Padia e harruar e Kurtit ndaj Serbisë – Ja pse Vuçiq e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB

Politika

Padia e harruar e Kurtit ndaj Serbisë – Ja pse Vuçiq e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 13 mars 2023 Në ora: 23:07
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Pas presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar, tashmë është zhbllokuar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Madje për takimin e rasdhës, i cili do të mbahet me 18 mars në Ohër të Maqedonisë, po paralajmërohet se mund të ketë edhe një marrëveshje sa i përket zbatimit të planit frakno-gjerman, propozim ky i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

Sipas emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, plani i zbatimit dhe propozimi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, mund të finalizohen si një dokument më 18 mars.

Por, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës kur ishte në opozitë, por edhe ku u zgjodh kryeministër, Albin Kurti kishte thënë vazhdimisht se do ta padisin Serbinë për krime e gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Ne me ministren e Drejtësisë, ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi, kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe për këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve e që janë një përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë, as nuk guxon, as nuk mundet, as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e që përveç tjerash, lidhen edhe me institutin për kryerjen e krimeve gjatë luftës. Themi kështu, sepse nuk janë vetëm krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftë dhe kjo e meriton një pati, andaj përgatitjen e saj qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura dhe që besa edhe ndaj ardhmërisë tonë që e kërkon një shtet demokratik e të drejtë”, kishte thënë Kurti në njërën nga konferencat e tij si kryeministër më 7 maj të vitit 2021.

Ani pse Kurti kishte paralajmëruar, deri më tani padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk ka ndodhur.

Por kur mund të ndodhë një gjë e tillë? Lidhur me këtë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, thotë se tema e denoncimit në gjykatën ndërkombëtare të Hagës të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë ka qenë gjithnjë në vëmendje të premtimeve elektorale.

Dosja për gjenocid kundër Serbisë

“Në fakt kësaj ideje i ka dhënë dimension sensibilizues fakti që në Kosovë kishte dhe ende ka personazhe, të cilët kërkojnë dhe punojnë për “faljen e krimeve dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë” gjatë viteve 1990 e sidomos në vitet 1998-1999. Kur dikush, si Baton Haxhiu, sigurisht i nxitur dhe porositur nga Thaçi dhe Rama, del e deklaron se “Nuk kemi çfarë të kërkojmë tani pas 20 vjetësh për krimet serbe në Kosovë”, atëherë merret me mend se si reagojnë viktimat e vërteta të atij gjenocidi. Nuk e di nëse Thaçi e Batoni kishin ose jo njerëz të familjes së ngushtë të tyre si viktima të luftës së fundit në Kosovë. Por nuk e besoj se do të kenë. Ndryshe do të duhej menduar se diçka shumë serioze i ka detyruar të ishin pro-faljes së krimeve të Milosheviçit. Krimet ndëshkohen në çdo kohë. Ne kemi parë se si para një dekadë u arrestua një ish-kriminel i kohës së nazizmit në moshën 90 vjeç dhe pas 70 vitesh të Luftës së Dytë Botërore. Kështu ndodh e duhet të ndodh me të implikuarit në krime kundër njerëzimit dhe në gjenocide”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Në këtë lloj kontrasti merr vëmendje të madhe një premtim i tillë, si ai që Albin Kurti ka bërë për dënimin e krimeve dhe gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë. Ky premtim shkon edhe si akt kundërvënieje ndaj ngritjes së Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, ku sot gjenden pikërisht ata që e krijuan, më saktë ish-presidenti Thaçi! E gjithë retorika e dënimit dhe ndëshkimit të krimeve të Serbisë në Kosovë kundër shqiptarëve merr vëmendje pra edhe në raport me disa zhvillime të tjera”, shprehet Bytyçi.

Se pse nuk po ndodhë padia për gjenocid ndaj Serbisë, Bytyçi si arsye jep edhe atë se Kosova nuk është anëtare te OKB-së, gjë të cilën po e kundërshton edhe sot Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Por duhet thënë se Kosova nuk është ende shtet Sovran dhe i pavarur në kuptimin e njohjes ndërkombëtare. Pra, nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë se Kosova nuk është subjekt për të ngritur padi në Gjykatën e Hagës. Si e tillë nuk ka të drejtë të ngrejë padi kundër një shteti tjetër. Në këtë rast as kundër Serbisë. Kjo e drejtë i lind në momentin që ajo bëhet anëtare e OKB-së. Pikërisht për këtë arsye Aleksandër Vuçiq e kundërshton fort marrëveshjen franko-gjermane për ta pranuar Kosovën anëtare të OKB-së. Prandaj dhe premtimet e kryeministrit Kurti nuk janë bazuar në realitetin politik e juridik të kohës. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai nuk flet tashmë për denoncimin juridik penal të këtyre krimeve. Por kanë ndodhur dhe zhvillime të tjera. Të jesh në një proces dialogu dhe të flasësh pa pushim për të drejtën dhe kërkesën e padisë kundër shtetit me të cilin po negocion është e pamatur”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Por a do të thotë kjo që shteti i Kosovës të rrijë duarkryq e të mos përgatisë dosjen e padisë kundër krimeve të Serbisë në Kosovë për asgjësimin e shqiptarëve?

“Sigurisht që jo. Shteti i Kosovës e ka për detyrë ta përgatisë këtë dosje, të plotë, me dëshmi, fakte, video. Incizime, dokumente, urdhra dhe të tjera fakte. Janë asgjësuar fizikisht rreth 14 mijë shqiptarë në një periudhë shumë të shkurtër. Janë përdhunuar 20 mijë gra e vajza shqiptare. Janë shkatërruar 120 mijë objekte banimi e biznesi, fetare, kulturore e historike. Janë dëbuar rreth një milion shqiptarë. Janë dëmtuar qëllimisht e asgjësuar dhjetëra e qindra mijë kafshë shtëpiake e dëmtuar prodhime bujqësore. Të gjitha këto janë bërë sipas një programi shfarosës. Prandaj dhe shteti ka për detyrë të depozitojë çdo fakt, çdo të dhënë, çdo dokument për t’i provuar këto dëme dhe krime”, thekson Bytyçi.

Më tej, ai thotë se përgatitja e dosjes është akti që e bën serioze edhe qëndrimin e palës së Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Nuk e di nëse zoti Kurti i ka realizuar këto obligime që rrjedhin nga premtimi që ai ka dhënë në fushatën zgjedhore. Nëse po, atëherë kjo është një punë e mire. Sepse ne e dimë që pasardhësit e zotit Kurti nuk patën interes për këtë aspekt me idenë dhe dëshirën e mirë që në këmbim të shuarjes së Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, të nënshkruhej një marrëveshje midis palëve në dialog për heqjen dorë të Kosovës për të paditur krimet serbe e gjenocidin milosheviçian në luftën e fundit kundër shqiptarëve. Nuk e di si do të trajtohet kjo çështje në dialogun me Serbinë. Ndoshta është pikërisht kjo çështje që do të negociohet kur Serbia të vendosë njohjen e shtetit të Kosovës. Por unë mendoj se asociacioni bazuar në kushtetutë të jetë koncesioni që Kosova jep në këmbim të njohjes së saj nga Serbia”, përfundon për “Bota sot:”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Haziri kritikon Kurtin

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri kritikon hapur kryeministrin Kurtin për mbajtjen e premtimit për padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Kurti ka thënë apo deklaruar shumë gjëra që nuk do i bëj apo do I bëj dhe tani po e bën të kundërtën e atyre që kishte deklaruar më parë qoftë si parti opozitare, qoftë në fushata parazgjedhore. Pra është i njëjti edhe sa i përket deklaratës dhe premtimit të tij se do ta padiste Serbinë për krime e gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare dhe deri më tani ne nuk kemi parë asnjë veprim të tij në këtë drejtim. Se pse nuk po ndodhë kjo gjë, pra pse nuk po paditet Serbia për krime dhe gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare, duhet pyetur z. Kurti pasi ai është kryeministër i vendit”, deklaron Haziri.

Sipas Hazirit, padia për gjenocid duhet të ndodhë para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Por unë mendojë se z. Kurti nuk është i interesuar për një gjë të tillë, pasi siç duket ai më më shumë interes ka ta luftoj opozitën dhe të merret me propagandë se sa ta ballafaqojë Serbinë në Gjykatat ndërkombëtare për krimet e kryera në Kosovë. Natyrisht se kjo duhet të bëhet para një marrëveshje finale me Serbinë, dhe kujtoj se llogaridhënia e Serbisë për të gjitha krimet në Kosovë dhe kërkim falja nga ana e saj do t’i shërbente paqes së vërtetë dhe marrëdhënieve normale e fqinjësore me Kosovën”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat