I kërkoi falje Serbisë, profesori “shpërthen” ndaj ambasadorit Hill: Servil i Vuçiqit!

Politika

I kërkoi falje Serbisë, profesori “shpërthen” ndaj ambasadorit Hill: Servil i Vuçiqit!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 mars 2023 Në ora: 13:01
Christopher Hill

Të premten është shënuar 24 vjetori i bombardimeve të NATO-s  mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.

Bombardimet të cilat i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë, u kujtuan nga ambasadori i SHBA-së, Christopher Hill, si “kohë e tmerrshme për popullin serb” dhe sipas tij, ai nuk do ta harrojë kurrë atë dhe as që duhet ta harrojë.

Hill madje i shprehu ngushëllime atyre që humbën jetën gjatë luftës, përfshirë ato si rezultat i fushatës ajrore të Nato-s.

“Unë ia kam kushtuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për probleme që duken të pazgjidhshme. Gjatë rrjedhës së karrierës sime, kam mësuar se diplomacia nganjëherë dështon. Kur ajo dështon, rezultatet mund të jenë tragjike”, shkroi ambasadori Hill në “Twitter”, duke iu referuar mungesës së marrëveshjes mes NATO-s dhe Serbisë për ndërprerjen e sulmeve serbe në Kosovë.

“Ua shpreh ngushëllimet e mia personale familjeve të atyre që e humbën jetën gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta, përfshirë ato si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme dhe as që duhet (ta harrojë)”- shkroi më tutje ambasadori amerikan në Beograd.

Ndaj, kësaj deklarate ka reaguar profesori në Amerikë, Binak Maxharraj, i cili e quan çmenduri e skandal.

Sipas tij, ambasadori në Serbi po luan lojën e djallit, servilit të presidentit fashist çetnik Aleksandër Vuçiq.

“Çmenduri, skandal: Ambasadori Hill në shërbim (servil) të Vuçiqit, e jo të Amerikës. /Ai haptas pa fije turpi thotë se: ”Unë kam qenë kundër pavarësisë se Kosovës”/ /Hill më shumë është zëdhëndës i presidentit Vuçiq se sa i vetë Amerikës/. /Sulmet e NATO-s nuk ishin si shkas i “dështimit diplomatik” por i krimeve dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës.  Christopher Hill haptas që sa kohë qe është ambasador në Serbi pa fije turpi dhe kundër qëndrimeve të SHBA po e luan lojën e djallit, servilit të presidentit fashist-çetnik Aleksandër Vuçiq. Ky ambasador po del në esencë një antishqiptar i përbetuar. Ai në vegjile të Vitit të Ri 2023 në një intervistë për Telegramin Serb haptas pa fije turpi deklaroi se: “I vjen keq për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për ta çliruar Kosovën”, do të thotë se ai ka qenë kundër bombardimeve dhe çlirimit të Kosovës. Ky është një fakt i pamohueshëm. Kjo e vërteton edhe qëndrimi i tij në Konferencën e Rambujës i cili tani thotë: “Roli im në Rambuje ishte të përpiqesha që Kosova të rifitonte shkallën e autonomisë që e kishte në të kaluarën. Rambuja nuk u mor më pavarësinë e Kosovës””, pohon Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Profesori qëndrimet e ambasadorit amerikan në Serbi i konsideron pro serbe dhe anti shqiptare, gjersa rikujton kohën kur barrikadat në veri nuk largoheshin.

“Qëndrimet e tij pro-serbe dhe anti shqiptare po vërehen haptas që nga koha kur ai erdhi si ambasador në shtetin çetnik serb duke i dalë në krah haptas Aleksandër Vuçiqit. Edhe qëndrimi i tij në kohën tri javore të barrikadave në veri të Kosovës të vendosura nga kriminelët dhe bandat serbe të dirigjuara nga vetë presidenti Vuçiq ishin tërësisht pro serbe. Por, edhe kur ai u pyet në këtë intervistë për Telegramin serb se a qëndron ”Wangner” prapa barrikadave? Ai pa fije turpi, në stilin e një rrugaqi tha; ”S’jam zëdhenës i Albin Kurtit”. Por, nuk është zëdhënes i Albin Kurtit, por është katerciperisht zëdhenës i çetnikut presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq. Nuk do mend se sjellja e tij kundër qëndrimeve të SHBA-ve, kundër qeverisë së tij është një ”non- sens par exlelence””, thekson Maxharraj.

Gjersa, amabsadori Hill në shkrimin e tij beson që populli serb mund t’i lërë anash ankesat për ato ngjarje dhe se përkushtimi i ShBA-së ndaj partneritetit me Serbinë është i palëkundur, profesori Maxharraj thotë se ai për hir të Vuçiqit i harron të gjitha.

Madje, Maxharraj ia rikujton historinë Hillit dhe bombardimet e NATO-s.

“ Por sot kur po shënohet 24-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 24 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Por derisa në tërë Kosovë po mbahen tubime e falënderime për fushatën ajrore të NATO-s kundër shfarosjes së shqiptarëve, del në skenë askush tjetër pos ambasadorit amerikan në Serbi Christopher Hill me deklaratën e tij skandaloze dhe në kundërshtim me qëndrimet e vet ShBA-së që ishin strumbullari i kësaj fushate duke deklaruar haptas pa fije turpi, e për të ia bërë qejfin servilit të tij presidentit Aleksander Vuçiq duke thekuar: “I vjen keq për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për ta çliruar Kosovën”. Me këtë rast, ai iu ka shprehur ngushëllime familjeve serbe (dhe jo shqiptarëve që përjetuan katrahurat e krimeve dhe masakrave serbe) të atyre që humbën jetën si pasojë e bombardimeve që zgjatën për 78 ditë. Me këtë rast ambasadori mjeran Christopher Hill në deklaratën e tij të djeshme thekson: “Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”. Fajin për bombardimet e NATO-s ky kasnec diplomatik po ia lë dështimit të diplomacisë botërore, ani pse përpjekjet diplomatike ishin prezent, nuk ndaleshin as para dhe gjatë bombardimeve për të sjellë paqe”.

“Por, ky ambasador që për hir të “shefit” të tij Vuçiq është në gjendje edhe të harrojë se pse u ndërmor fushata e bombardimeve, sigurisht jo për ndonjë shkas tjetër pos atij që Serbia në krye me kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviq bënte krime dhe masakra në Kosovë, duke e bërë hi e shkrum, tokë të djegur Kosovën, duke vrarë dhe prerë në fyt pleq e plaka, duke ua nxjerrë nënave fëmijët nga barku, duke i prerë fëmijët në djep, duke i përdhunuar nënat, motrat tona në sy të familjarëve dhe duke e deportuar me dhunë një popull të tërë jashtë vendit. Pra ja ky është shkaku i ndërhyrjes së NATO-s në krye me Amerikën që të shpëtojë një popull nga gjenocidi, ani pse këto krime dhe masakra të Serbisë nuk paskan peshë të madhe për ty z. ambasador, por peshë më të madhe për ty gjatë bombardimeve paskan vrasja aksidentale e disa serbëve gjatë bombardimeve të cilët së bashku me Vuçiqin po i vajtoni, duke i harruar edhe krimet që vetë UDB-ja e Serbisë brenda për brenda vetë Serbisë ka vrarë qëllimshëm me mijëra e mijëra serbë, djem serbë të cilët kundërshtonin të shkonin në Kosovë për të luftuar kundër shqiptarëve(sic)”, deklaron Maxharraj.

Duke ia rikujtuar edhe deklaratën e presidentit amerikan Bill Clinton, Maxharraj e quan ambasadorin servil të Vuçiqit.

“Dhe kjo nuk paska kurrfarë peshe për ty z, ambasador. “O tempora, o mores” thoshin latinët e vjetër. Po ta përkujtoj, z servile ambasador i Vuçiqit se ndërhyrja e NATO-s nuk është “dështim i diplomacisë” por i krimit dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve këtë sa për kujtesën tënde z.ambasador Hill po ta përcjelli këtu edhe fjalimin e Kryetarit të atëhershëm të ShBA-ve Bill Klinton, i cili me rastin e nisjes së fushatës, sulmit të bombardimeve të caqeve ushtarake dhe infrastrukturës në Serbi ka deklaruar. “Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe, që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, që po kryejnë krime dhe masakra ne Kosovë””.

“Ai pati shpjeguar për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë, gjatë kohës kur populli i Kosovës po vriteshin, ishin pajtuar për paqe. “Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre, kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, ka shtuar Clinton”, pohon Maxharraj.

Profesori është treguar i “ashpër” ndaj Hillit, madje duke i thënë “Zoti të harroftë se pse je në shërbim prishës të diplomacisë”.

Sipas tij, departamenti amerikan i shtetit duhet të merret me të.

“ Pra, z ambasador Hill nuk është falja e bombardimit të NATO-s një dështim diplomatik siç thoni ju duke e injoruar edhe deklaratën e presidentit Bill Klinton, që do të thotë se jeni një peng prishës i diplomacisë dhe vlerave demokratike amerikane. Zoti të harroftë se pse je në shërbim të atyre të pafytyrëve në Serbi, në shërbim të kriminelëve dhe vrasësve. Skandali diplomatik i z.Christopher Hill ishte në qendër të kritikave dhe të krerëve shtetëror të Kosovës. Po e veçojmë me këtë rast deklaratën e kryeministrit Kurti i cili ka shprehur mirënjohje e falënderim ndaj çdo vendi anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës, duke theksuar në veçanti se: “Aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes. Në këtë ditë falënderojmë çdo vend anëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre gjatë fushatës së bombardimeve në Kosovës qëllimi i së cilës ishte të shpejtohet një popull nga shfarosja”. Dhe në fund për “huqjen” e rolit të ambasadorit Hill për t’i mbrojtur interesat e vendit të vet, e të Serbisë, mendoj se duhet të merret me të Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, e ne veçanti presidenti Joe Biden e jo siç po deklarojnë disa se ky debil ambasador nuk duhet të kritikohet për gafat e tij diplomatike se po na u ”prishkan marrëdhëniet” me Amerikën, kjo nuk qëndron fare, por Amerika duhet që vetë të kujdeset për ambasadorët e këtillë që t’i largojë sa më parë nga pozita e ambasadorit sa nuk ka sharruar edhe me thellë me hafijet e tij diplomatike”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat