Lista Serbe mund të nisë tensione të reja/ Zbulohet plani që po përgatitet - ja çfarë paralajmëron profesori!

Politika

Lista Serbe mund të nisë tensione të reja/ Zbulohet plani që po përgatitet - ja çfarë paralajmëron profesori!

M.Haziri Nga M.Haziri Më 31 mars 2023 Në ora: 21:21
Lista Serbe

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ende pa kryetarë për shkak të dorëheqjes që bënë serbët, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se do të ketë shqiptim të gjobave për vozitësit e veturave me targa ilegale.

Zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të shkuar, u shtynë për shkak të tensioneve dhe barrikadave që kishin ngritur grupet kriminale në veri të dirigjuara nga Beogradi.

Mirëpo subjekti që zakonisht i fiton zgjedhjet në këto katër komuna “Lista Serbe” nuk do të marrë pjesë kësaj radhe, gjë që ka nxitur edhe reagimin e shteteve të QUINT-it.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Profesori thotë që refuzimi i Listës Srpska ka një prapavijë politike të qartë.

Image
Enver Bytyçi

Refuzimi i Listës Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 26 prillit në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës ka një prapavijë politike të qartë. Vendimi i Beogradit për këtë akt, nuk është teknik, as administrativ, por politik. Bojkoti është gjithmonë shkak, arsye ose alibi për tensione dhe konflikte. Nuk ka bojkot zgjedhor që nuk çon së paku në tensione midis aktorëve dhe faktorëve politikë në një vend të caktuar.

Ndërkohë bojkoti i bazuar në veprimin politik separatist të serbëve të veriut të Kosovës ka për qëllim krijimin e kushteve për ndarjen e Kosovës. Serbët e veriut, me regji e skenar të Beogradit, besojnë se nëpërmjet bojkotit të zgjedhjeve dhe institucioneve të Kosovës, jo vetëm imitojnë, por edhe mund ta arrijnë atë që shqiptarët e qytetarët e etnive tjera e mbërritën në Kosovë, pavarësinë dhe shtetësinë”, u shpreh ai.

Çfarë do të thotë kjo?

Më tej, profesori thekson që të gjitha luftërat që Milosheviçi dhe Vuçiçi i shkaktuan në ish-Jugosllavi kishin për qëllim pikërisht arritjen e këtij skenari dhe krijimin e një Serbie të Madhe.

Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë nuk e ka nxjerrë mësimin nga ajo çfarë Serbia ka bërë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kalur, kur realizoi tri luftëra kundër popujve jo-serbë dhe shkaktoi masakra e genocid, sidomos kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Të gjitha luftërat që Milosheviçi dhe Vuçiçi i shkaktuan në ish-Jugosllavi kishin për qëllim pikërisht arritjen e këtij skenari çfarë synohet me serbët e katër komunave në veri të Kosovës, ndarjen e territorit të Bosnjës dhe Kroacisë dhe bashkimin e disa mijëra serbëve me Serbinë, pra krijimin e një Serbie të Madhe.

Por ama makineria ushtarake e Serbisë shtypi me dhunë të paparë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Ushtroi dhunë masive kundër tyre. Asgjësoi fizikisht rreth 15.000 prej tyre. Dëboi po ashtu me dhunë një million të tjerë. Dogji e shkatërroi të gjithë Kosovën, përfshirë trashëgiminë kulturore e fetare të saj. Përjashtoi nga shkollat nxënësit dhe studentët shqiptarë e madje i helmoi ata. Në një javë hoqi nga puna 114 mijë shqiptarë, me qëllim që t’I detyronte të emigronin e Kosova të boshatisej prej tyre. Të gjitha këto, sipas Konventës së OKB-së për Genociidin e luftën kundër tij të 8 dhjetorit 1848, përbëjnë akte dhunë genocidiale”, shpjegon profesori.

Serbët në veri përgatiten për ngritjen e një sistemi të pavarur nga Kosova

Në bised e sipër profesori thotë që serbët po mundohen të jenë të pavarur nga Kosova mirëpo që një skenar i tillë nuk mund të realizohet pasi në veri të Kosovës ka edhe vëzhgues ndërkombëtar.

Në verin e Kosovës nuk ndodh asgjë nga këto me serbët që jetojnë atje. Përkundrazi, aty po synohet që të dhunohen serbët që pranojnë autoritetin e shtetit e të institucioneve të tij në Kosovë. Dje u dogjën dy makina, pronarët e të cilave I pajisën ato ditët e fundit me targa të Kosovës. Nuk duhet asnjë ketë asnjë dilemë, se serbët në veri përgatiten për ngritjen e një sistemi të pavarur nga Kosova institucionesh paralele, në modelin e institucioneve që ngriti Ibrahim Rugova gjatë viteve 1990. Por shkaqet, rrethanat historike, arsyetimet janë krejt të ndryshme. Alibia është e njëjtë.

Megjithatë unë besoj se alibi të tilla nuk funksionojnë në kohën e internetit dhe teknologjive modern, kur e vërteta përhapet me shpejtësinë e dritës an e kënd botës. Në Beograd besojnë se bota është ajo e kohës së Vlladan Gjorgjeviçit, Nikolla Pashiçit e Vaso Çubrilloviçit, kur rrena përhapej e besohej, sepse nuk kishte mundësi të sqarohej e vërteta aq shpejt. Sa të sqarohej e vërteta rrena e kishte kryer ciklin e saj. Fatmirësisht nuk është kështu. Në veri të Kosovës ka vëzhgues ndërkombëtarë. Aty është KFOR-I e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Ndërkohë mediet e sqarojnë në moment të vërtetën. Imagjino nëse në kushtet e para 50 viteve do të digjej një veturë e një serbi në Kosovë! “Do thërrisnin në Beograd se shqiptarët bëjnë genocide kundër serbëve”! Sot demaskohen Brenda orës, nëse e bëjnë këtë. Pra jemi me fat, se jetojmë në këto kohë të arta. Sepse rrena e ka bërë Serbinë të ketë epërsi ndaj popujve të tjerë në rajon. Kur Ibrahim Rugova ua hoqi nga dora këtë armë, ata dështuan dhe NATO i ndëshkoi me bombardime”, shprehet profesori.

Kjo lojë e rrezikshme e Beogradit duhet demaskuar

Sipas profesori, ky bojkotim po vjen si një kundërpërgjigjjë për marrëveshjen e pranuar të Ohrit.

Ai shton që kjo lojë e rrezikshme e Beogradit duhet demaskuar.

“I përmenda të gjitha këto, me qëllim që të them edhe diçka tjetër: Serbët nuk duhen provokuar. Shteti duhet ta shtojë praninë në veri, por pa provokuar e dhunuar askënd, përveç keqbërësve, sipas ligjit dhe veprimit të së drejtës ligjore. Asnjë alibi nuk u duhet dhënë serbëve e sidomos Beogradit. Bojkoti i tyre duhet të lexohet në Perendim, ashtu siç edhe është: - Pjesë e një projekti fashist për zgjerim territoresh dhe jo axhendë e bashkëjetesës dhe zbatimit të vlerave euro-atlantike.

Ndërkaq kam përshtypjen se bojkoti i Listës Srpska, partisë që Vuçiç ka themeluar në Kosovë për diversion, shkon përtej kësaj loje. Ky bojkot i kundërvihet marrëveshjes së pranuar të Ohrit, synon rikthimin e diskutimit nga fillimi dhe imponimin e një projekti më favorizues për Serbinë në raport me Kosovën. Kjo lojë e rrezikshme e Beogradit duhet demaskuar. Por edhe duhet kuptuar mirë. Me këtë lojë nuk duhet të pajtohet askush në Kosovë. Aq më pak të shkohet në fatalitet. Dëgjova apo lexova diku se Dukagjin Gorani thoshte se “Serbët mund ta shpallin pavarësinë dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë”! Këta elementë tragji-komikë të spektrit mediatic në Kosovë nesër, nëse Serbia i shkëput këto komuna, do të thonë “Serbia e pushton Kosovën dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë”! në një farë mënyre këtë po e thonë sot”, thotë Bytyçi.

Në fund, profesori përmend disa nga emrat e politikanëve shqiptar që po kërkojnë të dëmtohet Kosova.

Ky lloj fataliteti në popullatën e Kosovës krijon çoroditje, mosbesim, për pasojë edhe kapitullim. Është e trupshme që një fushatë si kjo ta bëjë njerëzit e dijes në Kosovë, në Shqipëri apo kudo ndër shqiptarët! Eshtë gjithashtu edhe akt anti-shqiptar, anti-Kosovë, anti-shtet të Kosovës. Kjo frymë është interes i Serbisë. Sepse Xhebraili, para se me ta marrë shpirtin, t’i merr mendtë. Këtë dëshirojnë disa në Kosovë si Dardan Molliqaj, Baton Haxhiu, ky Gorani, që mos qoftë i atij babe, e të tjerë”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat