Byroja Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, sfidohet Albin Kurti – kërkohet ‘goditja’ e Selimit, Haradinajt dhe Lushtakut

Politika

Byroja Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, sfidohet Albin Kurti – kërkohet ‘goditja’ e Selimit, Haradinajt dhe Lushtakut

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 shkurt 2023 Në ora: 10:16
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pro ligjit votuan 66 deputetë të cilët ishin prezent, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

E pas miratimit të ligjit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hap pas hapi po shkohet drejt Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Me mbështetjen e 66 deputetëve të Kuvendit të Republikës, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mori edhe aprovimin e dytë për miratimin e tij të plotë. Falënderoj secilin dhe secilën prej tyre. Pasuria e fituar por që nuk arrin të justifikohet është përfitim i padrejtë, është padrejtësi, madje e tillë që thellon pabarazitë. Konfiskimi i saj është kompensim për shoqërinë, është drejtësi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Image
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Byroja në shërbim të Albin Kurtit

Por dyshime në veprimtarinë dhe efikasitetin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme po hedh analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Ani pse e quan lajm të mirë miratimin e këtij ligji, Haziri thotë se kjo Byro do t’i shërbejë vetëm kryeministrit, Albin Kurti.

“Me një qeverisje normale, miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, do të përbente një lajm të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forma këto ku jo pak politikan nga të dy nivelet e pushteteve në Kosovë kanë bërë pasuri marramendëse. Unë besoj se ky ligj më shumë do t'i shërbej qeverisë aktuale dhe kryeministrit Kurti për konsum të brendshëm politik, për t'i shantazhuar kundërshtarët politik se sa do të jetë në funksionin për çka është formuar”, thotë Haziri, sipas të cilit, pasuria duhet t’i konfiskohet edhe ish deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk mund të pretendosh që do t'ia konfiskosh pasurinë e dikujt e në anën tjetër mbron ambasadorin Martin Berishaj, apo duke mbrojte pasurinë marramendëse të Rexhep Selimit që është përfituar në forma të njëjta sikur Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, e të tjerë eksponentë të klasës politike”, shprehet Haziri.

“Do të doja që unë të isha gabim në këtë drejtim, por vet fakti se si qeveria dhe partia në pushtet mbron me fanatizëm skandalin e ambasadorit Martin Berishaj, atëherë më bënë shumë skeptik në këtë drejtim. Përndryshe, Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, do të mund të ishte kyç në procesin e dekriminalizimit të skenës politike kosovare”, deklaron analisti politik, Nexhat Haziri.

Hapi i fundit për ‘goditjen’ e peshqve të mëdhenj

E analisti Faton Mehmeti thotë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, është njëra nga kauzat me të cilat erdhi në pushtet Albin Kurti.

“Albini ka ardhur në pushtet me kauzën e konfiskimit të pasurisë dhe dërgimin e hajnave prapa grilave. Nëse nuk i bën këto atëherë bie kauza e saj, Albini po mundohet të jetë në paqe me ndërgjegjen dhe premtimet e tija”, thekson Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai shton se miratimi i ligjit për Byronë Shtetërore, është hapi i fundit për ‘goditjen’ e peshqve të mëdhenj.

“Miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është hapi i fundit në hapjen e rrugës për goditjen e abuzuesve me djersën e qytetarëve. Në këtë drejtim duket se po ecin gjërat, me drejtësinë e munguar që pritet të vihet në vend”, nënvizon Mehmeti.

Për fund, analisti Mehmeti thotë se konfiskimi i pasurisë duhet të nis që nga ish presidenti i Kosovës, tash i akuzuar nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi.

“Kurti ka guxim për t'i goditur por ende s’ka mekanizmat e duhur për të goditur ‘peshqit’ e mëdhenj, ende nuk e ka drejtësinë e pavarur për një gjë të tillë. Për konfiskim të pasurisë duhet të kenë frikë njerëzit e ish nivelit të lartë duke nisur nga Hashimi, Isa dhe të gjithë ata që kanë pasuri të madhe me një punë të pagë të vetme”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat