Asociacioni cenon integritetin - Paralajmërohet Kurti: Çdo kompromis shtesë rrit ambiciet serbe për sabotimin e shtetit të Kosovës

Politika

Asociacioni cenon integritetin - Paralajmërohet Kurti: Çdo kompromis shtesë rrit ambiciet serbe për sabotimin e shtetit të Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 mars 2023 Në ora: 07:58
Albin Kurti, foto ilustrim

Tash e dy ditë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me qëndrimin e tij atje, Konjufca po takohet me zyrtarë të lartë e kongresistë amerikanë, si kongresistin Ritchie Torres, ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi etj.

Konjufca ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin diskutuan mbi Marrëveshjen e Ohrit, saktësisht themelimin e Asociacionit.

Escobar ka siguruar Konjufcën se Departamenti amerikan i Shtetit ka garantuar se nuk “mund të formohet kurrfarë Asociacioni [i komunave me shumicë serbe] apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Burjani: Ideja për territore mbetet angazhim kryesor i Serbisë

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se ideja serbe mbetet e pandryshueshme, duke mos hequr dorë nga territorialiteti i Kosovës.

“Serbia pretendon këto kompetenca për asociacion, nëse nuk do të ketë diçka ngjashëm Serbia thotë se nuk do të pranojë. Sidoqoftë, Serbia ka hy në lojë politike, tash çfarë mund të ndodhë në të ardhmen nuk i dihet. Pra, ideja serbe me përfituar diçka mbetet e pa ndryshueshme, dhe mospajtimi kur t’i shtohet edhe politika gënjeshtare e plotëson gamën e plotë të angazhimit shoveniste dhe hegjomonist”, thotë ai.

Ai shton, se kjo ide, mbetet angazhim kryesor i Serbisë.

“Ideja e përfitimit territorial mbetet angazhimi kryesor serb. Garant për mos tejkalim të kompetencave ekzekutive është parimi thelbësor i mbrojtjes së kushtetutshmërisë. Cenimi i integritetit territorial, i Kushtetutës së Kosovës janë rregullat e lojës së Kurtit”, përfundon ai.

Dunahaj: Nuk mund të ketë shtet në shtet

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Dunahaj, thotë se sido që të jetë nuk mund të ketë shtet brenda shtetit, por që kritikon qeveritarët për deklarata e tyre.

“Z. Konjufca, ashtu si dhe Qeveria dhe Presidenca, po vazhdojnë të sjellin deklarata të pakontrolluar duke u munduar të gjejnë shprehje të cilat i mbulojnë kompromiset e bëra në dialog. Madje edhe më e keqe se vetë kompromisi është mënyra se si mundohen ta manipulojnë opinionin publik me deklarata boshe pa transparencë. Natyrisht që nuk mund të ketë shtet në shtet, por me çdo hap që e bëjmë mbrapa, me çdo kompromis shtesë, Serbia fiton në mekanizma sabotues”, shprehet ai.

Ai shton, se Kosova duhet të punojë në atë që serbët ta shohin vendin si atdhe, sepse ndryshe vetëm probleme do të kemi.

“Neve po na mjafton madje edhe pa asociacion fare dhe jemi dëshmitar të bllokadave politike që bën politika serbe. Tani me çdo kompromis shtesë, veç sa rriten ambiciet dhe mundësitë për ta sabotuar shtetësinë e Kosovës.

Ne duhet të bëhemi shtet atraktiv me mirëqenie në mënyrë që serbët ta shohin Kosovën si atdhe dhe si shtet të tyre, për ndryshe do kemi vetëm probleme. Se si do ta arrijmë ketë, dyshoj shumë që politika joonë ka ndonjë ide. Në ketë kontekst, mendoj që problemet do të vazhdojnë dhe ne do të përballemi me situata të cilat nuk çojnë përpara”, nënvizon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat