6 kushtet e Albin Kurtit “acaruan” opozitën sikurse Vuçiqin- Kërkohet ekip i unitetit në Kosovë për asociacionin dhe dialogun

Politika

6 kushtet e Albin Kurtit “acaruan” opozitën sikurse Vuçiqin- Kërkohet ekip i unitetit në Kosovë për asociacionin dhe dialogun

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 shkurt 2023 Në ora: 16:58
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ditë më parë, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kryeministri Albin Kurti i ka paraqitur 6 kushte pas plotësimit të të cilave ai tha se do ta themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.  

 Por, për këto pika kishte disa kritika nga partitë opozitare, të cilat thanë se kryeministri i Kosovës tashmë është pajtuar për të themeluar Asociacionin.  

 Më tej, këto kushte të Kurtit nxitën debate të gjatë e të ashpër brenda seancës së Kuvendit të Kosovës javën që shkoi. 

Mund të thuhet se është një fatkeqësi se si nuk po arrihet një kompromis mes pozitës dhe opoiztës. 

Siç duket, partitë opozitare kanë zgjedhur një rrugë tjetër, për dallim nga qeveria. 

 Në këtë kohë krizash, presionesh dhe provokimesh do duhej që të kishim një unitet politik mes pozitës dhe opozitës. 

 Se çfarë duhet të bëhet që të ketë një unitet në skenën politike folën analistët për “Bota sot”. 

 Qarri: Një opozitë e tillë, me qëndrim kaq armiqësor jo vetëm ndaj Qeverisë Kurti, por edhe ndaj vet shtetit tonë të pavarur, kërkon nënshtrim para një vendi ish okupator si Serbia 

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këto kritika që po i bëhen kreut qeverisës nga partitë opozitare. 

Fillimisht, ai tha se opozita është mirë ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe njohja e pavarësisë nuk është çështje kompromisi me shtetin serb. 

“Në fakt siç u shpreh edhe eksperti britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare Daniel Smith, e drejta e pavarësisë së Kosovës është njohur tash e mese 13 vite, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së, ndaj pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, është e pa mundur të arrihet marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve me këtë shtet hegjemonist. Kështu që jo vetëm Serbia dhe Vuçiq, por edhe opozita e inkriminuar, përfundimisht duhet ta kuptojnë se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe njohja e pavarësisë nuk është çështje kompromisi, por akomodim me realitetin, tanimë të pakthyeshëm në rajon dhe Evropë”, deklaroi analisti. 

Krahas kësaj, Qarri përmendi faktin se si këto parti opozitare miratuan në Kuvend me aktin kundërkushtetues për formimin e Asocaicionit. 

 “Megjithatë duke pasur parasysh faktin se po kjo opozitë aktuale, në kohën sa ishte në pushtet zhvlerësoj edhe vendimin e GJND-së, duke i vendosur fusnotë shtetit tonë dhe kthyer Kosovën në vend me status të pa vendosur juridik, nënshkroi dy herë marrëveshjen për "zajednicën" dhe bashkoi votat edhe me Listën serbe për ta miratuar edhe në Kuvend aktin kundërkushtetues për formimin e "zajednicës", kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi i qoi letër edhe sekretarit të NATO-s, se FSK-Ushtria e Kosovës, nuk do të vendosej në veri, pjesën legjitime të territorit të shtetit tonë të lirë e të pavarur, si dhe kërkoi publikisht ndarjen e Kosovës, duke paguar edhe firma të huaja me parat e taksapaguesve tanë, për promovimin e ndarjes së Kosovës edhe në botë, duke e quajtur veriun edhe si tokë të Rankoviqit, e gjithë kjo na bënë të bindemi plotësisht se një opozitë e tillë, nuk mendon për ruajtjen e shtetit, por për ardhjen me çdo kush në pushtet, për ti vazhduar pazaret në kurriz të shtetit dhe shkatërrimin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai. 

Krahas kësaj, analisti akuzoi opozitën që po lufton me të gjitha mjetet, për ta shuar edhe atë që e kemi arritur falë ndihmës së SHBA. 

 “Një opozitë cila në pushtet, ka qëndruar vetëm duke bërë pazare me tokat e Kosovës, duke i falur mbi 2500 hektar tokë të vlershme të vendit tonë FYROM-it dhe mese 8300 hektar tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, për një karrige të kryeministrit, e cila në fund të mandatit tentoi t`ia falte edhe gjithë veriun me pjesët më vitale të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, duke mos hezituar që ta ndajë e ricopëtoj dhe shuaj edhe shtetin e Kosovës, e gjithë kjo, neve si qytetarë lojal të vendit, nuk na kujton një opozitë normale si në shtetet tjera, por një mercenare të përbetuar të shtetësisë, që lufton me të gjitha mjetet, për ta shuar edhe atë që kemi arritur falë ndihmës së SHBA-ve dhe shteteve të NATO-së, si liria, pavarësia dhe shtetësia e brishtë e vendit tone”, nënvizoi Qarri. 

 Më tej, ai u shpreh nuk u befasuar me reagimet e opozitës në Kuvend ndaj Kurtit, pasi ishte i prishëm një reagim i tillë nga ajo. 

 “Ndaj një opozitë me një të kaluar të tillë, e cila edhe në pushtet ka qëndruar duke bërë pazare jo vetëm me tokat por edhe statusin dhe shtetësinë e Kosovës, reagimet e saj në Kuvend pasi Kurti paraqiti 6 kushtet për mundësinë e krijimit të asociacionit, jo vetëm që nuk  më, kurrfarë befasie, por ishin të ditura paraprakisht, ngase ajo që u ka falë mese 10 mijë hektar toka autoktone të Kosovës shteteve fqinje si FYROM-i e Mali i Zi, dhe ka nënshkruar e miratuar edhe në Kuvend marrëveshje kundërkushtetuese si “zajednica”, duke kaluar pa asnjë therrë në këmbë, nga ligji dhe drejtësia e kapur në vend, nuk toleron konstruktivitet, barabarësi shtetërore, as reciprocitet të Kosovës me Serbinë”, shpjegoi analisti. 

Image
Gani Qarri

Ndër të tjera, Qarri vlerësoi se me këtë qasje, partitë opozitare po kërkojnë në një mënyrë nënshtrim para një vendi ish okupator si Serbia. 

“Një opozitë e tillë, me qëndrim kaq armiqësor jo vetëm ndaj Qeverisë Kurti por edhe ndaj vet shtetit tonë të pavarur, kërkon nënshtrim para një vendi ish okupator si Serbia, qoftë edhe duke formuar një "zajednicë" me kompetenca ekzekutive, që është edhe fëmijë i lindur nga opozita aktuale, për bosnjëzimin e vendit dhe rrezikimin e shtetësisë së Kosovës, vetëm që ata ta shfrytëzojnë edhe këtë gjendje të rrezikshme, për tu rikthyer serish në pushtet, duke treguar publikisht se as që janë të interesuara për unitet ndërmjet partive politike por për thellimin e mospajtimeve, pikërisht ashtu siç u shfaqen edhe para dy ditësh në Kuvend, gjë që vërtetë është mjerim”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

Mehmeti: Asociacioni është rrezik, të gjithë të jemi unik në këtë drejtim 

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti kërkoi një unitet politikë ndërmjet pozitës dhe opozitës. 

Ai në një prononcim për “Bota sot” drejtoi një kërkesë për presidenten Osmani. 

 “Si kurrë më parë duhet të ketë unitet, ndonëse është dashur qysh moti të ekzistojë. Kur është në pyetje interesi nacional, të gjithë duhet të jenë të gatshëm për të lënë anash dallimet. Presidentja Osmani të krijojë ekipin e unitetit, siç veproi dr.Rugova për të vepruar si një trup i vetëm përballë interesit nacional”, deklaroi ai. 

 Po ashtu, Mehmeti tha se Osmani duhet urgjentisht të veprojë me urgjencë për të krijuar një trup të përbashkët. 

 “Asociacioni nuk ka të bëjë me Kurtin apo dikë tjetër, është për Kosovën; të tashmen dhe të ardhmen e saj. Gjashtë kushtet e Kurtit prolongojnë në masë të madhe apetitet dhe synimet e Serbisë për krijimin e Serbisë së vogël brenda Kosovës. Gjithsesi, presidentja të veprojë me urgjencë për të krijuar një trup të përbashkët për të qenë më serioz, më të vendosur për të mbrojtur vendin nga çdo rrezik”, vlerësoi analisti. 

Image
Faton Mehmeti

Në fund, ai tha se formimi i Asociacionit është shumë i rrezikshëm dhe opozita duhet të jetë në krahë me Kurtin kundër Serbisë. 

“Asociacioni është rrezik, të gjithë të jemi unik në këtë drejtim. Opozita mos të kritikojë Kurtin në këtë rast, ka sa të duash hapësirë në politikën e brendshme për ta kritikuar, kur është në pyetje Serbia të gjithë të jemi një”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat