Mesazhi nga Escobar, si duhet ta kuptojë Albin Kurti porosinë nga SHBA?

Politika

Mesazhi nga Escobar, si duhet ta kuptojë Albin Kurti porosinë nga SHBA?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 24 janar 2023 Në ora: 21:05
Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Sipas të dërguarit të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nuk mund ta shmangë detyrimin ligjor ndërkombëtar që ka Kosova, teksa ka folur lidhur me refuzimin e formimit të Asociacionit të Komunave serbe nga kryeministri Kurti.

"Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë", ka thënë Gabriel Escobar.

“Albini, as Vjosa nuk janë peng i dosjeve në Beograd”

E lidhur me paralajmërimin që Escobar e ka dhënë për kryeministrin Kurti, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

Gabriel Eskobar është i ngarkuar i presidentit amerikan. Biden. Për Ballkanin. Por ai vepron dhe punon nën ombrellën e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Pra, pse Biden e ka dekretuar si përfaqësues të tij, unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ai të ketë shkuar në zyrën e presidentit e të ketë raportuar për punën që i është ngarkuar. Kjo do të thotë se procesin e ndjek Blinken. Kjo do të thotë se ai ka ndikimet e veta personale dhe të shefit që e drejton praktikisht. Këto ndikime shkojnë përtej këtyre dyve, deri te George dhe Alex Soros. Ndryshe nuk është e çuditshme pse Aleksi gjendet në çdo samit të Open Balkan dhe në asnjë samit të Procesit të Berlinit”, shprehet Bytyçi, i cili aludon se Sorosit i është premtuar Trepça.

Image
Enver Bytyçi

Se çfarë kërkon një filantrop në këto samite, duhet të merret me mend: Ai ka interesat e tij financiare. E kam thënë se ndarja e Kosovës dhe asociacioni është interes i George Soros, se Vuçiq dhe Rama i kanë premtuar atij Trepçën. Nëse nuk u shkua menjëherë te ndarja, një gjë tjetër është shumë e sigurt: - Presidenti i Serbisë së sotme punon për të ngulur thonjtë në territorin e Kosovës. A e mbështet këtë synim të Beogradit zoti Escobar?! Unë besoj se në këmbim të ndryshimit të ekuilibrit të influencave në Serbi mund ta bëjë këtë. Plus interesi financiar i Sorosit dhe bëhen dy faktorë që e ndikojnë qëndrimin e Escobar dhe besoj edhe të Blinken”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se deklarata e përfaqësuesit amerikan ka pasaktësi dhe arrogancë të dukshme.

“Së pari, Albin Kurti nuk është kundër krijimit të një asociacioni, ku serbët të ndjehen mirë. Ai ka dy probleme me asociacionin: Së pari, që ky asociacion të paketohet në marrëveshjen finale për njohje. Dhe së dyti që ky asociacion të mos krijojë asnjë mundësi për krijimin e një Kosove jofunksionale nga pikëpamja institucionale. Të dyja këto qëndrime të kryeministrit të Kosovës kanë një synim: - Të parandalojnë përshkallëzimin e kërkesave ta zëmë pas pesë ose dhjetë vitesh, kur të vijë puna te njohja. Dhe nga të parandalojë klauzolat me të cilat i jepen të drejta Serbisë në Kosovë. Parimi është i qartë për Kurtin. Sa më shumë të drejta për serbët në Kosovë dhe asnjë e drejtë për Serbinë në Kosovë. Ky parim duhet të kërkohet me ngulm dhe të zbatohet patjetër. Escobar pikërisht në këtë pikë ose nuk është i qartë, ose mashtron me qasjen në deklaratën e tij”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Së dyti, marrëveshja ndërkombëtare e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa është marrëveshje e pasintetizuar në një traktat përfundimtar. Një marrëveshje përfundimtare, e cila nënshkruhet dhe garantohet nga faktori ndërkombëtar, është marrëveshje ndërkombëtare e detyrueshme për palët që e nënshkruajnë. Por edhe në këtë rast kemi dy standarde qëndrimesh. P.sh para tri-katër ditësh u njoftua se nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me targën MK, të lëshuara pas marrëveshjes së nëntorit të kaluar. Për këtë u fajësua përsëri Kurti, megjithëse marrëveshjen e ka shkelur Vuçiq. Është paradoks ky. Vuçiq tolerohet në kulm, Kurtit i thuhet se “Ti je një njeri, një palë dhe nuk mund ta bllokosh zbatimin e një marrëveshjeje”! Edhe në rastin e Ukrainës ishte presidenti Clinton që garantoi nënshkrimin e marrëveshjes për ç’atomizimin e saj. Por shih çfarë ndodhi? Ukraina e çatomizuar sot kërcënohet nga armët e veta, të cilat Clinton ia dha Jelcinit. Dhe pasardhësi i Jelcinit tani shantazhon jo vetëm Ukrainën, por edhe Evropën e botën! Jo çdo veprim amerikan është i drejtë. Duhet parë çdo gjë me rezerva e dyshim, sepse vetëm skepticizmi të çon te e vërteta”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Escobar ka një mision.

“Ai dhe Blinken munden që të insistojnë në një marrëveshje edhe të padrejtë midis Kosovës e Serbisë, sepse duan ta shesin si sukses në fushatën e ardhshme elektorale. Por koston e interesit politik të tyre e vuan Kosova. Gozhda e Nastradinit mbetet e ngulur në veri të Mitrovicës. Pse kryeministri i Kosovës, presidentja Osmani etj bëjnë kujdes në këtë pikë, ata nuk mund të shpallen heretikë. Në fund të fundit mbrojnë të drejtën e tyre, mbrojnë vendin e tyre, mbrojnë shtetin e tyre. Nuk është ky një krim i dënueshëm”.

Problemi është se as Albini, as Vjosa nuk janë peng i dosjeve në Beograd. Nuk janë të shantazhueshëm. Kjo e nervozon mesa duket zotin Gabriel Escobar. Ndaj ai hidhet në degën tjetër dhe thotë se ka edhe palë të tjera në Kosovë, të cilat janë të interesuara për formimin e asociacionit. Ka parasysh këtu ata që janë të lakueshëm e disa edhe të shantazhueshëm. Por drejtësia nuk funksionon kësisoj. Drejtësia, përfshirë dhe drejtësia amerikane, të cilën ne e konsiderojmë si etalonin e drejtësisë së sotme, nuk pranon të punohet më të shantazhuar. Duhet të punohet me liderë politikë të pa korruptueshëm. Mund të jenë të vështirë këta liderë, por së paku janë fer”, deklaron profesor Enver Bytyçi.

Presion i hapur ndaj Kosovës

Ndërsa studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi, për gazetën “Bota sot”, e quan presion të hapur ndaj kryeministrit deklaratën e emisarit Escobar.

Image
Seb Bytyçi

Në raste të tilla ndërmjetësimi presioni publik mbi njërën palë e dobëson pozicionin e asaj pale. Konkretisht, në rastin e Kosovës, Asociacioni është leva e vetme efektive që e ka Kosova në negociata dhe qëllimi i Kosovës është shtyrja e themelimit të tij dhe dizajnimi i një asociacioni që nuk e pengon funksionimin e shtetit”, nënvizon Bytyçi.

Sipas tij, presioni publik e dobëson pozicionin e Kosovës në dialog.

Rrjedhimisht, presioni publik për këtë e dobëson pozicionin e Kosovës. Këtu kemi të bëjmë me negociata mes shteteve prandaj sulmet ndaj përfaqësuesve të një shteti e dëmtojnë pozicionin e atij shteti”, deklaron Seb Bytyçi.

SHBA me plan B

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, ky është një mesazh i hapur i SHBA-së për kryeministrin Kurti.

Image
Drizan Shala

Mos avancimi i mëtutjeshëm të marrëveshjes ndërkombëtare për Asociacionin, ka shtyrë që Emisarët e 5 vendeve kryesore që janë involvuar për marrëveshjen finale të ballafaqohen më kokëfortësinë e Kryeministrit sa i përket kësaj pike, ka shtyrë për herë të parë që përfaqësuesi special i Kosovës pranë Shtëpisë se Bardhë të dal hapur më vendim tanimë për formim e jo vetëm qëndrim”, thotë Shala për “Bota sot”.

Siç thotë Shala, mos respektimi i formimit të Asociacionit, paraqet një situatë jo të favorshme për Kosovën në politiken ndërkombëtare.

Mos jetësimi aktualisht i ASK do të prodhoje një situatë të pa këndshme për politiken ndërkombëtare të Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër do të rrënohet sistemi juridik i vendit në mos zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare që pale është shteti i Kosovës”, shprehet Shala.

Çdo lëvizje tutje të idesë së mos zbatimit të ASK-së do të prodhonte situata të cilat do reflektojnë ne sigurinë e vendit ndërsa skenarët mund të jenë nga ma të ndryshme, duke filluar sikur ky i Bistricës në Leposaviq ku është sulmuar pika e kontrollit të Policisë se vendit”, thekson Shala.

Për fund, eksperti Shala deklaron se SHBA ka planin B që të dilet nga ngërçi i krijuar në dialog.

“SHBA- ja tani ka planin B për të dal nga kjo situatë dhe që pritet të fillojë sipas gjitha gjasave pas përvjetorit të shpalljes se pavarësisë se vendit, duke thirrur grupet e interesit politik dhe civil për ta kaluar këtë ngërç”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat