Tirana shkurtoi rrugën me emrin “Ibrahim Rugova”, Abdixhiku çdo ditë e më larg Rugovizmit?

Politika

Tirana shkurtoi rrugën me emrin “Ibrahim Rugova”, Abdixhiku çdo ditë e më larg Rugovizmit?

M.LAKNA Nga M.LAKNA Më 6 shkurt 2023 Në ora: 18:28
Foto ilustrim, Presidenti Rugova dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Më 17 shkurt të vitit 2012, Bashkia e Tiranës kishte inauguruar rrugën “Ibrahim Rugova” në aksin Banka e Shqipërisë deri në hyrje të Liqenit Artificial.

Ky do të konsiderohej nder dhe privilegj për qytetarët e Tiranës, një adresë e të cilëve do të mbante emrin e një figure të shquar të kombit, siç ishte presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.

Por, ky vendim u ndryshua pas 11 viteve, kur, në një ditë të bukur shkurti, Bashkia e Tiranës vendosi që ta shkurtonte rrugën “Ibrahim Rugova” dhe një segment të saj ta emërtojë “Dëshmorët e 4 shkurtit”, 79 vjet pas kësaj masakre.

Ky veprim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shkaktoi pakënaqësi e reagime të shumta.

Por, vet Veliaj tha se këtë ndryshim e kishte bërë pasi kishte pyetur edhe familjen e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.

Megjithatë, nga reagimet politike vlen të veçohet ai i deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, i cili duke aluduar në Veliajn, tha se beson që në dekadën e fundit në trojet shqiptare i është dhënë pushtet njerëzve që kundërshtojnë vlerat burimore shqiptare.

“Në vazhdën e këtyre përpjekjeve është tash tentimi i Tiranës për të tkurrur emrin e Ibrahim Rugovës duke tkurrur, shkurtuar, rrugën me emrin e tij. Kjo marrëzi e tkurr veç Tiranën, assesi Rugovën, viganin e kombit në mesin e atyre nga Gjergj Kastrioti deri te Gonxhe Bojaxhiu”, shkruan Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Ajo që çuditë më së shumti në këtë situatë është heshtja e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe presidentes Vjosa Osmani. Që të dy këta thirren në frymën rugoviane dhe politikat e djathta.

Heshtja e tyre mund të konsiderohet si dëshmi se që të dy këta sikur kanë rrëshqitur nga fryma Rugoviane. Mbase këtu mund të ketë ndikuar edhe afrimi me politikanë të majtë.

Vjosa Osmani, me mos- reagimin e saj po e dëshmon se afërsia me Lëvizjen Vetëvendosje shkon përtej koalicionit të përbashkët qeverisës, që u bë “sebep” që ajo ta merrte pozitën më të lartë shtetërore, atë të Presidentes.

Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku me heshtjen e tij, dëshmoi lidhjen e afërt me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Abdixhiku është ndër të paktët përfaqësues të LDK-së, që janë afruar me Edi Ramën, ani pse ky i fundit gjithmonë në fjalimet e tij e ka injoruar jetën dhe veprën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Kreu i LDK-së mbase është më i ri në këtë parti, por i ka këshilltarët e vjetër që nuk duhet ta lejojnë të injorojë kaq hapur figurën e çmuar të Presidentit Rugova.

Kujtojmë, se për ndryshimin e emrit të rrugës Ibrahim Rugova në Tiranë nuk pati asnjë komunikatë nga LDK, që në njëfarë mënyre do ta arsyetonte heshtjen e Abdixhikut!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat