Serwer pyet Kurtin për pikën më të nxehtë të marrëveshjes: Po vjen koha kur ky propozim është në rregull

Politika

Serwer pyet Kurtin për pikën më të nxehtë të marrëveshjes: Po vjen koha kur ky propozim është në rregull

Nga: A.Zh Më: 31 mars 2023 Në ora: 23:35
Albin Kurti dhe Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka deklaruar se po vjen koha kur propozimi për “vetëmenaxhimin” për komunitetin serb në Kosovë është në rregull. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Serwer ka shprehur interesimin e tij se çfarë ka në mendje kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kur thotë se “vetëmenaxhimi” nuk do të jetë territorial apo monoetnik.

“Unë nuk do t'ia bëj profesorin kryeministrit, por mendoj se po vjen koha kur një propozim për "vetëmenaxhimin" është në rregull. Kurti thotë se nuk do të jetë territoriale apo monoetnike. Unë jam i interesuar të mësoj atë që ai ka në mendje”, ka thënë njohësi i çështjeve të Ballkanit.

Kosova dhe Serbia, në takimin e 18 marsit në Ohër, u pajtuan për një prej pikave më të rëndësishme – nisjen e menjëhershme të krijimit të një mekanizmi të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

I pyetur nga gazeta se si do të realizohet ky mekanizëm, përderisa Serbia dëshiron Asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërsa për Kosovën kjo përbën shkelje kushtetuese, Serwer ka thënë se nuk do të ketë “Asociacion” me pushtet ekzekutiv.

Ai ka pyetur Beogradin, nëse mund të ofrojë marrëveshje reciproke për shqiptarët në Kosovë Lindore, që komunat shqiptare të kenë autoritet vetëmenaxhues”.

“Marrëveshja parashikon nisjen e menjëhershme të negociatave për mekanizmin e vetë-menaxhimit. Nuk shoh asnjë mundësi për një “asociacion” me pushtetet ekzekutive. Komunat e Kosovës tashmë kanë një pjesë të mirë të autoritetit vetë-menaxhues. Do të isha i interesuar të dija se çfarë kërkon më shumë Serbia, me kusht që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe nëse Beogradi është i përgatitur të ofrojë marrëveshje reciproke për komunitetet shqiptare në Serbinë jugore”, ka theksuar Daniel Serwer për “Bota sot”.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur lidhur me nenin 7 të planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka treguar se termi “vetëmenaxhim” nuk i referohet komunave, por komunitetit serb.

Ai ka thënë se vetëmenaxhimi ka të bëjë me identitetin që kanë banorët, e jo me territorin ku banojnë.

“Vetëmenaxhimi i përket nenit 7 që thotë vetëmenaxhim për komunitetin serb, nuk thotë për komunat, nëse vetëmenaxhimi do të ishte te komunat, atëherë do të kishte të bënte me vetëqeverisje, mirëpo vetëmenaxhimi nuk i referohet serbëve në territorin ku banojnë, por në identitetin që kanë. Pra, komuniteti serb do të ketë vetëmenaxhim”, ka deklaruar Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat