Pranimi i planit franko-gjerman: Zgjidhje finale apo detyrim? 6 kushtet e Albin Kurtit ndryshuan situatën

Politika

Pranimi i planit franko-gjerman: Zgjidhje finale apo detyrim? 6 kushtet e Albin Kurtit ndryshuan situatën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 shkurt 2023 Në ora: 18:05
Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri lbin Kurti dhe Presidenti francez Emanuel Macron

Pasi ditë më parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pranoi planin franko-gjerman për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, një gjë të tillë e ka bërë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Krejt kjo ka ardhur pas presionit ndërkombëtar ndaj Kurtit për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Por, Kurti, para pranimit të propozimit franko-gjerman, vendosi gjashtë kushte për formimin Asociacionit, të cilin e parasheh edhe plani franko-gjerman.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, deklaroi kryeministri Kurti pas takimit me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur menjëherë vendimin e Kurtit.

“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që po ashtu ta pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Kurse Lajcak, u shpreh se pranimi i planit evropian nga Kurti, hap rrugën që diskutimet të barten në Bruksel.

“Më vjen mirë që edhe Kosova tani e ka pranuar në parim propozimin evropian. Do të vazhdojmë diskutimet në takime të nivelit të lartë”, deklaroi Miroslav Lajçak.

E sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve politike në vend, Kurti u detyrua që ta pranojë propozimin franko-gjerman, ani pse fillimisht kishte hezituar.

Ndryshimi i Albin Kurtit

Sipas ish ambasadorit dhe ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha, deklarata e Kurtit për pranimin e planit franko-gjerman tregon edhe fillimin e ndryshimit të tij politik.

Image
Anton Berisha

“Deklarata e Kurtit për pranimin e planit franko-gjerman paraqet fundin e sjelljes se Kurtit si një misionar, çfarë ka qenë me më shumë se një dekadë, ku ai e shihte veten si çelës dhe zgjidhës të problemeve politike, dhe paraqet fillimin e sjelljes së tij si funksionar politik me fuqi të kufizuar që duhet t’i përshtatit planit ndërkombëtar”, thotë Berisha për “Bota sot”.

Sipas tij, ashtu si Kurti, edhe Vuçiq kanë marrë mesazhet nga diplomatët amerikan e evropian.

“Edhe kryeministri Kurti, edhe presidenti serb Vuqiq, kanë marrë mesazhet e duhura nga diplomatët amerikan dhe evropian se nuk ka kohë të pakufishme të lojërave të brendshme politike, e as te rivaliteteve populiste, por është koha e stabilizimit të situatës në Ballkan marrë parasysh edhe kontekstin gjeostrategjik dhe gjeopolitik të krizës ukrainase”, thekson Berisha.

“Beteja e Kurtit tash mbetet me veten e tij, me politiken e deritanishme, me mbivlerësimin e vetes dhe me diskursin anti-perëndimor që e ka ushqyer në dekada si dhe raporti me përkrahësit e tij, por edhe me shoqërinë që një pjesë i kanë besuar ligjërimeve të tij që kanë qenë iluzione dhe demagogji e pastër”, shton ish ambasadori Berisha.

Për fund, ai thotë se bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i lë rrugë Kurtit e Vuçiqit që t’i ikin planit franko-gjerman.

“Unë, pavarësisht pa-parashikueshmerisë së veprimeve të Kurtit e Vuçiqit, nuk shoh se Perëndimi do t’u lejoj këtyre t’i ikin projektit tashmë të dakorduar franko-gjerman sepse masat do të jenë të ashpra qoftë për karrierën e tyre politike qoftë ndaj vet Kosovës e Serbisë”, deklaron për “Bota sot”, ish ambasadori Anton Berisha.

Gjashtë kushtet e Albin Kurtit

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, thekson se mbetet të shihet se a janë të përfshira në marrëveshje edhe gjashtë kushtet e kryeministrit Kurti.

Image
Faton Mehmeti

“Ende nuk e dimë se për çfarë është arrit kjo marrëveshje, a është pranuar me gjashtë kushtet e Kurtit apo pa ato. Kështu që mbetet për tu parë, kryeministri ka qenë peng i një marrëveshje të më hershme, besoj se ka bërë maksimumin e mundshëm për të shpëtuar sa me më pak pasoja. Nëse janë pranuar gjashtë kushtet e Kurtit marrëveshja për asociacionin do të jetë në variantin më të mirë të mundshëm, ashtu si dhe propozimi franko-gjerman. Ky plan është bazë e mirë, kështu thuhet por ende nuk është bërë publike”, nënvizon Mehmeti.

Ai thotë se një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet kah mesi i këtij viti.

“Pres qe së shpejti të ketë takim Kurti-Vuçiq në Bruksel, nga ku edhe mund të nis fillimi i fundit për marrëveshjen përfundimtare. Vuçiqi do të kërkojë që Asociacioni të formohet në mënyrë që të pranojë planin franko-gjerman. Besoj se një marrëveshje është e mundur kah mesi i këtij viti, eventualisht kah fundit, nëse nuk ndodh këtë vit ky proces do të futet në spirale pa fund”, shprehet Faton Mehmeti.

Plani franko-gjerman nuk ofron zgjidhje

E analisti Gani Qarri, deklaron se kryeministri Kurti u detyrua që ta pranojë planin franko-gjerman pas presionit ndërkombëtar.

Image
Gani Qarri

“I lënë vetëm, padrejtësisht nga të gjithë dhe i atakuar frontalisht prej të gjitha anëve, e veçanërisht nga opozita dhe ndërmjetësuesit Eskobar e Lajçak, Kryeministri i Kosovës pas paraqitjes së 6 pikëshit dhe bërjes publike të kushteve nga ana e Kosovës për marrëveshje, takimit me ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe me ndërmjetësuesin e lartë të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeffry M. Hovenier, duket se u detyrua që në paraqitjen e përbashkët me z. Lajçak, të deklarohet përfundimisht, pro propozimit të BE-së, të njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman, me vlerësimin e tij si bazë të mirë për vijimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, thotë Qarri.

Ai e quan padrejtësi heqjen e pikës nga plani franko-gjerman për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në fakt edhe Serbia ka bërë sikur Serbia është deklaruar pro këtij plani, por ç ‘është e vërteta, ajo tha po, vetëm pasi asaj i janë bërë lëshime të jashtëzakonshme, duke hequr pikën kolosale të marrëveshjes nga diskutimi, si njohja reciproke dhe futur formimin e asociacionit kundër kushtetues, një etnik serb në proces të bisedimeve në kuadër të planit franko-gjerman megjithëse Presidenti Joe Biden në letrën e tij, kishte dhënë udhëzime për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Prandaj kjo është vërtetë padrejtësi e pa imagjinueshme që sërish i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por pikësëpari shqiptarëve të mbetur nën Serbi, shqiptarëve nën FYROM, të cilët përbëjnë mese 40% të popullsisë atje, shqiptarëve në Mal të Zi, çamëve, arvanitaseve etj, kur dihet se të gjithë këta, një pjesë nuk gëzon asnjë të drejtë kombëtare, gjuhësore e kulturore, kurse të tjerët, nuk gëzojnë as çerekun e të drejtave që gëzon pakica serbe me gjithë numrin minimal të minoritarëve serb që jetojnë në Kosovë”, shpjegon Qarri për “Bota sot”.

“Prandaj, përderisa ngritët në problem ndërshtetëror edhe çështja e targave ilegale serbe, ani pse ekziston marrëveshja e nënshkruar, para mese një dekade, por heshtet përveç krimeve dhe gjenocidit edhe kthimi i mbi 1600 trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar nga Serbia, duke emëruar kryetar të Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq, për të mos treguar vendndodhjen e mbetjeve mortore të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë e të kidnapuar nga forcat pushtuese serbe, trupat e të cilëve janë fshehur qëllimisht në varrezat masive nëpër Serbi dhe pasardhësi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqi, në kundërshtim me të gjitha normat njerëzore dhe ligjet ndërkombëtar, vazhdon tash e mese 24 vite ti mbaj peng në Serbi, kjo vërtetë e bënë shumë të komplikuar jo vetëm marrëveshjen finale, por edhe vet përfarimin e qëndrimeve me një vend të tillë”, shton Qarri.

Më tej, sipas Qarrit plani franko-gjerman nuk ofron zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Madje shto kësaj faktin e dhembshëm se as në planin franko-gjerman nuk ka barabarësi dhe reciprocitet edhe për sa i takon trajtimit dhe të drejtave të pakicave kombëtare, jo vetëm në të dy shtetet dialoguese, por as në vendet tjera fqinje ku jetojnë shqiptarët, unë nuk mund të shohë zgjidhje definitive por vetëm shtyrje apo zvarritje të një problemi, për të rifilluar pas pak kohësh me një apo disa probleme tjera për të njëjtat shkaqe dhe arsye, si trajtimi i pakicave dhe plotësimi i të drejtave që atyre u takojnë, ani pse ata jetojnë nën sundimin e vendeve sllave fqinje”, deklaron Qarri, sipas të cilit, një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, tani për tani është shumë larg.

“Por pasi që, plani franko-gjerman, ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në këtë plan, për herë të parë ka disa elemente interesante që për dhjetë vite dialog nuk ishin ofruar në tavolinë, i cili parasheh respektimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, paprekshmërinë e kufijve të saj, njohjen e simboleve tona shtetërore dhe të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, përjashtimi i reciprocitetit për shqiptarët dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke futur pa dëshirën e Kosovës krijimin me imponim të "asociacionit" kundërkushtetues një etnik serb, në Kosovën multietnike dhe mos përmendur në dokument përveç njohjes së ndërsjellët Kosovë-Serbi, as anëtarësimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat, me të drejtë ka insistuar në vijimësi Kosova, dëshmon se dialogu mund të qohet përpara në pjesën më të madhe, por marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, nuk besojë se do të ketë së shpejti”.

“Kjo për vet faktin se, me një shtet ish okupator e hegjemonist si Serbia, i cili edhe sot vazhdon të mos kërkojë falje për gjenocidin dhe krimet e kryera në Kosovë, të mbaj peng mbi 1600 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar në Serbi dhe gati një çerek shekulli pas lufte, përveç fshehjes së gjurmëve të gjenocidit dhe krimeve monstruoze të kryera në mënyrë të organizuar shtetërore në Kosovë, vazhdon të mos i bëj të njohura as vendndodhjet e mbetjeve mortore të shqiptarëve të pafajshëm, të vrarë e të kidnapuar nga forcat okupatore serbe dhe trupat e tyre i mban qëllimisht të fshehur, edhe sot në varreza masive nëpër Serbi, marrëveshja përfundimtare me një shtet të tillë, vërtetë mbetet një pikëpyetje e madhe!”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat