Shpërthimi i skandalit në Serbi, çfarë ndodhë në rast të dorëheqjes së Vuçiqit – a do të fitojë Kosova?

Politika

Shpërthimi i skandalit në Serbi, çfarë ndodhë në rast të dorëheqjes së Vuçiqit – a do të fitojë Kosova?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 maj 2023 Në ora: 12:02
Aleksandar Vuçiq

Së fundi, vëmendje të madhe ka marrë raportimi mbi paralajmërimin e dorëheqjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Këtë lajm në opinionin publik, së pari e hodhi tabloidi i regjimit serb “Informer.rs”.

Sipas raportimit të këtij mediumi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, parashihej të dilte në media të hënën për të propozuar dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të përgjithshme dhe dorëheqjen e tij. Të gjitha këto, sipas kësaj medie, do të konfirmoheshin më 27 maj në Asamblenë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi, ndonëse Serbia është në panik pas disa hetimeve të gazetës amerikane “New York Times”, ku u zbuluan lidhjet e Vuçiqit me bandat kriminale.

Kësisoj, pas këtyre zhvillimeve ende konsiderohet si mundësi që Vuçiq mund të dorëhiqet në javët në vazhdim, duke parë gjithë akuzat që po rëndojnë mbi të, pas publikimit të artikullit të fundit.

E lidhur me këtë për gazetën “Bota sot”, kanë folur analistët, të cilët dhanë këndvështrimet e tyre, ndonëse nuk ishin optimistë se presidenti serb do jepte dorëheqje.

Qarri: Dorëheqja e tij, në një vend normal dhe me demokraci të mirëfilltë, do duhej të ndodhte menjëherë, pas deklaratave të Belivukut

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota Sot” komentoi mundësinë e dorëheqjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Image
Gani Qarri

Së pari, ai u shpreh se ka qindra arsye për të cilat ai mund të japë dorëheqje, ku më pas do duhej t’i drejtohej drejtësisë për krimet dhe aktivitetet e dyshimta.

“Në fakt Vuçiq është deklaruar disa herë se kinse së shpejti, do të japë dorëheqje, argument që dëshmon se ky monstrum politik, është një bandit i vjetër i cili ka qindra shkaqe dhe arsye, për të cilat, do të ishte edhe në të mirën e këtij krimineli që të japë sa më parë dorëheqje nga të gjitha postet dhe t'i drejtohet drejtësisë për hetimin e akteve të tij të dyshimta dhe me vjetërsi dy-tre dekadëshe.

Edhe vet “New York Times” në tekstin e titulluar: Presidenti, huliganët e futbollit dhe një “shtëpi tmerri” e nëntokës, shkruan për lidhjet e pashkëputura të klanit kriminal të Velko Belivukut me udhëheqjen shtetërore serbe, të cilat datojnë qysh nga vitit 2012, dhe ndërlidhen pikërisht me kohën e ardhjes së SNS-së dhe të Vuçiqit në pushtet”, deklaroi ai.

Qarri tha se dorëheqjen e presidentit serb e bën edhe më të besueshme fakti se, raportimi vjen nga një media e afërt e tij, ndonëse nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë një spekulim i orkestruar.

“Përndryshe, siç është e njohur edhe për publikun, kryeredaktori i gazetës “Informer”, Dragan Vuçiçeviq, është njeri i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, fakt që e bën më të besueshëm, çdo lajm dhe informatë të re, që nga gazeta në fjalë, jepet mbi mundësitë e dorëheqjes së kriminelit Vuçiq.

Prandaj përderisa “Informer”, si media e afërt me Vuçiqin ka raportuar se do të dorëhiqet qeveria dhe presidenti i Serbisë, lajm që ka marrë vëmendje të madhe edhe në Kosovë e më gjerë, në qoftë se nuk është ndonjë spekulim i orkestruar, për të matë reagimet në opinion, në situatën e krijuar pas publikimit të akuzave nga "New York Times", dorëheqja e Vuçiqit mund të ndodhë edhe për të mos zbatuar marrëveshjet e dakorduara në Bruksel dhe Ohër, me Kosovën”, theksoi analisti.

Sipas tij, në një vend normal dhe me demokraci të mirëfilltë, dorëheqja e tij do të ndodhte menjëherë, pas atyre deklaratave ‘horror’ të Belivukut.

“Për aq më tepër, pranimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri, nga vendet e QUINT-it dhe Bashkësia Ndërkombëtare, pas largimit të policëve dhe listës serbe" nga institucionet e Republikës së Kosovës, ishte një goditje tjetër, tepër e rëndë për këtë kriminel dhe një dështim i madh që, jo vetëm e ka zhgënjyer pashërueshëm pasardhësin e Millosheviqit, por Vuçiq as që po mundet ta përpijë, pas më tepër se një dekade të dialogut, ku ai vet vendoste si për agjendën e bisedimeve, ashtu edhe për marrëveshjet, që Kosovës do t’i imponoheshin t’i implementojë njëanshëm, pa asnjë veprim obligues nga BE edhe ndaj Serbisë.

Dorëheqja e tij, në një vend normal dhe me demokraci të mirëfilltë, do duhej të ndodhte menjëherë, pas deklaratave të Belivukut, deklarata horror e më tepër se trishtuese, që janë transmetuar nga të gjitha mediat, se grupi i tij kriminal është krijuar me urdhër të Vuçiqit, për frikësimin e kundërshtarëve politikë të tij”, nënvizoi Qarri.

Më tej, analisti potencoi se Vuçiq do duhej tashmë të kishte dhënë dorëheqje pas akuzave që iu bënë nga hetimet e bëra të gazetës amerikane “New York Times”.

“Ngase, banda e Belivukut, e krijuar para më tepër se një dekade me urdhër të Vuçiqit, nuk ka rezultuar vetëm me frikësime, por ka kaluar në vrasje dhe eskaluar në kanibalizëm duke gatuar edhe "qebapë" me mishin e njerëzve të vrarë, gjë që nuk është dëgjuar të ketë ndodhur në vendet e rajonit dhe më gjerë, një akt më tepër se makaber dhe skandaloz, me të cilin urgjentisht do duhej të merrej edhe "Organizata ndërkombëtare për të drejtat e Njeriut".

Vuçiq do duhej të kishte ofruar vet dorëheqjen, veçanërisht pas akuzave të rënda që ditëve të fundit ka ngritë gazeta prestigjioze amerikane,”New York Times” mbi implikimet e drejtpërdrejta të Vuçiqit, në krijimin e bandës kanibaliste të Belivukut dhe aktet e padëgjuara, të kësaj bande, pasi që barra më e rëndë e përgjegjësisë bie direkt mbi Vuçiqin, si president dhe urdhërdhënës i krijimit dhe inspirimit të kësaj dhe bandave tjera kriminale, në vend të luftimit të tyre, si i pari i Serbisë, shtet kriminal që njihet edhe në botë, për vrasjet dhe gjenocidin ndaj popujve tjerë, që nga Bosnja e Kroacia deri në Kosovë”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera, ai shtoi se pas gjithë këtyre hetimeve dhe zbulimit të lidhjeve me grupet kirminale, bashkësia ndërkombëtare do duhej ta rrëzonin menjëherë Vuçiqin nga pushteti.

“Publikimi i të vërtetës së trishtueshme të bashkëpunimit për dekada me radhë të presidentit kriminel të Serbisë Aleksandër Vuçiq me bandat kriminale dhe grupet kanibaliste që gatuanin edhe “qebapë” me mish të njerëzve të vrarë në Serbi, gjë që nuk është dëgjuar të ketë ndodhur në cilindo vend tjetër, si dhe dirigjimi i grupeve kriminale me në krye kriminelët Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq në veri të Kosovës, të vendosur edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve, do duhej të influenconte për veprime adekuate edhe faktorin ndërkombëtar për rrëzimin sa më parë të kriminelit Vuçiq nga pushteti dhe politika në Serbi, si dhe fillimin e hetimeve vendore dhe ndërkombëtare deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër akteve të tij kriminale dhe lidhjeve e bashkëpunimit të tij, si president i Serbisë, me mafian, bandat kriminale dhe grupet vrastare e kanibaliste, në mënyrë që përfundimisht, Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe i gjithë rajoni të gjejë qetësi dhe jetojnë në paqe”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Vuçiqi është vetëm njëri nga katalogu i nacionalistëve serbë

Image
Blerim Burjani

Kurse, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se edhe po të largohej nga pushteti Vuçiqi, për Kosovën do ishte njësoj, pasi do vinte një politikan i ngjashëm me atë.

Sipas tij, politika nacionaliste dhe hegjemoniste është e ngulitur thellë në Serbi.

“Po njëjtë, se besoj se me dikë tjetër Kosova do të ishte më e favorizuar, politika konservative, nacionaliste dhe hegjemoniste serbe është e madhe dhe rrënjët i ka thellë në politikën serbe, shovenizmi, racizmi politik jo i rrallë që e karakterizon këtë shtet”, deklaroi ai.

Juristi nuk beson se Vuçiq do të japë dorëheqje, por edhe nëse ndodh, në pushtet do vjen një tjetër ‘Vuçiq’ nga katalogu nacionalist serb.

“Shpresat nuk janë kurrfarë as për BE-në e as për SHBA që do të ketë partner më të favorshëm serb, Vuçiqi është vetëm njëri nga katalogu i nacionalistëve serbë. Dorëheqje nuk pritet nga Vuçiq, por edhe po të jap dorëheqje në pushtet mund të vjen i njëjti”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat