Paralajmërohen zhvillime dramatike në Ohër: Ja pse nuk do të ketë marrëveshje, kjo e pret Serbinë

Politika

Paralajmërohen zhvillime dramatike në Ohër: Ja pse nuk do të ketë marrëveshje, kjo e pret Serbinë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 mars 2023 Në ora: 21:12
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, duke folur për pritshmëritë e takimit të 18 marsit në Ohër në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se Serbia ende nuk ka një qëndrim pro planit franko-gjerman, për dallim nga Kosova e cila tashmë ka dal pro këtij plani.

“Prishtina deri më tani ka lënë të kuptohet se do e bëjnë një asociacion multietnik dhe jo të formës së 2013 apo 2015. Ndërsa, Beogradi ka deklaruar se nuk do e lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mirëpo, për dallim nga Serbia që nuk ka akoma një qëndrim pro apo kundër planit evropian për stabilizim të marrëdhënieve, Kosova është deklaruar pro këtij plani”, thotë Kuçi.

Sipas tij, nuk pritet të ketë marrëveshje më 18 mars.

“Mirëpo, të dy qëndrimet e të dyja palëve tregojnë se nuk do ketë një marrëveshje. Ngjarjet e tanishme sikur kanë një lloj ngjashmërie me ato të Konferencës së Rambujesë me 1999, edhe atëherë palët nga Kosova dhe Serbia ishin kthyer në vendet e tyre përkatëse për të vendosur rreth marrëveshjes dhe pas rreth dy javësh në Rambuje e kishte nënshkruar vetëm pala kosovare ndërsa ajo serbe e kishte refuzuar me çka edhe kishin pasuar bombardimet e NATO-së”, shprehet Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Pra, gjasat janë që pala serbe të mos e nënshkruaj fare asociacionin pasi interesi i tyre dhe i Rusisë është që çështjen e Kosovës ta dërgojnë në një konferencë ndërkombëtare ku do jetë e përfshirë edhe paqja në Ukrainë dhe aty mund të përfitojnë më shumë strategjikisht”, shpjegon më tej Kuçi për “Bota sot”.

Kuçi ka treguar edhe sanksionet të cilat e presin Serbinë, në rast se nuk e nënshkruan marrëveshjen e sponsorizuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mirëpo, ka një deklaratë të fortë nga BE-ja dhe SHBA-ja se refuzimi i marrëveshjes nga cila do palë do të pasojë me ndëshkime, përderisa në Serbi janë plot investitorë perëndimorë, fonde nga BE-ja dhe një proces anëtarësimi në BE, gjasat janë që të gjitha këto t’i humbasë. Por, nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen atëherë do e shohim SHBA-në duke i bërë presion BE-së për sanksione ndaj Serbisë, pasi vendet e BE-së nuk është që duan një aleat nga Kosova para Serbisë për shkak të interesave të caktuara”, deklaron Kuçi.

“Gjendja, është shumë e paqartë, por gjasat janë që Serbia nuk do e nënshkruaj dhe nëse bazohemi në një deklarata të para disa muajsh të Escobar-it, ai patë thënë se “bashkëpunimi ynë me qeverinë e Kosovës është i mirë, por taktik”, atëherë jemi para një akti taktik që po bënë edhe Kosova. Duke pasur parasysh që me ligjet e Serbisë lejohen krijime të asociacioneve me kompetenca ekzekutive, atëherë kjo i shton gjasat e refuzimit. Mirëpo, Serbia edhe nëse e nënshkruan vështirë se do e zbatojë”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se nuk e ka në plan të nënshkruaj asgjë në Ohër.

“Ne kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët e kanë dorëzuar të tyrin, ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli. Kur të dëgjoni diçka të tillë nga dikush, mos ngurroni t’i thoni në fytyrë se është gënjeshtar… Kur dikush nënshkruan diçka, unë do të jem ai, dhe nuk kam në plan të nënshkruaj asgjë”, tha Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat