“Taktikat e Vuçiqit për trazira në veri”/ Deputeti i VV-së: Të trajtohen seriozisht alarmimet

Politika

“Taktikat e Vuçiqit për trazira në veri”/ Deputeti i VV-së: Të trajtohen seriozisht alarmimet

A. Shaqiri Nga A. Shaqiri Më 7 prill 2023 Në ora: 08:08
Fotoilustrim, veriu i Mitrivicës

Në Kosovë po paralajmërohet për destabilizim të situatës në veri, kur po afrohet edhe koha për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherë edhe kryetare e Komisionit për Agjencisë të Kosovës për Inteligjencë(AKI), Ganimete Musliu ka thënë se me afrimin e kohës për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, atje ka tendenca për destabilizim.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi konstatohet të jetë stabile, në përjashtim të katër komunave veriore të vendit, ku shihet tendenca për destabilizim. E ashtuquajtura organizata e mbrojtjes civile atje në bashkëpunim edhe me Listën Serbe, vazhdimisht kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarë të kësaj organizata, tashmë dy grupe janë duke kryer kurset e trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lidhur me këtë për “bota sot” ka folur deputeti i VV-së, njëherësh anëtar në këtë komision, Vendenis Lahu.

Ai ka thënë se Serbia është e gatshme çdoherë për eskalime në Kosovë, duke thënë se ajo këtë po e bën për serbët lokalë që jetojnë në veri të Mitrovicës.

“Serbia është çdoherë e gatshme në funksion të destabilizimit të vendeve në Kosovë të banuara me serbë përmes instrumentalizimit të serbëve lokal lojal ndaj Vuçiqit dhe kjo nuk është diçka e re. Në fakt kemi parë se kjo politikë serbe zbatohet kudo që u jepet mundësia, muajve të fundit ngjashëm e kemi parë edhe në Malin e Zi. Prandaj, kjo e dhënë nuk është shumë befasuese por gjithsesi duhet të trajtohet me seriozitet”, shprehet deputeti.

Tutje, Lahu deklaron se Vuçiqin e njohim për taktikat e tij të eskalimit të situatave, në mënyrë që të paraqitet bashkëpunues para faktorit ndërkombëtar.

Ai iu bën thirrje organeve të rendit që të ofrojnë siguri për qytetarët.

“Organet e rendit janë të gatshme të ofrojnë siguri për qytetarët. Vuçiqin e njohim për taktikat e tij të eskalimit të situatave për t’i de-eskaluar ato në mënyrë që të paraqitet bashkëpunues para faktorit ndërkombëtar, por çdo informatë, qoftë kjo apo të ngjashme, duhet marrë me seriozitet dhe organet e rendit duhet të veprojnë konform ligjit kurdo që paraqitet nevoja”, përfundon ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat