Flet vëllai i Ahmet Krasniqit: Do të bëjmë çmos për drejtësinë, Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi janë penduar për Specialen

Politika

Flet vëllai i Ahmet Krasniqit: Do të bëjmë çmos për drejtësinë, Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi janë penduar për Specialen

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 prill 2023 Në ora: 21:00
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Ish Ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi u vra tinëzisht më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë, teksa po kthehej në banesën e tij.

E kur kanë kaluar 25 vite që nga vrasja e tij, dorasit ende nuk janë zbuluar. Por vrasja e Ahmet Krasniqit do të jetë target i Gjykatës Speciale, gjykatë në të cilën dje ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët, ndër tjerash Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjet e kundërshtarëve politikë.

Se gjykata është duke u marr me rastin e Ahmet Krasniqit e ka konfirmuar Behxhet Kransiqi, vëllai i Kolonelit.

Image
Behxhet Krasniqi

“Gjykata Speciale ka fillu me u marrë me këto sene, na ka njoftu që e ka në juridiksionin e vet. Familja është kontaktu, ka marrë përgjigje që ata e kanë nën juridiksion kjo nuk do të jetë e mbyllur. Ka me zbërthy nashta ka me zgjat pak ama e vërteta ka me dalë sheshit”, ka thënë Behxhet Krasniqi, vëllai i ish-Ministrit të Mbrojtjes.

E Behxhet Krasniqi për gazetën “Bota sot” ka thënë se tani në Kosovë po tentohet t’i bëhet presion Gjykatës Speciale me marshet që po organizohen.

“Tani unë mendoj që ky marsh me moton“ Liria ka Emër” është një shpërfaqje e përkrahjes për të akuzuarit në Gjykatën Speciale. Po ashtu edhe njëfarë presioni që tentohet t’i bëhet kësaj gjykate. Krejt kjo është në vazhdën e manipulimit të turmave”, është shprehur Krasniqi.

Më tej, ai thotë se vet kontribuuesit e themelimit të Speciales, tani janë ne bankën e të akuzuarve.

Sipas Krasniqit, si duket Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi tani janë bërë pishman për themelimin e Speciales.

“Kontribuesit kryesor për themelimin e kësaj gjykate janë vet akterë kryesor që tani gjenden në bankën e të akuzuarve, të cilët si duket tani janë bërë pishman pse ja banen “Aminin” kësaj gjykate…?!”, thekson Behxhet Krasniqi.

Për fund, Krasniqi thotë se pavarësisht të gjithave, si familjar të viktimave politike do të bëjnë çmos që drejtësia të vihet në vend.

“Ndërsa sa i përket familjeve të viktimave të vrasjeve politike e që për fatin e keq janë shumë, këto familje duhet të bëjnë çmos që drejtësia të vihet në vend, pa marr para sysh kush aludohet se janë urdhërdhënësit dhe ata që kryen krimin. Pa drejtësi nuk ka paqe e te ardhme të mirë në Kosovë”, deklaron Behxhet Krasniqi, vëllai i ish-Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat