“UNMIK-u ‘njollë e zezë’”, kërkohet largimi i tij nga Kosova

Politika

“UNMIK-u ‘njollë e zezë’”, kërkohet largimi i tij nga Kosova

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 maj 2023 Në ora: 13:55
UNMIK

Përfaqësuesi i SHBA-së në mbledhjen e Këshillit të OKB-së, Jeffrey DeLaurentis, ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka përfunduar.

Kjo thotë DeLaurentis marrë parasysh zhvillimet duhet të rishikojë një mënyrë tjetër të mbikëqyrjes së Kosovës.

“Ky është një momentum pozitiv që është koha që OKB të shikojë një rol tjetër sa i përket mbikëqyrjes së Kosovës dhe se mandati që ka qenë deri më tani nuk është i nevojshëm andaj duke falënderuar angazhimin e deritanishëm të UNMIK-ut ne duhet të pranojmë faktin që misioni ka përfunduar”, tha ai.

Më tej, theksoi se shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Falënderojmë përpjekjet e zotit Borell dhe Lajçak, shprehim lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Shpresojmë që të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin e 2 majit, pjesë e rëndësishme do të jenë hapat e ardhshëm për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai

Njëjtë deklaroi edhe përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

“Përshëndes përpjekjet e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke thënë se mbështesin rezolutën 1244, por kushtet në terren janë të papranueshme që nga viti 99 dhe koha tregon që nevojitet një rishikim të statusit të UNMIK-ut dhe përshtatjet në terren”, u shpreh ai.

Mehazi: UNMIK-u është mish i egër tumori për qeverinë dhe shtetin e Kosovës

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Së pari, tha se ky propozim i dy prej shteteve aleate më të mëdha të Kosovës, nuk është i rastësishëm.

Kjo pasi, sipas tij, me ardhjen e UNMIK-ut vetëm janë shtuar problemet në Kosovë, më saktësisht në veri.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

“Nuk është e rastësishme kërkesa e dy fuqive primare në botë SHBA-të dhe Britania e Madhe të cilët në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së propozuan që të marrë fund misioni i UNMIK-ut në Kosovë, pasi nuk ka nevojë Kosova të ketë një organizatë pasive të sigurisë sikurse që është UNMIK- u që nga ardhja në Kosovë më shumë kanë shtuar problemet e sigurisë sidomos në veri të Kosovës të cilët në bashkëpunim me kriminelët serbë në krye me Radojçiqin kanë sakatuar ekonominë e Kosovës me anë të krimeve të tyre aq sa për interesat e tyre kanë ndarë veriun nga qeveria e Kosovës”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Mehazi kritikoi ashpër UNMIK-un, ku e akuzoi për koalicion me kriminelët serbë.

“Është e qartë se koka e krimeve në Kosovë është vetë UNMIK-u që në koalicion me serbët kriminelë vendas, po dhe me qeverinë serbe e me partitë e korruptuara të Kosovë kanë ushqyer e pasuruar veten duke dobësuar jo vetëm ekonominë e Kosovës, por duke dobësuar edhe pavarësinë e Kosovës në Veri të vendit”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, profesori kërkoi që sa më parë të largohet UNMIK-u, pasi mënyra e vetme e sigurisë për Kosovën është NATO.

“Kosova tani ka të gjitha institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes, aty janë Forcat Mbrojtëse të Kosovës së bashku me policinë e saj, UNMIK-u në Kosovë jo që nuk luan asnjë funksion të sigurisë, por në Kosovë ka mbetur si njollë e zezë për të shtuar problemet e jo të japin paqe e siguri.

Shkurt e qartë UNMIK-u është mish i egër tumori për qeverinë dhe shtetin e Kosovës dhe duhet të largohet sa më shpejt. Mënyra më e mirë e sigurisë së Kosovës është anëtarësimi i saj në NATO”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Duhanaj: Uroj që kjo Organizatë sa me parë të largohet përfundimisht nga Kosova dhe për të të mos flasë më realiteti por historia

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se UNMIK do duhej të shuhej shumë kohë më parë.

Image
Analisti Leon Duhanaj

Sipas tij, kjo gjë do duhej të ndodhte pas marrëveshjes së Vjenës, Planit Ahtisari dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“UNMIK u formua mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar OKB. UNMIK u instalua si organizatë politike, e cila kishte përgjegjësinë e themelimit dhe mbikëqyrjes së të gjitha institucioneve në Kosovë.

Në fakt ishte dashtë të shuhej menjëherë pas marrëveshjes së Vjenës, Planit Ahtisari dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pasi që me pastaj, përfaqësuesi Special humbi rolin e tij dhe si mbikëqyrës mori rolin BE me në krye, EULEX-in”, deklaroi analisti.

Më tej, Duhanaj tha se kjo gjë nuk ndodhi për shkak të Rusisë dhe Kinës.

Ai përmendi edhe infiltrimin e disa përfaqësuesve të huaj në këtë organizatë.

“Megjithatë shpërbërja totale nuk ndodhi, pasi që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk mund të shfuqizohen rezolutat, nëse kundrejt ekziston ndonjë veto, e që në rastin e Rezolutës 1244 ishin kundër, Rusia dhe Kina.

Organizata UNMIK edhe pse humbi rolin e saj, nuk u shkëput nga Kosova dhe jo rrallë në emër të kësaj Organizate u infiltruan përfaqësues të shërbimeve të huaja, të cilat me së paku kishin në interes stabilitetin e Kosovës”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti disa nga dukuritë negative që ndodhën në vendin ia adresoi UNMIK-ut, derisa shpreson në largimin e prej Kosovës.

“Organizata e UNMIK, që nga fillimi ka qenë përgjegjëse kryesore për instalimin e të gjitha dukurive negative në Kosovë (natyrisht dhe fatkeqësisht me pjesëmarrjen e vendorëve).

Këndej, uroj që kjo Organizatë sa me parë të largohet përfundimisht nga Kosova dhe për të të mos flasë më realiteti por historia”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat