Vjen kërkesa për Qeverinë Kurti: T’i ndalohet Listës Serbe veprimi politik në Kosovë

Politika

Vjen kërkesa për Qeverinë Kurti: T’i ndalohet Listës Serbe veprimi politik në Kosovë

Nga: Nehat Shaqiri Më: 23 mars 2023 Në ora: 23:18
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka raportuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me marrëveshjen e Ohrit.

Kryeministri Kurti ka thënë para deputetëve se, as me aneksin e marrëveshjes në Ohër e as me marrëveshjen për normalizim në Bruksel, Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Ai ka thënë se për këtë kanë marrë garanci të të forta nga BE-ja e nga ShBA-ja, por që ai si kryeministër nuk do të lejojë kurrë të këtë autonomi territorial.

“….Nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e as dalje nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të shmangim çfarëdo që i ngjanë Bosnjës. Unë kurrë, e përsëris, kurrë nuk do të konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale, megjithëse marrëveshjet e mëparshme të Brukselit janë mbështetur shumë në territorialitetin si një element qendror. Tash duhet të kalojmë nga standardet e Daçiqit e Vuçiqit të vitit 2013 dhe 2015 në ato të Këshillit të Evropës e sistemit demokratik të BE-së të bazuar në qytetarin”, u shpreh Kurti

Kurti tutje ka treguar se, me marrëveshjen e arritur Serbia nuk duhet të bllokojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ai ka thënë se kjo është njohje defakto dhe me status të pakthyer.

Se Kurti nuk do të ndërroj qëndrim për Asociacionin e thotë se ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Tërnava në një prononcim ka kritikuar ashpër edhe Listën Serbe për të cilët madje kërkon që të ndalohet së vepruari në Kosovë.

Kjo pas veprimeve të fundit që ka ndërmarr Lista Serbe, e cila sot është kritikuar edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Tërnava thekson se, shteti i Kosovës e ka Kushtetutën e aprovuar dhe që është në fuqi, dhe nga momenti kur është miratuar në parlamentin e Kosovës si e tillë, askush nuk ka të drejtë ta shkelë dhe ta kundërshton atë.

“Kjo vlen edhe për Listën Serbe e cila ka filluar të sillet në kundërshtim me të gjitha parimet bazë të shtetit të Kosovës, prandaj kjo sjellje duhet të shqyrtohet, interpretohet ligjërisht dhe ky subjekt politik që shkelë Kushtetutën e shtetit të Kosovës do të duhej të dënohet dhe ndalohet së vepruari”, thotë Tërnava.

Sipas tij, të gjithë përfaqësuesit e popullit duhet që t’i përmbahen Kushtetutës së vendit, dhe nëse dikush nuk i përmbahet Kushtetutës, ai bën vepër penale që është e dënueshme me të gjitha ligjet e shtetit tonë.

“Prandaj është momenti kritik historik, kur pikërisht kërkesa ultimative e Serbisë për asociacionin në baza etnike, dhe presioni i shtuar ndërkombëtar, duhet ta bashkojnë dhe të mos e përçajnë skenën politike të Kosovës, pozitë e opozitë, me qëndrime mashtruese banale, për interesa afatshkurtra elektorale”, thekson ai.

Tërnava tutje shprehet se, kryeministri Kurti ka theksuar se qëndrimi i tij si kryetar qeverie mbetet e pa ndryshuar.

“Kurti ka thënë se nuk e kundërshton Asociacionin e komunave në baza ligjore sipas kushtetutës së Kosovës, por nuk do të pranon një asociacion shtet që rrezikon rregullimin e brendshëm kushtetues, stabilitetin, integritetin dhe sovranitetin e shtetit”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat