“Do të përballet me befasi të frikshme”, vjen paralajmërimi për Vuçiqin – ja çfarë po përgatitet në prapavijë!

Politika

“Do të përballet me befasi të frikshme”, vjen paralajmërimi për Vuçiqin – ja çfarë po përgatitet në prapavijë!

Nga: A.M. Më: 27 mars 2023 Në ora: 10:00
Takimi Kurti-Vuçiq

Më 18 mars në Ohër është mbajtur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku kanë marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Pak ditë pas takimit, Vuçiq reagoi sërish, ku nëpërmjet një postimi deklaroi se në marrëveshjen e Aneksit të planit të zbatimit në Ohër nuk “bëhet fjalë” as për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Që të mos ketë interpretime korruptive dhe të rreme, dhe nuk kam fare frikë të them saktësisht të njëjtën gjë në fytyrën e të gjithëve – për Serbinë nuk bëhet fjalë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, për anëtarësimin e të ashtuquajturës Kosovë në Kombet e Bashkuara, organizatat, institucionet dhe agjencitë e OKB-së. Pikë”, shkroi Vuçiq.

Opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” takimin Kurti-Vuçiq e cilësoi si një mundësi të mirë për një marrëveshje mes dy palëve, mirëpo u shpreh skeptik me qëndrimet e presidentit serb.

“Janë bërë takime të shumta deri më tani në mes palëve në Bruksel, por takimi në Ohër të Maqedonisë Veriore, do të ishte shansi më i mirë dhe pothuajse më i përllogarituri deri më tani për të dyja palët, që të zbatohet plani për normalizimin e marrëdhënive në mes këtyre dy vendeve.

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës, z.Kurti, u pajtua se do ta zbatojë planin për normalizimin e marrëdhënieve me palën serbe, edhe pse është vështirë t’i besosh një vije të përbashkët me palën serbe, kur presidenti i Serbisë, Vuçiq, i ndryshon fjalët dhe përceptimet po sa shkon në Beograd, duke u deklaruar se nuk do ta njoh Kosovën dhe do ta pengoj rrugën e saj në OKB”, deklaroi ai.

Sipas Preqit, plani franko-gjerman është në interes të Kosovës, kurse me palën serbe duhet të merren ndërkombëtare, pasi një marrëveshje finale pa SHBA-të është e vështirë të arrihet.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Qëndrimet e Vuçiqit dhe Serbisë, në lidhje me marrëveshjen në fjalë, sikur nuk bëjnë asnjë hap përpara, por po ngurrojnë në vend, dhe ky njeri nuk e percepton apo nuk guxon ta perceptojë natyrën e marrëveshjeve si normë të vlershme, si hapësirë dhe materje e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy popujve, pavarësisht se çfarë do të përfitohet dhe lidhet me dobitë që ato krijojnë, në rend të parë stabilitet ndërnacional e rajonal, si dhe mirëqenie njerëzore për të dyja palët.

Me rëndësi për Kosovën, plani franko-gjerman, duhet të merr pajtimin, sepse është në interes të saj, ndërsa për palën serbe, ne nuk duhet të brengosemi, këtë e ka për obligim BE-ja, si edhe SHBA-të, të marrin për sipër si palë ndërmjetësuese dhe garantuese, përndryshe me palën serbe është vështirë që marrëveshja të përafrohet, apo të merr vulën përfundimtare të saj pa një garanti të fuqishme në veçanti të SHBA-ve”, theksoi opinionisti.

Në vazhdim, ai komentoi deklaratat e Vuçiqit se nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk do e lejojë atë të anëtarësohet në OKB.

Ai vlerëson se këto janë prapavija politike të presidentit serb për ta penguar zhvillimin e Kosovës.

“Vuçiqi dhe qeveria e Serbisë, disa herë e kanë përsëritur se nuk do ta njohin Kosovën dhe nuk do ta lejojnë të hyjë në OKB, kjo është një dekleratë jo e drejtë, sepse sikur të gjitha vendet tjera të pavarura edhe Kosova e meriton një inkuadrim të tillë në OKB, por edhe të tjerët në regjimin e Millosheviqit, i kishin dhënë dekleratat e tilla se ky vend nuk do të pavarësohet kurrë, por Kosova, u bë një realitet i ri, e cila do ta realizojë një ditë edhe këtë qëllim.

Vuçiqi dhe klubi politik i tij, kanë edhe plot varianta të tjera me prapavija të ndryshme politike dhe strategjike për të neglizhue dhe penguar çdo rrjedhë dhe zhvillim të shtetit të Kosovës, mirëpo duke njohur intensitetin politik të SHBA-ve, si dhe aktivitetin politik të BE-së, sikur asnjëherë tjetër e kanë marrë këtë çështje me një seriozitet dhe përkushtim shumë të madh për të përafruar dhe pajtuar palët në mes vete, ose palën kundërshtuese do ta ndëshkojnë edhe penalisht nëse u bishtërojnë marrëveshjeve”, nënvizoi Preqi.

Me tej, opinionisti potencoi se Vuçiqi është i ngarkuar me ‘djallëzi’, ku problemin kryesore e ka me popullin serb, i cili po e quan tradhtar.

“Domethënia e njohjes së Kosovës, nga Serbia, nuk është edhe bazë e një marrëveshje pajtimi, sipas së cilës asgjë nuk ndodhë më e rëndësishme se me njohjen reciproke, dhe ky nuk është edhe qëllimi final i pajtimit në mes këtyre dy vendeve, sepse duhet të plotësohen edhe kushte me kuptime të veçanta të formave dhe funksioneve të ndryshme dhe më të rëndësishme, sikur që është mos pengimi i njëra-tjetres në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

Duket se Vuçiqi, është i preokopuar dhe i ngarkuar me shumë djallëzi, të cilat i ka krijuar vet, edhe pse ne, nuk duhet të ia qajmë hallet e tij, por problemi i presidentit serb është me popullin e vet, i cili po shpaloset edhe në këtë proces të marrëveshjeve me Kosovën, duke e quajtur si tradhëtar dhe të pa përgjegjshëm, nëse koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare për tu pajtuar me Kosovën, dhe përmes planit franko-gjerman”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Preqi paralajmëroi ‘befasi të frikshme’ për Serbinë, derisa shtoi se qeveria Kurti është në rrugë të mbarë sa i përket dialogut.

“Ndërsa, në anën tjetër presidenti i Serbisë, Alekadandër Vuçiq, akoma nuk e ka ndarë vijën që e ndanë në mes Evropës dhe Rusisë, dhe tani i ka ardhur koha të veprojë, sepse në këtë mënyrë, nuk mundet të mbetet në mes të asaj që nuk duhet t’i jep llogari askujt, kur pothuajse tërë bashkësia ndërkombëtare, përveç Kinës, Indisë dhe Iranit, i kanë vendosë sanksione Rusisë, përshkak të luftës në Ukrainë, ose do të përballet dhe ndëshkohet me ndonjë befasi të frikshme, në veçanti nga SHBA-të, dhe BE-ja.

Për sa i përketë marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria Kurti, është në rrugë të mbarë dhe sikur asnjëherë tjetër shteti i Kosovës, e ka mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-ve, për të realizuar një marrëveshje përfundimtare dhe paqësore me Serbinë”, përfundoi opinionisti Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat