Skenari: Serbia tërhiqet nga marrëveshja e Ohrit?

Politika

Skenari: Serbia tërhiqet nga marrëveshja e Ohrit?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 mars 2023 Në ora: 16:13
Takimi i Ohrit, 18 mars

Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në Ohër do duhej të niste që nga dita e hënë, por që kjo nuk ka ndodhur për fajin e Serbisë, për çka, Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Por, pavarësisht kërkesës së Kurtit ndaj bashkësisë ndërkombëtare, këta të fundit si jo rrallë herë, kanë zgjedhur heshtjen karshi Serbisë. Ndërsa sipas analistëve, Serbia po tenton që të ikë nga marrëveshja që u arrit në Ohër me 18 mars.

Sabotim i marrëveshjes

Publicisti dhe analisti Rexhep Shahu thotë se Serbia do të bëjë të pamundurën që ta sabotojë marrëveshjen me Kosovën.

Image
Rexhep Shahu

“Serbia do të bëjë të pamundurën që të mos e zbatojë marrëveshjen, do ta sabotojnë Kosovën sa të mundet. Kosova ka mundësi e fuqi me u ankua, me qenë serioze bë dukumentimin e ankesës dhe paraqitjen d saj ku duhet zyrtarisht dhe jo në media. Bashkësia ndërkombëtare natyrisht që nuk ka veç hallin e Kosovës dhe Serbisë. Koha do të jetë shëruesja e paqtuesja më e mire. Ata që janë kundër marrëveshjes ose u duket e keqe, ta bëjnë një më të mirë, nëse nuk u pritet, të kapin pushkën dhe ta palosin Serbinë”, shprehet Shahu.

Sipas tij, marrëveshja e arritur me 18 mars në Ohër, është e vendosur nga fuqitë e mëdha për Kosovën dhe Serbinë.

“Zoti Kurti ka bërë atë që do të bënte cilido politikan ne vend të tij, veçse është i vonuar. Dhe tani te mos e quajë të kryer detyrën me daljen para kamerave, por tu drejtohet institucioneve garantuese. Asnjëherë shtetet e vogla nuk kane vendosë kufij e fatet e tyre, Fuqitë e mëdha kanë marrë vendime. Edhe marrëveshja Kosovë - Serbi që tashmë është Kosovë- Serbi e jo Prishtinë- Serbi, është hartuar dhe vendosur nga fuqitë e mëdha. Edhe kufijtë e Shqipërisë janë vendosë nga fuqitë e mëdha dhe nuk janë jeto çështje me pëlqime e pranime të vegjlish. Marrëveshja e Ohrit, besoj është korniza apo hekurudha nga do të shkojnë dy shtetet Kosova e Serbia”, deklaron Rexhep Shahu.

Qarri: Bashkësia ndërkombëtare urgjentisht të ndërmarr masa ndaj Serbisë

Image
Gani Qarri

Kurse analisti Gani Qarri, thekson se pavarësisht veprimeve të Serbisë, ajo vazhdon të tolerohet nga Bashkësia Ndërkombëtare.

“Në fakt, siç dihet tanimë publikisht nga të gjithë, përgjegjësi direkt i të gjitha luftërave dhe gjakderdhjeve më të llahtarshme ndërnacionale në ish jugosllavi, ishte vet Serbia hegjemoniste, por përkundër katrahurave të panumërta gjenocidiale që ushtria dhe policia kriminale serbe, ka shkaktuar në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, SHBA dhe Bashkimit Evropian, vazhdojnë ta ledhatojnë edhe sot Serbinë. Dhe në vend të angazhimit të vazhdueshëm e më konkret për reformimin permanent dhe spastrimin me kohë, të skenës së kontaminuar politike serbe, nga mbeturinat e regjimit të Millosheviqit, si pasardhësi i tij besnik, krimineli Aleksandër Vuçiq, ai edhe sot, pa asnjë pengesë, vijon politikën e vjetër hegjemoniste serbe, i instaluar në krye të shtetit serb, pikërisht me ndihmën e ndërkombëtarëve”, nënvizon Qarri për “Bota sot”.

“Prandaj ajo që aktualisht po ndodhë në Ballkanin Perëndimor, nuk është më befasi as akt i papritur, por rrjedhojë e trishtë e dështimit tashmë të njohur dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e vet faktorit ndërkombëtar që përkundër të gjitha gjakderdhjeve të shkaktuara nga ushtria dhe policia kriminale serbe, vazhdojnë ta ledhatojnë edhe më tej, Serbinë. Për aq më tepër avazi i vjetër, i njohur i Serbisë, vazhdon edhe sot, i cili përsëritet edhe pas pajtimit të dakorduar për propozimin e BE-së dhe pranimit të aneksit të planit franko-gjerman, ndaj Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të drejtë ka sqaruar se megjithëqë plani i zbatimit të marrëveshjes do duhej të niste që nga dita e hëne, kjo as që ka mundur të nisë hapërimin fillestar, pikërisht për fajin e Serbisë”, shton Qarri.

Më tej, Qarri e quan të drejtë kërkesën e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve për masat që duhet të merren nga Serbisë për sabotim të marrëveshjes.

“Kështu që bazuar në veprimet e fundit të Serbisë hegjemoniste, kryeministri Kurti, me plot të drejtë ka kërkuar nga ndërmjetësuesit e bisedimeve dhe faktorët relevant ndërkombëtarë, që të marrin masat e parapara dhe të deklaruara publikisht, për pengesat dhe moszbatimin, as të marrëveshjes së dakorduar në Ohër nga Vuçiqi. Dhe përderisa të martën, z. Kurti ka folur para gazetarëve, ai ka deklaruar se dakordimi mbi planin franko-gjerman, për Kosovën dhe BE-në, është marrëveshje, ndaj dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta dënojë sjelljen e papranueshme të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, i cili edhe pas takimit të Ohrit, vazhdon të flasë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër vet pavarësisë së Kosovës, gjë që pas zotimit të shprehur në takim, nuk do duhej të ndodhte”, thotë Qarri.

Sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare duhet urgjentisht që të ndërmerr masa ndaj Serbisë.

“Por përkundër të gjithave, në vend të sanksionimit dhe veprimeve adekuate kundër saj, ashtu siç edhe është deklaruar nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, Serbia serish po përkëdhelet dhe para se urgjentisht të ndërmerren masat adekuate nga bashkësia ndërkombëtare, për parandalimin e akteve kriminale, ato po heshtën ani pse mund të shkaktojnë serish prishjen e balancave dhe shkaktimin e tensioneve të reja, territoriale-ushtarake në rajon”.

Ashtu si Shahu, edhe Qarri deklaron se Serbia po tenton që të tërhiqet nga marrëveshja e arritur në Ohër.

“Madje kjo është edhe një dëshmi më tepër se Serbia hegjemoniste, qëllimisht po përpiqet të tërhiqet edhe nga propozimi i dakorduar dy palësh, dhe nuk dëshiron ta respektojë as marrëveshjen e arritur ne Oher, për të cilën Vuçiqi, është dakorduar me gojë, por nuk ka pranuar ta dokumentoj edhe me nënshkrimin e vet personal e zyrtar. Prandaj sot mbetet shumë e habitshme për të gjithë, se pse, faktori ndërkombëtar, jo vetëm që nuk mbështeti asnjëherë rrymat progresive dhe reformatore në serbi, të cilat ndonëse me fuqi solide elektorale, po bëjnë lëvizje të fuqishme të denoncimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga pasuesit e Millosheviqit e regjimi i Aleksandër Vuçiqit me eskortat e tyre të inkriminuara, duke u angazhuar seriozisht edhe për pajtim dhe njohje mes shteteve të dala nga një luftë e egër shkatërrimtare e gjenociadiale, në ish federatën jugosllave, kur dihet publikisht, se përgjegjësi direkt i të gjitha konflikteve dhe luftërave më të përgjakshme në ish federatën jugosllave, ishte vet Serbia hegjemoniste e udhëhequr nga kasapi Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e pasardhësit besnik të tij si Aleksandër Vuçiq & Co”, shton Qarri.

Për fund, Qarri fajtor për veprimet e Serbisë e bën Bashkimin Evropian.

“Madje përkundër faktit që liberalët serb, edhe para republikanëve, e kanë pranuar shtetin e pavarur të Kosovës dhe janë deklaruar publikisht se pavarësia e shtetit të Kosovës është punë e kryer, duket se vet faktori ndërkombëtar, qëllimisht, i ka injoruar në vijimësi, të gjitha forcat liberale serbe, me mos mbështetje të merituar, e veçanërisht forcat progresive dhe pro evropiane në Serbi, vetëm pse ato, janë kundër konflikteve, kanë programe të qarta të pajtimit dhe bashkëpunimit ndër fqinjësor edhe për ndjekjen e krimit, si dhe janë deklaruar qysh me kohë, për bashkë-udhëtim paqësor të të gjitha shteteve të reja të rajonit drejtë Evropës së bashkuar”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat