Dronët Byraktar me të cilët Ukraina terrorizoi Rusinë arrijnë në Kosovë – Ushtaraku kërkon ndaljen e pagave të veteranëve për financimin e ushtrisë

Politika

Dronët Byraktar me të cilët Ukraina terrorizoi Rusinë arrijnë në Kosovë – Ushtaraku kërkon ndaljen e pagave të veteranëve për financimin e ushtrisë

Nga: N. Shaqiri Më: 6 maj 2023 Në ora: 16:36
Dronët Bayraktar

Sot gjatë ditës u raportua se ushtria e Kosovës tashmë është pajisur me dronët e parë ushtarakë Bayraktar të Turqisë.

Disa muaj më parë, Ministria e Mbrojtjes, kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në shtetin e Turqisë për dronët.

Tashmë, dronët kanë arritur gjatë dy ditëve të kaluara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për këtë kishte edhe prani të shtuar të Forcës së Sigurisë në zonën VIP të Aeroportit.

Ndonëse ende nuk kemi njoftim zyrtarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, apo Ministria e Mbrojtjes, mediat turke kanë shkruar për këtë.

E për këtë çështje, është deklaruar ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtaraku Naim Miftari.

Miftari që ishte edhe ish-agjent i SHIK-ut, shprehet se, Kosova nuk është e varfër, por se kemi qenë të vjedhur.

Ai uron Kosovën për dronët luftarak Bayraktar TB2/3.

Sipas tij, kur shteti nuk vjedhet atëherë ushtria mund të armatosët.

“Nuk jemi vend i varfër, por ne jemi të vjedhur. Urime Kosovë dronët luftarak Bajraktar TB2/3. Kur nuk vjedhet shteti nga pilitikanët, ushtria jonë garancioni i egzistencës tonë si shtet dhe si popull mund të armatoset mirë e mirë, dal ngadal”, shprehet Miftari.

Miftari ka edhe një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.

Ai kërkon që të ndalen pagat e veteranëve të rrejshëm dhe të armatoset ushtria e Kosovës.

“Ndaloni urgjent pagat e veteranëve të rrejshëm dhe me ato qindra miliona që ju jepen mashtrusve, armatoseni ushtrinë e Kosovës me Tanke, Helikopter, Autoblinda, Artileri, mbrojtje kundër ajore, mjete anti blindë, mina....”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vitit të kaluar kishte realizuar edhe një vizitë në Turqi, ku për së afërmi ishte njoftuar me dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në kompaninë Baykar.

Po ashtu, edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani vitin e kaluar kishte vizituar fabrikën e dronëve “Bayrakar”.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayaktar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte deklaruar Osmani

Viteve të fundit, ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryesisht përmes donacioneve.

Vitin e kaluar FSK-ja merr rreth 100 milionë lira turke në vit si donacion, e të cilat i shfrytëzon për të kontraktuar blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia.

Kosova dhe Turqia po ashtu kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.

Këtu janë përfshirë automjete të tipit Vuran me tërheqje 4×4, ndërkaq dhjetë të tjera të së njëjtës kompani, por të tipit KIPRi, të pajisura me armatime.

Automjetet Vuran prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, BMC Otomotiv në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, Aselsan.

Ankaraja po ashtu i ka dhuruar FSK-së automjete të blinduara të tipit Cobra në formë donacioni.

Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Dronë të tillë Turqia ka përdorur në ato që i quan “operacione kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë.

Bayraktarët kanë pasur ndikim shkatërrues edhe gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.

Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat