U pranua plani franko-gjerman, flet analisti: Ja çka do të ndodhë me Kosovën dhe asociacionin

Politika

U pranua plani franko-gjerman, flet analisti: Ja çka do të ndodhë me Kosovën dhe asociacionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 shkurt 2023 Në ora: 13:27
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq dhe ambasadori amerikan

“ Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solide për të ecur tutje”, ka deklaruar të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak.

Kryeministri Kurti përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se si qeveri e pranojnë planin franko- gjerman.

Vendimi i Kurtit është mirëpritur nga Lajçak, i cili është shprehur i lumtur që Kosova ka pranuar në parim propozimin.

“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi. Dhe për në Beograd që të bëj të njëjtën gjë me Presidentit Aleksandar Vuçiç dhe Petar Petkoviç (drejtues i Zyrës për Kosovën në Serbi). Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, mendojnë analistët politikë, të cilët thonë se plani nuk ofron zgjidhje përfundimtare.

Analisti politik, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se plani nuk zgjidh gjë, veç nëse ndryshon plotësisht dhe ofron zgjidhje gjithëpërfshirëse.

“Plani franko- gjerman mund të themi thjeshtë është si “kur nuk ka shi, bën edhe breshër”. Nuk është plan që ofron zgjidhje përfundimtare, rikonfirmon konfliktin e ngrirë, nuk e besoj që zgjidh gjë, veç nëse ndryshon plotësisht dhe ofron zgjidhje gjithëpërfshirëse. Është një plan që ia morën qejfin Serbisë dhe ia lënë shpresën gjallë se mund të kthehet në Kosovë. Pra, isha marrë me çudira të tilla, pa zgjidhje përfundimtare”, pohon Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, me planin franko- gjerman rezultati është i njëjtë, si përfundim konflikt i ngrirë.

“Plani franko- gjerman është vetëm të mënjanohet një konflikt përkohësisht dhe të vendoset një konflikt të përhershëm. Pra, nuk mendoj se kjo është ndonjë zgjidhje përkundër këtij investimi të madh ndërkombëtar. Për të ushtruar kaq presion të madh mbi palët në fund, rezultati i njëjtë, konflikt i ngrirë. Kjo nuk më duket aspak serioze, me vite lutet Serbia edhe atë kot, pra është diçka që nuk më duket normale dhe as serioze”, thekson Burjani.

Përmbajtja e planit franko- gjerman nuk është publikuar zyrtarisht nga qeveritë, ndërsa në mediat raportohej për një përmbajtje të tij, përfshirë këto 9 nene.

Në njëri nga nenet thuhet se “Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to”.

Opozita dhe një pjesë e analistëve thonë se në këtë pikë futet edhe asociacioni, ndërsa analisti Blerim Burjani, nuk beson që do të pranohet asociacioni etnik.

Sipas tij, Kurti nuk do ta pranojë planin Z4 për serbët e Kosovës.

“Se besoj që do të pranohet asociacioni etnik, që sipas Serbisë, është status special së paku për serbët e Kosovës, njëjtë kështu ka ndodhur me krahinën në Kroaci, me planin Z4 status speciale e serbët vazhdojnë pa ndalë me barrikada, derisa pozita kroate e zgjidhi problemin, pra asociacioni është mollë sherri për të bërë sherre edhe më të mëdha që ta ndajnë Kosovën, nuk besoj që Albini do ta pranojë planin Z4 për serbët e Kosovës”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat