“Doli haptas si një despot me direktivën e Vuçiqit”, analisti i reagon Lajçakut: Ky është “kërcënimi” që i bëri Kosovës!

Politika

“Doli haptas si një despot me direktivën e Vuçiqit”, analisti i reagon Lajçakut: Ky është “kërcënimi” që i bëri Kosovës!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 mars 2023 Në ora: 17:17
Miroslav Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër, takim ky në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ata pritet të diskutojnë dhe ta nënshkruajnë zbatimin e planit evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Tashmë është bërë publike edhe agjenda e takimeve.

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Fqinjësi, Joseph Borrell, do të zhvillojë fillimisht takime të ndara me dy liderët, të cilat do të nisin në orën 10:00, para se të mbahet takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit.

BE ka njoftuar se të dy liderët tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

Gjersa, ende është në pikëpyetje nënshkrimi apo jo i planit evropian, ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak thotë se nëse nuk formohet asociacioni, nuk do të ketë marrëveshje në Ohër.

Lajçak i cili tashmë i ka dorëzuar kryeministrit Kurti, 15 modele evropiane për asociacion, ka ripërsëritur të martën në mediat serbe se asociacioni do të formohet.

Analisti politik, Binak Maxharraj, thotë se BE qëllimshëm apo jo ka caktuar në dialog ndërmjetësues me dinjitet pro serb.

“Ky është komplot, masakër i dialogut?! /Lajçak s’ka marrëveshje pa Asociacion! Janë 12 vite të humbura në dialog midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo vjen nga fakti së BE qëllimshëm apo jo, çdo herë në dialog caktoi si ndërmjetësues njerëz me dinjitet pro serb duke filluar nga Fedrika Mogherini një pro ruso-serbe, e cila haptas lejoi që të diagolohet edhe ndarja e Kosovës apo korrigjimi i kufijve, por në fund doli edhe e korruptuar pasi që kishte keqpërdorur fond të BE-së. Pastaj, vijnë e caktohen nga BE si me qëllim ndërmjetësues tjerë, jo që ishin pro-serb, por edhe vijnë nga vendet që se kanë njohur Kosove si Joe Borell nga Spanja dhe Mirosllav Lajçak nga Sllovakia. Qëndrimet e tyre në dialog shihen qartë se haptas anonin kah Serbia duke harruar të kaluarën e saj, e cila i ka nisë katër lufta në ish-Jugosllavi ku ka vrarë dhe masakruar dhe deportuar me dhunë civil”, pohon Maxharraj.

Ai nuk shpreh habi për Bashkimin Evropian, por për Amerikën dhe caktimin e emisarit Gabriel Escobar si dërguar në dialog, pasi që sipas tij, ai për interesat e Serbisë fyen dhe ofendon qeverinë e Kosovës.

“Se, pse, BE vendosi ndërmjetësues në dialog njerëz të tillë me anim kah Serbia, kjo nuk është fort e çuditshme duke e ditur qëndrimin shekullor të Evropës ndaj shqiptarëve të cilët i copëtoi trojet e tyre duke i ndarë në shumë shtete. Por është shumë e çuditshme se si është e mundshme që edhe Amerika të dërgojë emisar pro-serb si Gabriel Escobar dhe ambasadorin Christofer Hill në Serbi. Dihet qëndrimi i Hillit gjatë luftës kur ndërmjetësonte, ishte jo korrekt çfarë e detyroi sekretaren e shtetit Madeline Albbright që ta largojë nga çdo marrëveshje. Hill ishte i dyshimtë edhe gjatë konferencës se Ramë Bujës, kur haptas deklaronte se është kundër pavarësisë së Kosovës. Edhe sot si ambasador në Serbi, Hill po i fryn me të madhe zjarrit të Vuçiqit në dëm të Kosovës. Por nuk është aspak më e mirë edhe sjellja e emisarit special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar i cili për interesa te Serbisë e fyen dhe e ofendon qeverinë e Kosovës dhe Kurtin në veçanti i cili përpiqet që të mbrojë ligjet e vendit të vet”, thekson Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Duke përmendur ekspozitën e bashkëshortes së emisarit Escobar në Beograd, analisti thotë se një gjë e tillë është skandal diplomatik.

“Escobar shihet edhe si një njeri i afërt edhe me ambasadorin Gjuriq në Uashington e posaçërisht me kryetarin Vuçiq në Serbi, duke i përkrahur kërkesat e tij jo parimore. Por se sa është i afërt Escobari me Serbinë shihet qartë edhe promovimi i ekspozitës së gruas së tij në Beograd ditë më parë Elizabet nga Ministria e Jashtme e Serbisë që lë përshtypjen si shpërblim për përkrahjen e hapur të tij ndaj Serbisë. Hapja e ekspozitës së gruas së tij është një skandal diplomatik i cili lë dyshime. Ky rast edhe duhet të hetohet nga DASH, bile edhe të zëvendësohet me një tjetër emisar”, shprehet Maxharraj.

Dialogu Kosovë- Serbi i filluar që nga viti 2011 si dialog teknik, për të vazhduar si dialog politik në vitin 2012, është udhëhequr edhe nga ish- presidenti Hashim Thaçi dhe ish- kryeministri Isa Mustafa.

Nën udhëheqjen e tyre, madje është nënshkruar marrëveshja e asociacionit, marrëveshje kjo e dëmshme sipas Maxharrajt.

Analisti Maxharrajt, pos Thaçit dhe Mustafës që i konsideron kontribuues “të keq” në dialog, edhe emisarin Lajçak e quan pro serb.

“Por dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me të madhe për të keq i kontribuuan edhe liderët tanë si Thaçi dhe Mustafa, duke nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën që doli antikushtetuese dhe si e tillë e kërcënon sovranitetin dhe integritetin e vendit. Por sot siç lajmërojnë mediat në vend edhe jashtë kërcënimin më të madh ia bëri Kosovës, Miroslav Lajçak i cili doli haptas, jo si një ndërmjetësues, por si një despot me direktivën e Vuçiqit, e kërcënoi qeverinë e Kosovës dhe Kurtin duke deklaruar haptas pa fije turpi se ”nuk ka marrëveshje pa Asociacion” , pra ky teveçel pro-serb doli haptas krah Vuçiqit dhe këtë e bën në prag të takimit të ardhshëm në Ohër cili do të mbahet me 18 mars. Një kërcënim i tillë nuk i ka hije një diplomati, por është më tepër si një kërcënim ndaj Kosovës dhe Kurtit me qëllim të nënshtrimit të tij. Por Lajçak e dinë se Kurti është një arrë e fortë, i cili askush nuk mund ta thyen kur është në pyetje mbrojtja e vendit të vet, sepse Kurti nuk është i njëjtë si para ardhësit e tij Thaçi dhe Mustafa të cilët ishin të shantazhuar nga Serbia dhe Vuçiqi, sillej me ta siç donte”, vazhdon analisti.

Kryeministri Kurti e ka pranuar planin evropian në takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe pati deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë, por presidenti serb ngurroi që të vë nënshkrimin mbi dokument.

Fytyra e vërtetë e Vuçiqit, sipas Maxharrajt, do të shihet në Ohër dhe BE- SHBA do të ndahen të zhgënjyer.

“Lajçak si një pro-serb e dinë fare mirë se nuk mund ta nxjerrë në këtë mënyrë bizare Vuçiqin nga humnera në të cilën ka rënë, nuk mund të mbrojë çdo herë mashtrimet, insinuatat e tij karshi Kosovës. Është krejtësisht e qartë se edhe “loja bizare rreth dhe për Asociacionin” është një diçka sa për të mashtruar, për të fituar në kohë, sepse Vuçiqit nuk do dhe nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën siç ndodhi në Bruksel i cili i bëri bisht nënshkrimit. Por kësaj radhe në Ohër ai do ta tregojë fytyrën e tij të vërtetë prej qetniku kundër Kosovës, i cili më 18 mars nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, sepse ai veç e ka ndarë rrugën e tij në përqafim të Rusisë dhe kundër Evropës, sepse sipas hulumtimit të opinionit publik në Serbi, mbi 80 për qind janë kundër hyrjes së Serbisë në BE, aq më tepër kur nacionalizmi ekstrem shiovenist serb është në nivel të kohës së Milloshviqit i ushqyer me urrejtje ndaj shqiptarëve. Pra, edhe kësaj radhe derisa BE/SHBA e përdorin karotën, përkëdheljen dhe ledhatimin ndaj Serbisë dhe Vuçiqit në veçanti nuk do të kenë sukses as kësaj radhe dhe në tubimin e Ohrit do të ndahen të zhgënjyer me Vuçiqin, i cili nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen sipas planit franko-gjerman, kurse kërcënimi me Asociacionin përmes Lajçkut është vetëm një mashtrim i radhës. Deri kur BE/SHBA do të kuptojnë se Serbia e njeh vetëm forcën për ta urtësuar atë, kjo është historikisht e njohur”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat