“Po tentojnë ta përmbysin Kurtin”, analisti nga Amerika me kritika të ashpra ndaj opozitës: Kështu po e ‘ndihmojnë’ Vuçiqin!

Politika

“Po tentojnë ta përmbysin Kurtin”, analisti nga Amerika me kritika të ashpra ndaj opozitës: Kështu po e ‘ndihmojnë’ Vuçiqin!

Nga: A.Morina Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 08:14
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi është në një fazë të ndjeshme, pasi edhe presionet mbi kryeministrin Kurti për themelimin e Asociacionit po rriten.

Krahas kësaj, partitë opozitare siç duket kanë filluar ‘aksionet’ e tyre, duke marrë parasysh që Kurti po gjendet nën trysni nga ndërkombëtarët.

Opozita ka filluar me akuza dhe kritika ndaj kryeministrit, ku një nga më të zëshmit është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për akuzat dhe kritikat që kryeministri Kurti po merr nga partitë opozitare, në kohën kur dialogu me Serbinë është në një pikë kritike.

FIllimisht, ai u shpreh se këto reagime të opozitës janë si rezultat i ‘tronditjes’ së 14 shkurtit të vitit 2021, ku assesi nuk po mund ta ‘marrë veten’.

Image
Binak Maxharraj

“Që nga tërmeti katastrofal elektoral i dy viteve më parë, përkatësisht me 14 shkurt 2021, i cili i shkatërroi partitë si PDK, LDK dhe AAK, të cilat i nxori në opozitë pa ndonjë vlerë, e të cilat kishin qeverisur keq e më keq për tri dekada të pasluftës, duke hyrë në koalicione me pazare të pista, AAK-ja shkonte në ato qeveri pa kurrfarë merite dhe shërbente si patericë e partive tjera sa herë që ato kishin nevojë. Që nga ajo kohë, kjo opozitë nuk po mund ta gjejë veten, nuk po mund as të akomodohet, shkon edhe më larg duke u bërë më e afërt më Vuçiqin se sa me Kurtin, për ta përmbysë qeverinë Kurti, e cila vetëm se po e çmend krejt Vuçiqin, duke e nxjerrë nga takti me qëndrimet e tij, me kërkesat e tij”, deklaroi profesori.

Gjithashtu, Maxharraj vlerëson se partitë opozitare nuk po arrijnë të bëjnë sië duhet opozitarizëm, pasi vetëm kritikojnë, bërtasin dhe shajnë.

Madje, shtoi se kritikat e opozitarëve po i shkojnë në favor Vuçiqit, i cili me çdo kusht po tenton ta marrë veriun e Kosovës.

“Dhe në bazë të kësaj ajo e solli vendin në këtë pozitë, ku sot Serbia e Vuçiqit sillet me Kosovën si me qenë e saj. Partitë politike në opozitë nuk janë parti që bëjnë opozitarizëm të vërtetë, ato nuk dinë asgjë tjetër, si në parlament e gjetiu, veç te bërtasin, shajnë si të pa kokë, sepse në këto kritika të tyre perverze nuk thonë asgjë, veç zhurmë pa ndonjë argument. Kjo opozitë e shan kryeministrin Kurti, më së shumti kur ai po tenton t’i rregullojë gabimet, vendimet dhe marrëveshjet e bëra me Serbinë në dëm të Kosovës, të cilat sot asaj po i kushtojnë shumë shtrenjtë. Kritikat ndaj qeverisë se Kosovës, në kor me Vuçiqin, e kanë një qëllim, jo për ta mbrojtur shtetin e vet nga kërcënimet e Serbisë, por më shumë këto kritika i shkojnë në favor të Vuçiqit, i cili po tenton me çdo kusht që të mos dalë nga Kosova pa marrë veriun. Pasi kjo opozitë ia kishte lënë që të ‘kalëronte’ me të për tri dekada, ku lulëzonte krimi i organizuar dhe korrupsioni, përmes kriminelëve dhe bandave të orkestruar nga Vuçiqi, por edhe në bashkëpunim me disa liderë shqiptarë, për përfitime marramendëse”, theksoi ai.

Sipas tij, bazuar në këto reagime mund të thuhet se partive opozitare shqiptare po ia ‘zë’ rrugën më shumë Kurti dhe jo Vuçiqi.

“Kritikat e pa kripura të opozitës vazhdojnë të jenë jo kundër Vuçiqit, por kundër qeverisë Kurti. Pra, thjeshtë e qartë, kësaj opozite ia ka zënë rrugën Kurti, e jo Vuçiqi, sepse kjo opozitë vazhdimisht, si në kor, i drejtohet kësaj qeverie dhe Kurtit të “lëshojë rrugë”, me qëllim të ardhjes së tyre në pushtet për të vazhduar hajninë e plaçkitjeve siç e bënë për këto tri dekada, por që qeveria Kuri ua ndaloi. Në këtë vlug të kritikave drejtuar qeverisë Kurti, sikur është më e zëshmja AAK, e sidmos vetë Ramush Harajdinaj, në krahasim me partitë tjera si PDK dhe LDK, që udhëhiqen nga adoleshentët politikë, të cilët bëjnë politikë dhe kritika të pakripura. Pra, ndër opozitarët më i “krisuri” me kritikat e tij po del te jetë Ramush Harajdinaj me kritikat e tij vend e pa vend, e më shumë të paverteta, të mos them gënjeshtra”, nënvizoi profesori.

Ndër të tjera, ai e konsideroi Haradinajn si kritikuesin më të zëshëm të kryeministrit Kurti.

“Kritikat e tij ndaj qeverisë Kurti nuk kanë të ndalur tash e dy vite me fyerje dhe fjalor që nuk i ka hije një lideri politik. Haradinaj jo vetëm që kritikon sepse kritikat janë diçka normale, por ai më shumë e kërcënon Kurtin, shpesh duke iu drejtuar: “lësho rrugë, a je tu e ditë se ku po e dërgon këtë vend”. Ai i drejtohet qeverisë Kurti se ka “dështuar në ndërtimin e strategjisë e cila po e vendos Kosovën në raport të pafavorshëm me Serbinë, se nuk koordinohet me aleatët e sidomos me Amerikën, po e rrezikon interesin nacional të vendit dhe të gjitha të arriturat e deri tashme të shtetit”, përmbylli Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat