“Vetëm ajo mund ta rrëzojë”, a janë këto arsyet pse Vetëvendosje i frikësohet LDK-së?

Politika

“Vetëm ajo mund ta rrëzojë”, a janë këto arsyet pse Vetëvendosje i frikësohet LDK-së?

P.Rudi Nga P.Rudi Më 11 shkurt 2023 Në ora: 19:57
Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, shënuan rezultatin më të ulët për Lidhjen Demokratike të Kosovës në historinë tridhjetë vjeçare të saj.

LDK mori vetëm 12% te votave, duke u renditur si partia e tretë në Kosovë, pasi Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50%, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa AAK doli si partia e katërt në Kosovë.

Por tani sipas disa sondazheve të publikuara, LDK ka shënuar një kthesë në skenën politike, pasi kryetar i saj erdhi Lumir Abdixhiku, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.

Se LDK-së po i rikthehen votat e saj, vërehet edhe tek Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka filluar një ‘luftë’ të hapur kundrejt LDK-së. Përmes fjalimeve në Kuvend dhe publikimit të videove në faebook, Vetëvendosje ka zgjedhur që ta sulmojë LDK-në, të cilën e sheh si rival kryesor nga partitë opozitare.

Po ashtu, edhe LDK-ja ka nisur publikimin e videove në facebook, të cilat përmbajnë sulme për Lëvizjen Vetëvendosje, qeverisjen e të cilës po e konsiderojnë të dështuar.

Duke komentuar përplasjet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, analisti politik Nexhat Haziri thotë se skena politike po shkon drejt një ndarje në dy blloqe.

“Tani siç shihet kemi një realitet të ri në skenën politike kosovare e cila është në proces të definimit të saj në dy blloqe, në njërën anë LVV si parti dhe koncept i majtë politik dhe në anën tjetër LDK-në e djathtë dhe me një PDK , të cilën e shohë në pozicionin e një poli të tretë në skenën politike të vendit. Dhe natyrisht kjo do të sjellë edhe përplasjet e mëdha në mes këtyre dy subjekteve, dy koncepteve të ndryshme politike”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Image
Analisti politik Nexhat Haziri

Më tej, Haziri ka treguar edhe arsyet, që sipas tij Lëvizja Vetëvendosje po i frikësohet LDK-së.

“Reformimi i LDK-së, për aq sa mund ta quajmë të tillë, rroli i saj tashmë si parti kryesore opozitare, pa marrë parasysh se PDK-ja ka numër më të madh deputetesh, idetë dhe alternativat që po plason LDK-ja në opinion qoftë përmes debatit në Kuvend të Kosovës dhe në forma të tjera, në raport me dështimet dhe gabimet e LVV-së, rritja e LDK-së dhe kthimi i elektoratit të saj tradicional nga ajo luhatja që kishte me 14 shkurt të viti 2021, me një lidership më të artikuluar, më inicues dhe më kërkues, më të pranuar tek partnerët tanë ndërkombëtar, sidomos tek aleati ynë strategjik, SHBA-të, të gjitha këto kanë bërë që LVV-ja ka filluar të shigjetoj LDK-në duke e parë si kundërshtarin e vetëm nga opozita e cila mund t'ia rrezikoj pushtetin”, thekson Haziri.

Për fund, Haziri paralajmëron një përplasje edhe më të ashpër mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Andaj marrë parasysh këto zhvillime në skenën politike kosovare, do të shohim në ditët e ardhshme një dinamizim më të madh dhe një polarizim tejet të skajshëm në mes këtyre dy partive politike, pra LVV-së dhe LDK-së, të pozicionuar si dy partitë kryesorë politike të vendit”, përfundon për ”Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat