Luftë, nëse nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit? Zbërthehet prapavija e deklaratës që shqetësoi opinionin

Politika

Luftë, nëse nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit? Zbërthehet prapavija e deklaratës që shqetësoi opinionin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 mars 2023 Në ora: 18:59
Takimi i Ohrit, 18 mars

Marrëveshja e Ohrit ka arritur të sjellë debate të mëdha në opinionin publik.

Së fundmi analisti politik, Sadri Ramabaja, duke reaguar për këtë situatë ka thënë se nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit, atëherë në Ballkan do të ketë luftë.

Ai k theksuar se Serbia ka kohë që po përgatitet për një luftë dhe nëse është nevoja, ai do të bëhet ushtar.

Serbia po përgatitet për luftë. Po e përsëris”, tha ai.

“Opinioni edhe në vitin 91, 92 nuk fliste për luftë. Po t’i flisje dikujt për luftë nuk të merrte seriozisht. Por LPK për përgatiste luftën”, shtoi Ramabaja.

“Marrëveshja e Ohrit ka vetëm këtë alternativë. Ose respektohet dhe zbatohet, ose Ballkani rrëshqet drejt luftës”, përfundoi ai.

Mirëpo sa mund të konsiderohet si serioze kjo deklaratë e Ramabajës bazuar në rrethanat aktuale?.

Tërnava: Marrëveshja e Ohrit të jetësohet

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai u shpreh se mosdstancimi i Serbisë nga Rusia na lë të kuptojmë që të dy shtetet janë bashkë.

Situata politike sikur që po zhvillohet në Ballkan, e pranë luftës që është duke u zhvilluar nga Rusia ndaj Ukrainës, edhe ky fakt është një nxitës që mundet edhe me u zgjerua lufta edhe në shtete tjera të Ballkanit. Duke e ditur këtë situatë, tani faktori ndërkombëtar i shteteve demokratike në krye me Amerikën po insiston dhe kërkon nga Serbia që ajo të distancohet nga përkrahja e Rusisë dhe si shtetet tjera që i kane vë sanksione Rusisë edhe kjo të veprojë njejtë edhe ajo.

Para disa ditëve edhe vet Putini u deklarua se së shpejti pas Ukrainës “do të merret me Kosovën”, por të gjitha gjasat janë se lufta ndaj Ukraines, Rusisë do t’i kushtojë shumë, dhe Rusia si fuqi botërore të gjitha gjasat janë se nuk do të ekzistoj më, prandaj Serbia duhet ta zgjedhë rrugën e saj dhe të iu bashkëngjitet shteteve demokratike dhe prespektiven e saj ta mbështet me shtetet e NATO-s”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë përmend marrëveshjet e mëhershme që kanë qenë të dëmshme për vendin duke shtuar që një luftë mund të bëhet nëse nuk jetësohet marrëveshja e Ohrit.

“E thëna e Ramabajës se “Marrëveshja e Ohrit ka vetëm këtë alternative, ose të respektohet dhe të zbatohet ose Ballkani rrëshqet drejt luftës” e ka kuptimin e saj sepse marrëveshjet e arritura mes dy popujve duhet të jetësohen, dhe mosmarrëveshjet e pakufijshme nuk janë produktive sikur që ka pasur në të kaluarën edhe lufta botërore dhe të gjitha ato shtete shkaktare të atyre luftërave koha i ka pajtua. Serbia e ka provojen e saj në luftë me Kosovën në vitin 1999 ku u bombardua nga forcat e NATO-s. Marrëveshjet e mëparshme të nënshkruara mes Serbisë dhe Kosovës të vitit 2013 si dhe të 2015 tani po na sjellin situata të pa-lakmueshme. Andaj marrëveshjet që duhen të nënshkruhen munden edhe të prolongohen për javë e muaj dhe të nënshkruhen kur është analizuar mirë dokumenti, dhe nëse është pozitive ajo marrëveshje mund të nënshkruhet nga përfaqësuesi i shtetit sikur në këtë rast Kryeministri, apo nëse ka anë negative nuk i nënshkruan”, shpjegon ai.

Ndër të tjera, ai shton që është koha që konfliktet në Ballkan të përfundojnë dhe popujt e këtyre pjesëve të Ballkanit të demokratizohen si kusht që i pret për tu anëtarësuar në shtetet e BE.

“Tani kur Kosova është në situatë të tillë që nga faktori ndërkombëtar që po i ndërmjetësojnë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, që ndërkombëtarët me këmbëngulje po kërkojnë nga Kosova që t’i jetësoj ato marrëveshjet e arritura me Serbinë. Çdo marrëveshje e nënshkruar nga dy palët duhen të jetësohen, vetëm kështu llogariten marrëveshjet e arritura mes shteteve. Prandaj, tani është koha që konfliktet në Ballkan të përfundojnë dhe popujt e këtyre pjesëve të Ballkanit të demokratizohen si kusht që i pret për tu anëtarësuar në shtetet e BE”, nënvizoi Tërnava për “Bota sot”.

Duhanaj: Koha e luftës për ketë periudhë që po jetojmë ka përfunduar

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që një luftë e mundshme ka qenë pjesë e çdo deklarate vitin e kaluar.

Sipas tij, duhet të merren parasysh çdo deklaratë që jepen edhe nga takimet e fundit që u bënë mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Image
Leon Duhanaj

"Për ta analizuar më mirë ketë deklaratë të z. Ramabaja, do ta përdorja shembullin e shefit të tij dhe Qeverisë z. Kurti dhe Presidentes së vendit znj. Osmani. Në vjeshtën e vitit të kaluar, pothuaj se në çdo deklaratë publike, pjesë e diskursinët të tyre politik, ishte mundësia e një lufte. Madje edhe në atë kohë kam deklaruar se deklarimet për luftë nuk i shërbejnë as interesin shtetërorë e as kombëtarë. Se me çfarë qëllimi janë bërë atëherë dhe tash, ndoshta mund t'u përgjigjen akterët në fjalë, por që nuk e kanë mirë për ketë jam i bindur. Kur fola për shembullin e Kryeministrit Kurti, po mendoja pikërisht ketë. Që u dëshmua me vonë nga përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme z. Borell. Në takimin e fundit në Bruksel, ku edhe Kurti, edhe Vuçiç, dolën entuziast për të "arriturat e tyre, duke akuzuar njëri-tjetrin se pala tjetër nuk pranoj, për ndryshe do nënshkruaja, doli Borell dhe tha. "Palët u dakorduan për marrëveshjen e propozuar, madje ky dakordim ka qenë që nga shtatori””, shpjegon analisti.

Në fund, ai thekson që në këtë periudhë që po jetojmë ka përfunduar mirëpo duhet të mos luajmë me patriotizmin në këtë kohë paqeje.

“Pra, çfarë mësojmë nga kjo lloj qasje. Se kur disa flasin për luftë, duhet të ruhemi nga ndonjë kompromis edhe me i madh, për të mos folur për tradhti sepse është fjalë e rëndë! Koha e luftës për ketë periudhë që po jetojmë ka përfunduar. Kishte me qenë mirë ta bëjnë edhe tani, e mos ta luajnë patriotizmin në kohë paqe, kur për sigurinë e vendit përkushtohet dhe garanton KFOR. Ne kemi nevojë për një qeveri të aftë, të sinqertë, e cila promovon paqen dhe punon për të ardhmen e vendit. Çdo deklaratë në të cilën përmendet lufta në ketë kohë, ka qëllime të tjera e me së shumti përdorët për zhvendosje vëmendje dhe mbulesë të punëve të ndyra të kësaj Qeverie antishtetërore”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat