, ka deklaruar Serwer.

Image
Daniel Serwer

Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë, pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Dhe nuk janë vetëm pesë shtetet mos njohëse – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që kanë mospajtimet e tyre. Vetë Bashkimi Evropian, si tërësi, nuk e njeh Kosovën si shtet sovran për shkak të pesëshes.

Vlerësimin e Kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, eksperti amerikan e lidh me reformat dhe diplomacinë brenda BE-së.

“Nuk më takon mua të vlerësoj qeverisjen e tyre. Këtë do ta bëjnë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Por, dy gjërat që sapo përmenda do të jenë faktorë të rëndësishëm në atë vlerësim: reformat dhe diplomacia brenda BE-së”, ka përfunduar Serwer.

Pasi Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian këtë verë, dhe pas vendimit të njëjtë që është marrë për Bosnje-Hercegovinën ditë më parë, Kosova pati mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa aplikim zyrtar për anëtarësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat