“Nuk negociohet për pikat, veç do implementohet”, a do të formohet asociacioni me plan franko-gjerman në version të Serbisë?

Politika

“Nuk negociohet për pikat, veç do implementohet”, a do të formohet asociacioni me plan franko-gjerman në version të Serbisë?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 mars 2023 Në ora: 22:39
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Vetëm një ditë ka mbetur deri te takimi i Kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Ohër.

Para takimit të shumë pritur, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në Ohër nuk do të negociohet për 11 pikat e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në Ohër do të diskutohet për implementimin e këtyre 11 pikave në mënyrë efektive dhe të suksesshme.

Nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky është një moment për ta avancuar integrimin e Kosovës në BE dhe Kosova ta marrë rolin e saj në Ballkanin Perëndimor si vend i pavarur dhe sovran”.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikanë, analistët politikë thonë se takimi i Ohrit është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Sipas tyre, mund të nënshkruhet marrëveshja më 18 mars, por do të ketë vështirësi në implementim.

Ambasadori i SHBA-ve, është në pajtueshmëri me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se deklarata e ambasadorit amerikan është në përputhshmëri me deklaratat e kryeministrit Kurti.

Image
Sulejman Mehazi

Deklarata e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se takimi i nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër do jetë vetëm implemetimi i 11 pikave e kurrsesi negocioimi i këtyre pikave dhe se nuk do ketë diskutime e kundërshtime të pikave, por vetëm nënshkrime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ambasadori i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, hiç më shumë e hiç më pak është në pajtueshmëri me kryeministrin e Kosovës, Kurtin, i cili që në takimin paraprak në Bruksel ishte gati t’i vinte nënshkrimin e tij të 11 pikave të planit franko-gjerman, përkundër presidentit të Serbisë, Vuçiqit që refuzoi e nuk pranoi të nënshkruante implemetimin e 11 pikave evropiane”, deklaron Mehazi.

I pyetur nëse deklarata e ambasadorit, nënkupton edhe formimin e asociacionit siç e ka kërkuar Serbia, Mehazi, thotë se deklarata e tij, është në dobi të Kosovës dhe në dëm të Serbisë.

Sipas Mehazit, njohja e Kosovës nga Serbia është vdekjeprurëse e eleminuese për vetë presidentin e Serbisë.

Besojmë se pesha e nënshkrimit dhe implemetimit 11 pikëshe të planit evropian për njohjen e Kosovës nga Serbia do jetë më e vështirë për Vuçiqit sesa për Kurtin. Njohja e Kosovës nga Serbia është vdekjeprurëse e eliminuese për vetë presidentin e Serbisë, themi kështu për shkak se shumë më e rëndë e deklasuese për presidentin e Serbisë, Vuçiqin do jetë njohja e Kosovës sesa asociacionet serbe në Kosovë. Implemetimi i 11 pikave të planit franko-gjerman ofron Kosovën në OKB, BE e NATO, prandaj deklarata e Ambasadorit Amerikan, Hovenier, më shumë është në dobi të Kosovës e në dëm të Serbisë”, thekson Mehazi.

Ambasadori amerikan ka theksuar se se ShBA-të nuk vlerësojnë se do të ketë një propozim tjetër për Kosovën dhe Serbinë, andaj sipas tij, ky është një moment shumë i rëndësishëm për të dyja palët.

Ajo që do të diskutohet është aneksi për çështjet që do të zbatohen këto principe dhe si të bëhet kjo në mënyrë efektive. Ky është fokusi ynë kryesor, një implementim efektiv dhe i suksesshëm”.

“Më duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlerësojnë se një marrëveshje më e mirë është në dispozicion tani, ky është një hap i madh përpara. Është një mundësi e jashtëzakonshme. E avancon stabilitetin rajonal, i ripozicionon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë drejt një ‘status quo-je’ shumë më të mire”, ka vazhduar ambasadori.

Hovenier ka thënë se ShBA-ja qëndron prapa pozicionit që ka mbajtur për vite, e që ka të bëjë me arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që ka në qendër të saj njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Në Ohër do të pranohet plani franko-gjerman”

Ndërsa, sipas juristit Muhamet Kelmendi, ky plan është çështja më e rëndësishme për Kosovën.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, në Ohër mund të pranohet plani franko- gjerman dhe pastaj fillon zbatimi.

Implementimi i planit të UE-së dhe të SHBA-së është çështja më e rëndsishme për Republikën e Kosovës. Ambasadori i SHBA-ve, z. Jeffrey Hovenier, dha një deklaratë ku kërkoi që në Ohër të fillohet me diskutime mbi mënyrën e zbatimit të planit. Duket se kjo deklaratë ka karakter të presionit mbi palët në Ohër. Është gjë shumë e qartë se plani i UE-së dhe i SHBA-ve i njohur si plani franko-gjerman, nga palët juridikisht nuk është pranuar. Mbetet që në Ohër të pranohet apo të refuzohet plani. Mendohet se në Ohër do të pranohet plani franko-gjerman, respektivsht plani i UE-së dhe i SHBA-ve. Pas pranimit te planit fillohet tamam me diskutime mbi zbatimin (implementimin) e 11 pikave të planit”, pohon Kelmendi.

Vështirësi sipas tij, do të ketë në zbatimin e planit.

Asociacioni, kompentencat dhe organet, pozita e Kosovës në botë, reciprociteti dhe njohja reciproke mbeten çështjet më të rëndësishme, sipas Kelmendit.

Në zbatim të planit do të ketë vështirësi. Kjo, për faktin se plani është shumë kontradiktor dhe i mbushur me shprehje që të dy palët i kënaqë Megjithatë, kërkohet të vihen në spikam çështjet më të rënda. Këtu po i përmendi disa: 1. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë mbi radhën e pikave të marrëveshjeve apo të futjes në pikë të parë të zbatimit të Asociscionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si kusht i palës serbe. 2. Mënyra e ndërlidhjes së Asociacionit me shtetin serb dhe me organet e Kosovës, sidomos në nivelin e kompetencave, të organeve dhe të nënshtrimit ndaj Republikës së Kosovës, deri në shpërbërjen e Asociacionit nga Republika e Kosovës. 3. Pozita e Kosovës në kuadër të organizatave të ndryshme në Evropë dhe deri në OKB-në. 4. Reciprociteti si mënyrë e zgjidhjes së çështjeve të ndryshme me interesa për dy shtetet. 5. Njohja reciproke e shtetit. Ka edhe shumë çështje të tjera që lypset të diskutohen. Por, asociacioni, kompetencat dhe organet, pozita e Kosovës në botë, reciprociteti dhe njohja reciproke mbeten çështje më të rëndësishme. Këtu duhet syqeltësi, vendosmëri dhe qëndrim i patundur në mbrojtjen e Republikës. Këtej kërkohet të ecet përpara”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat