Kërkohet reagimi i NATO-s, vjen paralajmërimi i rrezikshëm: Po priten veprime të këtyre bandave për të shpërthyer lufta në veri!

Politika

Kërkohet reagimi i NATO-s, vjen paralajmërimi i rrezikshëm: Po priten veprime të këtyre bandave për të shpërthyer lufta në veri!

Nga: A.M. Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Së fundi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mercenarë të grupit rus, Wagner janë duke punuar me paramilitarë serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake.

Ajo këtë e ka thënë për mediumin The Telegraph, duke shtuar se operacioni sekret është krijuar për të bërë bazë për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia në drejtim të Kosovës.

Objektivi serb, sipas presidentes Osmani është “të përgatis situata për një aneksim të mundshëm, jo përmes një operacioni ushtarak, por përmes një lloj sulmi hibrid”.

E për këtë çështje, foli për gazetën “Bota sot” profesori Muhamet Kelmendi.

Fillimisht, ai u shpreh se Serbia ka si qëllim pushtimin e veriut të Kosovës, e këtë po mundohet ta arrijë përmes bashkëpunimit me paramilitarët serbë dhe bandave ruse të Wagnerit.

“Pikësynimi i shtetit serb është ripushtimi i tërë Kosovës, ndërsa, si qëllim aktual është pushtimi i veriut të Kosovës nga forcat kriminale, paramilitarët serbë dhe bandat e Wagnerit. Në fakt, bandat e tilla e kanë nën kontroll veriun gjatë gjithë kohës. Këtej flasin sulmet kriminale kundër forcave të EULEX-it, ndaj Policisë së Kosovës, bllokadat dhe tash edhe ikja nga pushteti i vendit.

Kuptohet se veriu ka qenë nën sundim të vazhdueshëm të bandave të tilla kriminale. Ato banda i kanë toleruar forcat e KFOR-it, sidomos ato nga Franca, sepse nën ato forca të KFOR-it në veri, në vitin 2000 dhe 2001, bandat kriminale serbo-ruse e pastruan veriun nga shqiptarët. I ndjekën mbi 15 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tokat e veta, e bënë veriun të pastër serb. Tash këto banda janë forcuar shumë”, deklaroi profesori.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi.

Gjithashtu Kelmendi, vlerësoi se këto banda ruse po marrin urdhra direkt nga Putini, i cili po mundohet ta formojë një front të ri lufte, atë në Ballkanin Perëndimor.

“Nga Serbia po dërgohen armë dhe uniforma ushtarake, kuptohet për të krijuar teren për luftë. Për këtë qëllim, kemi shumë forca ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën. Qendra komanduese është vendosur në Rashkë, tash priten veprime të bandave serbe dhe atyre të Wagnerit në veri, që të shpërthejë lufta dhe Serbia të marshojë me ushtri për të marrë nën kontroll territorin e Kosovës.

Bandat e Wagnerit janë vënë në veprim me urdhër nga Moska. Duket se vetë Putin e ka kontrollin mbi këto banda. Moska po punon për një front të ri, atë të Ballkanit. E këtu rolin kryesor e ka Serbia, si forcë neoimperialiste në Ballkanin Perëndimor. Mbështetur në këtë qëllim priten veprime kriminale në veri të Republikës”, theksoi ai.

Më tej, profesori alarmoi duhe thënë se në qendër të sulmit ushtarak është Kosova, prandaj edhe kërkoi një unifikim mes forcave të sigurisë në Kosovë dhe rritje të prezencës së KFOR-it.

“Natyrisht se këtej kërkohet të unifikohet politika dhe të forcohen forcat e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. FSK kërkohet të jetë e gatshme dhe e armatosur.

Mirëpo, kjo nuk mjafton! Këtu duhet kërkuar forca më të mëdha të KFOR-it që të vendosen në Kosovë, përkatësisht në veri të Republikës.

NATO, UE dhe SHBA nuk duhet lejuar zbrazëti në Kosovë, as në Bosnie e Hercegovinë, në Maqedoni etj. Por, në epiqendër të sulmit ushtarak është Kosova. Rusia e kërkon këtë front dhe për këtë ka dërguar shumë forca vullnetare në Serbi dhe tash po veprojnë në veri”, u shpreh Kelmendi.

Në fund, ai tha se vetëm NATO i ka mundësitë që t’i ndal këto qëllime të Rusisë, për hapjen e një fronti të ri lufte.

“Bandat e Wagnerit e kanë marrë komandimin. Fronti i luftës mendohet të krijohet në veri të Kosovës dhe të shtrihet pastaj në republikat e tjera të Ballkanit. Këtë qëllim të Rusisë duhet ndaluar, mundësitë i ka NATO”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat