E cilësoi Kurtin si “anti-amerikan”, vjen kundërpërgjigjja ndaj Haradinajt: Po mashtron – frikësohet se po i zbulohet kjo gjë!

Politika

E cilësoi Kurtin si “anti-amerikan”, vjen kundërpërgjigjja ndaj Haradinajt: Po mashtron – frikësohet se po i zbulohet kjo gjë!

Nga: A.Morina Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 08:04
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti - Foto ilustrim “Bota sot”

Partitë opozitare kanë filluar me kritikat e tyre ndaj kryeministrit, duke marrë parasysh që Kurti po gjendet nën trysni nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit. 

Ku një nga më të zëshmit është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Ditë më parë, kryetari i AAK-së, të parin e qeverisë e ka cilësuar si anti-amerikan, ku sipas tij moskoordinimi me ShBA-në ka rrezikuar interesin nacional të Kosovës.  

Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh se “Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do ta vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Mos koordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional të vendit dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit”.  

E këto deklarata të Haradinaj për “Bota sot” i komentoi analisti nga Amerika, Binak Maxharraj. 

Fillimisht, ai e kundërshtoi faktin se kinse Kurti e ka rrezikuar interesin nacional, duke potencuar se refuzimi i Asocaiconit është ‘shpëtim’ për Kosovën.   

“A nuk është interes nacional kur qeveria Kurti tenton me çdo kusht të mbrojë Republikën e Kosovës nga thika pas shpinës duke mos e lejuar që kjo fantazmë e quajtur Asociacion të mbijë në Kosovë, apo kjo opozitë po e vlerëson interes nacional formimin e kësaj katrahure me kancer në Kosovë. A nuk ishte antiamerikanizëm sui-generis kur kjo opozitë dikur me urdhrat e ish-ambasadorit Richard Grenell dha urdhër për grusht-shtet në Kosovë duke e rrëzuar qeverinë Kurti I”, deklaroi profesori.    

Image
Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj. 

Krahas kësaj, Maxharraj i përmendi dy arsyet se pse Haradinaj është kaq kritik ndaj Kurtit, ku një prej tyre ishte edhe lufta e tij për pushtet. 

“Pse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është aq urrejtës ndaj Albin Kurtit , sipas mendimit tim janë dy arsyje:   

E para lufta për pushtet e Ramush Haradinajt. Sa ishte me PAN-istët ai gjithmonë u përfshinte në pazaret e pista për pozitë. Madje, në saje të kësaj ai ka arritur të marrë edhe pozitën e kryeministrit. 

E dyta, pse Ramush Haradinaj i vërsulet pa masë qeverisë Kurti është fakti se kjo qeveri për herë të parë po e lufton korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm të së cilës edhe vetë Ramushi mund të gjendet në llupën për t’u pastruar me ligjin për pasurinë e tij e sidomos tani kur veç u sanksionua edhe me ligj në Parlamentin e Kosovës përmes formimit të Byros Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajusifikueshme”, theksoi ai. 

Më tej, profesori mbështeti qëndrimet e kryeministrit Kurti për Asociacionin, derisa tha se formimi i tij është ‘kancer’ për vendin tonë. 

Ai e krahasoi atë me Republikën Srpska në Bosnjë Hercegovinë dhe e bëri një krahasim me atë.   

“Prandaj, të flitet për antiamerikanizmin e Albin Kurtit është një mashtrim. është një urrejtje e opozitës ndaj Kurtit i cili po ua zbulon të palarat e bëra për këto tri dekada në pushtet. Si mund të jetë antamerikan, njeriu i cili lufton për vendin e vetë, për sovranitetin e vendit, si mund të vlerësohet antiamerikanizëm kundërshtia e Kurtit që të mos lejohet formimi i Asociacionit një etnik serb në Kosovën multietnike, sepse ndarja në baza etnike është kancer për shtetin. Kjo më së miri tregohet në rastin e Bosnjës e cila ne Konferencën e Dejtonit u vijëzua në baza etnike dhe Bosnja e Hrecegovina është në rrezik të shkatërrimit. këtë më së miri e ilustroi Richard Holbrooke, një ideator i Konferencës së Dejtonit, kur tha se: organizimi shtetëror i BiH në baza etnike ishte një gabim katastrofal, i pafalshëm””, vlerësoi Maxharraj. 

Në fund, ai potencoi se Kurti nuk është antiamerikan, pasi refuzim i Asocaicionit nuk ka të bëjë me antiamerikanzëm, por opozita në vend që ta mbështesë kryeministrin, ajo me akuzat e saj po i bën ‘nder’ Vuçiqit. 

“Të kundërshtosh Gabriel Escobarin në insistimin e tij për themelimin e Asociacionit një etnik serb, nuk është antiamerikanizëm, por mbrojtje e shtetit dhe sovranitetit. Thjeshtë mendoj se në Kosovë nuk mund te këtë aniamerikanizëm të mirëfilltë kur dihet se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë, sepse shqiptarët nuk mund t’ia kthejnë shpinën Amerikës, pasi ajo ishte shpëtimtarja e saj, ku e nxori nga kthetrat e fashizmit serbo-çetnik. Prandaj, askush nuk mund të jetë antiamerikan, e aq më pak Albin Kurti në krahasim me liderët tjerë, i cili po i del në mbrojtje vendit të vetë duke luftuar me të gjitha të këqijat që kjo opozitë ia solli vendit të vetë me marrëveshje të dëmshme, ku në vend se t’i bashkohet qeverisë Kurti në këto moment kritike, ajo po vepron në të kundërtën po i bën ‘nder’ Serbisë dhe Vuçiqit”, përmbylli Binak Maxharraj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat