“Vuçiq e mori mesazhin e ndërkombëtarëve për Kosovën, Serbia në udhëkryq”, Bytyçi: Kjo është frika e Perëndimit!

Politika

“Vuçiq e mori mesazhin e ndërkombëtarëve për Kosovën, Serbia në udhëkryq”, Bytyçi: Kjo është frika e Perëndimit!

Nga: A.Zh Më: 3 janar 2023 Në ora: 15:37
Përgatitja për heqjen e barrikadës te vendi i njohur si "Shkëmbi i Dudës".

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi, ka thënë se ndërkombëtarët e kanë parë se shkaktari kryesor i krizës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë, është Aleksandar Vuçiq. Ai për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se edhe pse diplomatët e huaj u sollën mirë me Vuçiqin, ata e kanë vënë re se presidenti serb po i vë zjarrin Ballkanit, njëjtë si Slloboban Millosheviqi.

“Kriza dhe konflikti në veri të Kosovës prej një muaji, edhe para ngritjes së barrikadave, ka qartësuar shumë gjëra. Edhe pse shumë diplomatë dhe politikanë ndërkombëtarë u sollën me xhentilencë ndaj Aleksandër Vuçiqit, jam i sigurt se ata kanë vënë re që shkaktari kryesor dhe i vetëm i kësaj krize e këtij konflikti është presidenti i Serbisë. Shpresoj të kenë mësuar edhe shkaqet pse Vuçiq është zjarrvënësi i Ballkanit në stilin e Milosheviqit”, është shprehur Bytyçi.

Vuçiq jo rrallë është atakuar nga ndërkombëtarët se po bën lojë me dy karrige, mes Moskës dhe Bashkimit Evropian dhe Perëndimit. Kështu ka vlerësuar edhe profesori, i cili ka analizuar se si Serbia gjendet në udhëkryq.

Image
Enver Bytyçi

“Përfundimisht kjo krizë ka bërë të qartë se Serbia është në një udhëkryq. Nga njëra anë, ajo nuk shkëputet dot nga rrënjët e saj, Rusia dhe dashuria për ta parë atë sunduese të Ballkanit. Nga ana tjetër, e josh disi integrimi në strukturat euro-atlantike. Pra, në Beograd edhe janë xhelozë për kombet e tjera të rajonit, që nuk kanë asnjë dilemë për aleancat perëndimore. Edhe duan të mbajnë lidhje të ngushta strategjike me Moskën. Si i thonë fjalës “Edhe te nëna te jem, edhe burrin ta kem”!”, ka potencuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Vuçiq, teksa ka quajtur “fitore të vogël diplomatike” të Serbisë heqjen e barrikadave në veri, ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë të luftojë për Kosovën edhe në takimin me fuqitë e mëdha, që sipas tij, do të mbahet në janar.

“Në gjysmën e parë të janarit, pres që njerëzit e mëdhenj nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje", ka thënë Vuçiq. Sipas profesorit, Vuçiq e ka marrë sinjalin e presionit ndërkombëtarë, prandaj nuk do të pranojë asnjë zgjidhje, përveç ndarjes së Kosovës.

“Presidenti i Serbisë bën kësisoj lojë të dyfishtë dhe kur dikush bën lojë të tillë, të panjohurat janë të mëdha. Pra, ka shumë shanse që nëse situata del jashtë kontrollit, atëherë drama tejkalon edhe parashikimet e Nostradamusit. Pikërisht, kjo është frika e Perëndimit. Prandaj dhe ata mesa shihet kanë paralajmëruar rritjen e veprimeve diplomatike për të bërë presion, që ta mbyllin konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë.

Unë mendoj se Vuçiq e ka marrë sinjalin e këtij presioni. Prandaj, edhe ai jep një mesazh, sipas të cilit ai “nuk do të dorëzohet”! Pra, nuk do ta dorëzojë Kosovën. Ose nuk do të pranojë asnjë zgjidhje, përveç ndarjes së Kosovës përmes ndryshimit të kufijve”, ka vlerësuar analisti.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që sërish të ketë barrikada, pasi sipas tij, SHBA-të dhe BE-ja mund të detyrohen të pranojnë kërkesën e Beogradit për aneksimin e veriut të Mitrovicës.

“Vuçiq po bën presion. Jo aq ndaj qeverisë, institucioneve dhe vetë Kosovës, sa ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ajo që ndodhi këto javë mund të përsëritet sërishmi me këtë synim, që të detyrohen SHBA-të dhe BE të pranojnë kërkesën e Beogradit për aneksimin e veriut të Mitrovicës, pra, që të aneksojë pasuritë e Kosovës dhe Ujmanin për ta lënë atë në një shkretëtirë”, ka theksuar Enver Bytyçi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat