Der Leyen dhe Biden diskutuan për dialog, paralajmëron analisti: Këtë vit do të ketë marrëveshje

Politika

Der Leyen dhe Biden diskutuan për dialog, paralajmëron analisti: Këtë vit do të ketë marrëveshje

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 mars 2023 Në ora: 20:57
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

18 Marsi do të jetë data kur do të mbahet takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Takimi do të mbahet në Ohër dhe ky vendim që Ohri të jetë vendi për një raund të ri negociatash ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç thuhet, “u mor edhe për shkak të qëndrimit të Presidentit të Serbisë se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend i pranueshëm në rajon si vend pritës. për bisedimet, të cilat po nxehen në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së problemit të Kosovës”.

Sipas burimeve diplomatike të “Nova TV”, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, konsideron se me këtë rast Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet njohja si partner strategjik i qëndrueshëm i BE-së, si dhe sukseset me marrëveshjet e Prespës dhe Ohrit, të cilat BE-ja i vlerëson si shembull në rajon për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Në anën tjetër, të premten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen është pritur në takim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me të cilin kanë biseduar për shumë çështje, pa e harruar edhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Von Der Leyen në konferencën e mbajtur për media pas takimit që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar se kanë folur shkurtimisht me Joe Biden edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Analisti Faton Mehmeti thotë se ky takim konfirmon vendosmërinë e SHBA-së dhe BE-së për ta përmbyllur marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Sipas Mehmetit, gjasat janë që brenda vitit të nënshkruhet marrëveshja dhe nëse jo do të vazhdojë gjatë pa përmbyllje të suksesshme.

“Takimi me zonjës Leyen dhe z. Biden konfirmon edhe një herë vendosmërinë e SHBA-së dhe BE-së për të përmbyllur marrëveshjen Kosovë-Serbi. Nëse, nuk arrihet një gjë e tillë në afat të shkurtë procesi rrezikon të futet në rreth vicioz. Duke pasur këtë gjë parasysh edhe vet z.Biden është përfshirë në këtë proces me mbështetjen e fuqishme. Gjasat janë që brenda vitit të nënshkruhet marrëveshja, nëse jo do të vazhdojë gjatë dhe pa sukses. Për të mirën e të dyja vendeve dhe të rajoni është mirë të përmbyllet një herë e përgjithmonë konflikti Kosovë-Serbi”, deklaron Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Kujtojmë, se në Bruksel më 27 shkurt, pas një raundi të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Borrell tha se liderët e të dy palëve ranë dakord se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por se negociatat shtesë nevojiten për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Kurse, kabineti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut konfirmoi të nesërmen se Kovaçevski është i gatshëm të presë takimin Kurti-Vuçiq në kuadër të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-së, më 18 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat