Propozoi Shefe të SHISH-it ish-zv. drejtoreshën e AKI-së, të shkarkuar nga Kurti e Osmani - ky është qëllimi i Edi Ramës sipas analistëve

Politika

Propozoi Shefe të SHISH-it ish-zv. drejtoreshën e AKI-së, të shkarkuar nga Kurti e Osmani - ky është qëllimi i Edi Ramës sipas analistëve

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 mars 2023 Në ora: 22:27
Vlora Hyseni

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka propozuar Vlora Hysenin për Drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë.

Hyseni ishte zëvendëshefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilën e ka shkarkuar Kryeministri Albin Kurti.

Rama ka thënë se kredibiliteti që e ka Hyseni në komunitetin e inteligjencës e bën atë të jetë në krye.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ky propozim ka ngjallur reagime të mëdha në opinonin publik, pasi është parë nga shumë figura politike edhe si një provokim ndaj Osmanit dhe Kurtit.

Hyseni ishte shkarkuar nga posti i zëvendëshefes së AKI-së dy vite më parë, derisa nuk janë bërë të ditura arsyet e shkarkimit të saj. Aty vetëm thuhej se zëvendësdrejtoresha e deritashme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

Burjani: Emërimi më i çuditshëm në historinë e shteteve normale

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai u shpreh se ky emërim është më i çuditshmi deri më tani, mirëpo që është e drejtë e Shqipërisë.

Së pari është emërimi më i çuditshëm në historinë e shteteve normale, njerëz edhe në pension kur të dalin kanë obligim ndaj shtetit që kanë mbajtë poste të kësaj natyre. Sa kanë të drejta kanë edhe ndalesa, duhet me pasur parasysh natyren e punëve dhe informatava që bartin me vete. Po të ishte emëruar këshilltar e kryministrit Rama është çështje tjetër por shef i SHISH-it është interesante. Po edhe ligjet e Kosovës janë shumë të mangëta në këtë drejtim, këto poste kanë të bëjnë me sigurinë shtetërore dhe kjo nuk është argëtuese”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thekson që ky emërim i takon Ramës, mirëpo nëse shikojmë në një anë atëherë mund ta shohim si siguri të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.

Por kjo është çështje e Ramës dhe shtetit tonë vëllazëror, Shqipërisë. Pra nëse flasim për këtë emërim mund të interpretojm siguri te Kosova po sikur Shqipëria mund të ketë një siguri të përbashkët në rajon dhe më gjerë. Pra, politika e sigurisë në rajon mund të jetë unike”, foli Burjani për “Bota sot”.

Shahu: Më shumë politikanë nga Kosova i duhen Shqipërisë

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, thotë që ky veprim i Ramës nëse shohim anën pozitive atëherë tregon një lidhshmëri të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas analistit, Shqipërisë i duhen politikanë nga Kosova.

“Ka disa këndvështrime vendimi për ta emëruar kryetare të shërbimit sekret të Shqipërisë një shqiptar apo shqiptare të Kosovës. Apo për ta emëruar në poste të larta ndonjë shqiptar prej Kosove. Unë, pa hyrë në analiza politike partiake, kam qenë e jam që në qeverinë e Shqipërisë duhet të ketë shqiptare të Kosovës gjithmonë. Dhe ka patur të tillë, për të cilët herë është bërë zhurmë e herë nuk është bërë zhurmë, ka patur të tillë me ndikim e personalitete të spikatura dhe ka patur edhe të rinj pa ndonjë impakt. Të mos harrojme se kemi patur kryeminister Rexhep Mitrovicën në Tiranë, kemi patur ministra nga Kosova, ka patur në fillime të shtetit shqiptarë ministrin e luftës e të mbrojtjes nga Shkoza e Kosovës”, shpjegon analisti.

Tutje, ai thotë që është ende skeptic për arsyjen e këtij veprimi duke ditur që është mik i Vuçiqit, mirëpo duhet nga NATO një verifikim për arsyet që Vlora është shkarkuar nga Kurti dhe Osmani.

“Nisur nga dëshira ime që të ketë titullare prej Kosove në pushtet në Shqipëri, unë e çmoj këtë veprim të Edi Ramës që Vlora Hyseni të bëhet kryetare e shërbimit sekret të Shqipërisë. E pse e ka shkarkuar Kurti e Osmani, ajo gjë lehtësisht verifikohet nga partnerët tanë të NATO-s, pasi shërbimet sekrete të vendeve të NATO-s, siç është edhe Shqipëria besoj kalojnë në sitën e NATO-s. Kjo ka edhe një anë tjetër për Edi Ramën i cili me këtë vendim e propozim, then shigjetat e rrufeve ndaj tij si mik i presidentit serb Vuçiq, si njeri që akuzohet se nuk është kujdes sa duhet për Kosovën. Mund te ketë shumë këndvështrime, por në këtë rast unë e shoh në këtë mënyrë”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat