Dolën kundër planit evropian/ SHBA me “goditjen e duhur” për opozitën – ja çka iu përmendet nga e kaluara!

Politika

Dolën kundër planit evropian/ SHBA me “goditjen e duhur” për opozitën – ja çka iu përmendet nga e kaluara!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 mars 2023 Në ora: 18:53
Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku

Opozita në vazhdimësi është kundër vendimeve të Qeverisë. Së fundmi, dy partitë më të mëdha opozitare, PDK e LDK janë deklaruar edhe kundër propozimit evropian. 

Ky kundërshtim i vazhdueshëm i opozitës e në veçanti për planin evropian ka ngritur shqetësim edhe tek SHBA-të. 

Ata janë shprehur të shqetësuar lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian 

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti. 

Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. 

Lidhur me këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë. 

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane. 

Elezaj: Si mund të kenë PDK dhe LDK, qëndrime negative kundër një Plani, i cili brenda tij e ka njohjen praktike të pavarësisë së Kosovës 

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj. 

Image
Rexhep Elezaj

Ai u shpreh se këto deklarata të opozitës janë shumë të paqarta dhe naïve, pasi ky planë ka në qendër njohjen e Kosovës nga Serbia. 

“Deklaratat dhe qëndrimet e opozitës lidhur me Planin 11 pikësh të BE-së për Kosovën, thënë më se buti, janë naive, antikombëtare, mjaft të dëmshme dhe politikisht të paqëndrueshme, përjashto këtu AAK-në, kryetari i të cilës, z. R. Haradinaj e ka përkrahur publikisht këtë Plan.  

Si mund të kenë dy partitë kryesore të opozitës në Kosovë, PDK dhe LDK, qëndrime negative kundër një Plani, i cili brenda tij e ka njohjen praktike të pavarësisë së Kosovës (pika 2) nga Serbia, kuptohet nëse presidenti i saj e nënshkruan këtë Plan, të cilin A. Vuçiqi ka refuzuar ta nënshkruajë me 27 shkurt në takimin e fundit në Bruksel, kryekëput për shkak të pikës 2 dhe 5, të cilat realisht ofrojnë njohje “de-facto” të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”, u shpreh ai. 

Analisti tutje thotë që tradhtinë e ish liderëve të tyre partiak opozitarët e sotëm e anashkalojnë tinëzisht duke mos e cekur fare dhe me pafytyrësi këtë faj ia hedhin, pas gati 10 viteve Albin Kurtit. 

“Pra, është mjaft e çuditshme se pse këto dy parti opozitare kanë qëndrim mohues kur thonë se Plani i BE-së për Kosovën është i dëmshëm, duke i fokusuar sulmet e tyre vetëm ndaj qeverisë Kurti, për gjoja pranim nga ana e tij të “Zajednicës”, kur zogjtë në mal e dinë, se kanë qenë H. Thaçi, si kryeministër dhe Isa Mustafa, po ashtu kur ka qenë kryeministër, të cilët në vitin 2013 dhe 2015 i kanë nënshkruar të dyja marrëveshjet me Serbinë në Bruksel për formimin e “Zajdenicës” dhe atë me kompetenca ekzekutive. Dhe, këtë fakt tradhtie të ish liderëve të tyre partiak opozitarët e sotëm e anashkalojnë tinëzisht duke mos e cekur fare dhe me pafytyrësi këtë faj ia hedhin, pas gati 10 viteve Albin Kurtit, aktualisht kryeministër i Kosovës, i cili asokohe e ka kundërshtuar fuqishëm përmes protestave dhe reagimeve në Kuvendin e Kosovës formimin e AKS-së. Prandaj, me shumë të drejtë dje Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, doli me deklaratën ndëshkuese ndaj PDK-së dhe LDK-së, duke deklaruar se qëndrimi i tyre ndaj Planit të BE-së për Kosovën, është në kundërshtim me qëndrimin amerikan, që kjo ishte një goditje e rënd për udhëheqësit e këtyre dy partive”, shpjegon analisti. 

Nga ana tjetër Elezaj, radhit marrëveshjet e dëmshme që opozita ka bërë kundra Kosovës dhe se dënimi më meritor për të ishte zgjedhjet e 14 shkurtit, duke e zgjedhur Kurtin në qeverisje. 

Pra, kjo sjellje e këtyre dy partive opozitare mjaft çoroditëse dhe përçarëse, meriton çdo dënim dhe kritikë nga secili që ia donë të mirën Kosovës, në vend se ta luanin rolin konstruktiv kushtetues duke i ofruar ndihmë qeverisë, sidomos kur janë në pyetje çështjet kuruciale me interes madhor për shtetin dhe kombin, pavarësisht se cila parti politike është në pushtet! 

Pra, pas veprimeve të shëmtuara si dhe disa marrëveshjeve tepër të dëmshme për Kosovën, të cilat i kanë nënshkruar ish udhëheqësit e këtyre dy partive, PDK-së dhe LDK-së, në kohën kur Kosovën e sundonin bashkërisht, siç ishte marrëveshja për formimin e “Zajdenicës” serbe në Kosovë, që u cek më lartë, më pas marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar nga H. Thaçi dhe Isa Mustafa në Vjenë të Austrisë (2015) dhe e ratifikuar në Kuvend (2018), me të cilën këtij shteti fqinj iu falën mbi 8260 hektarë toka të trevës së Rugovës, pastaj aprovimi i Ligjit për formimin e Dhomave speciale të Gjykatës për krime të luftës në Kosovë, sot me seli në Hagë, etj., nuk ka asnjë dyshim, se opozita e sotme në Kosovë nuk e ka asnjë fije legjitimiteti politik dhe as moral, që ta kritikojë qeverinë aktuale pas dëmeve që ia kanë sjellë Kosovës dhe shtet-ndërtimit të saj gjatë kohës sa kanë qeverisur me vendin. Prandaj, se është kështu siç po themi, këtë më së miri e kanë treguar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, me 14 shkurt 2021, kur elektorati shqiptar i ndëshkoi rënd me votën e tij, duke i sjellë në nivelin më të ultë zgjedhor në 12%, gjegjësisht 17%-ind. Sepse, populli është sovrani, dhe ai më së miri dinë të vlerësojë se kush duhet të udhëheq me shtetin dhe Kosovën tonë të dashur”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”. 

Kelmendi: Kosova nuk derdhi gjakë që tash të ndahet e të copëtohet nga Serbia 

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, komenton pikat e planit franko-gjerman ka disa pika brenda saj dhe nëse ndonjë nuk e pranon atëhere I bie të mos aprovohet asnjë marrëveshje. 

Image
Muhamet Kelmendi

“Plani franko-gjerman apo evro-amerikan mund dhe futet në zbatim me marrëveshje konkrete vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Marrëveshja e tillë pas nënshkrimit shtrohet në Kuvend për diskutim dhe aprovim. Kudër ka mundësi të paditet në Gjykatën Kushtetuese. Ky është përfundimi dhe arritja e pikës ku një marrëveshje ndërkombëtare bëhet obligative për shtetet nënshkruese. Refuzimi i një pike nga marrëveshja është akt i mos aprovimit të marrëveshjes a të planit me karakter ndërkombëtar. Natyrisht se Kosova duhet të përcjell me vëmendje hapat e palës tjetër, të shtetit serb”, thotë ai. 

Juristi tutje shpjegon planet e Serbisë për të prekur sovranitetin e Kosovës dhe cek që të njëjtat nuk duhet të lejohen me propozimin franko-gjerman. 

“Serbia ka arritur që gradualisht me lojërat e tilla t'i heq apo t'i futi në diskutim dhe në aprovim çështjet shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës. Çështja e tillë ishte futja në thonjëza e Kosovës pasi që u shpall shtet më 2008. Arriti tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kërkoi dhe Kosova lëshoi në formimin e Gjykatës dhe të prokurorisë serbe. U vu policia nën komandën e veriut dhe u ndërtua për veri Gjykata e Apelit. Edhe në raport me subjektet e jashtme bëri punë shteti serb. Nëpër disa organizata të OKB-së nuk është subjekt Kosova. Serbia ka arritur të jetë subjektivitet ndërkombëtar edhe për Kosovën në OKB. Ceshtjet e tilla vazhduan. Me veprimet taktike serbe u arritë të kufizohet sovraniteti i shtetit të Kosovës. Tash është në planë edhe Asociacioni. Dhe, nëse kufizohet, hiqet a ndryshohet pika e katërt e planit franko-gjerman, de-fakto nuk ka më Kosova subjektivitet ndërkombëtar. Këtë nuk duhet lejuar”, potencoi juristi. 

“Kosova nuk luftojë dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vëhet nën kontrollin serb”, tha ndër të tjera ai. 

“Kërkohet qartësi dhe refuzim i çdo intevenimi në materie. Edhe ashtu plani ka anë shumë të dëmshme për Kosovën dhe të pakapshme politiko-juridinisht. Nëse edhe kjo ndryshon, kërkohet refuzim i tërësishëm i planit. Kosova nuk luftojë dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vëhet nën kontrollin serb. Kjo nuk është ardhmëri. Populli shqio derdhi gjak për liri, për pavarësi dhe për sovranitet e për shtet. Këtu nuk ka lëshime nga Republika e Kosovës”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat