Çfarë paralajmëroi Daçiq me deklaratën e fundit/ Vjen thirrja për Kosovën në lidhje me takimin e 2 majit!

Politika

Çfarë paralajmëroi Daçiq me deklaratën e fundit/ Vjen thirrja për Kosovën në lidhje me takimin e 2 majit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 maj 2023 Në ora: 22:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, që mbahet nesër më 2 maj në Bruksel, do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Por, gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë duket se janë minimale. Palët kanë kundërshtime dhe qëndrime diametralisht të kundërta.

Megjithatë takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit me praninë e emisarit të BE, Miroslav Lajçak po cilësohet i rëndësishëm.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen e opinionit publik është deklarata e fundit e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Parakusht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është zbatimi i Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”, ka thënë a Daçiq, duke folur në televizionin “Pink”.

Takimin e Nivelit të Lartë më 2 maj, Daçiq e quajti “takim të rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Shtojcës së Zbatimit”.

Daçiq, duke thënë të njëjtën gjë si në Këshill të Sigurimit, tha se pa themelimin e Asociacionit nuk do të ketë nisje të zbatimit nga pala serbe, e cila edhe e shkeli marrëveshjen kur iu kundërvu aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, saktësisht Nenin 4 të Marrëveshjes Bazë.

Por, a lë të kuptohet kjo që nuk do të ketë pajtim mes palëve në dialog?

Duhanaj: Kosova është nën presionin e themelimit të Asociacionit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Leon Duhanaj.

Ai u shpreh se këto deklarata nuk janë befasi, pasi Serbia asnjëherë nuk ka pranuar marrëveshje eksplicite.

“Kur flasim për raportet Kosovë - Serbi, duhet ta kemi parasysh faktin se, përpos raporteve zyrtare në të cilat shpesh ndodhin edhe harmonizime mes palëve, kemi edhe deklaratat politike nga të dyja palët, të cilat jo rrallë janë të predestinuara për konsum të brendshëm. Megjithatë, në rastin konkret, fatkeqësisht duhet konstatuar që Serbia jo vetëm tani, por asnjëherë, as nuk ka pranuar marrëveshje eksplicite, e aq me pak t'i zbatojnë ato. Për fat të keq, në zhvillimet politike të sidomos vitit të fundit, procesi dezintegrues i komunitetit serb ka ndikuar që Serbisë t'i ofrohen argumente kundër Kosovës dhe, në anën tjetër Kosovës t'i imponohen kompromise në ketë raport”, u shpreh ai.

Image
Leon Duhanaj

Analisti nga ana tjetër shton që Kosova është nën presion për themelimin e Asociaiconit.

“Tani jemi para një situatë ku Kosova ka humbur krejtësisht legjitimitetin në veri dhe si e tillë tashmë është nën presionin e themelimit të asociacionit, i cili fatkeqësisht do të nda dalë edhe me i keq se sa që ishte versioni i mëhershëm”, foli Duhanaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Me këtë deklaratë Daçiqi sikur po paralajmëron se s’do të ketë asnjë rezultat nga takimi i 2 majit

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që me këtë deklaratë Daçiq po synon të i krijoj presion Kurtit për të lëshuar pe për formimin e Asociacionit.

“Deklarata e Daçiqit është për të shtuar presionin ndaj Kosovës në takimin e 2 majit. Synon gjithashtu të vë në disa-avantazh Kosovën në këtë takim me bindjen se nga preisoni Kurti do të lëshojë pe për formimin e Asociacionit. Është politikë e njohur kjo nga Serbia, me bindjen se Kurti s’do të bie nën preison të deklaratave kërcënuese falso nga Serbia”, thotë analisti.

Image
Faton Mehmeti

Në fund, ai përmbledh që nuk është befasi kjo deklaratë e Daçiqit përveç paralajmërim që nuk do të ketë marrëveshje.

“Me këtë deklaratë Daçiqi sikur po paralajmëron se s’do të ketë asnjë rezultat nga takimi i 2 majit, e për këtë synon të fajësojë Kosovën për një gjë të tillë. Asgjë befasuese nga deklarata e Daçiqit, vetëm se me 2 maj më shumë gjasë s’do të ketë asnjë marrëveshje”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat