Bytyçi vjen me akuza të rënda: Fatos Klosi përgjegjës direkt për këtë vrasje, ja kë e likuidoi Hashim Thaçi

Politika

Bytyçi vjen me akuza të rënda: Fatos Klosi përgjegjës direkt për këtë vrasje, ja kë e likuidoi Hashim Thaçi

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 maj 2023 Në ora: 11:59
Fatos Klosi dhe Hashim Thaçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka hedhur akuza në drejtim të Fatos Klosit, ish shef i Shërbimit Informativ të Shqipërisë.

Sipas Bytyçit, Shqipëria është angazhuar drejtpërdrejt në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.

Bytyçi thotë se Fatos Klosi ishte angazhuar për likuidimin e ish presidentit të Republikës së Kosovës dhe kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova.

“Po marr vetëm një fenomen. Kam vënë re se Fatos Klosi në luftën e Kosovës angazhoi ish-oficerë të sigurimit të shtetit, të cilët janë marrë “me elementin reaksionar të Kosovës gjatë diktaturës në Shqipëri”! Pse ai zgjodhi pikërisht oficerët e sigurimit të shtetit që kishin trajtuar kosovarët e arratisur gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri? Sepse këta dinin ta zhvillonin me ashpërsi, deri në asgjësim, luftën kundër kundërshtarëve politikë në Kosovë. Klosi u angazhua me gjitha fuqitë e tij e të institucionit që e drejtoi që të likuidojë Ibrahim Rugovën dhe Lidhjen Demokratike nga skena politike e shoqërore e Kosovës. Që të promovonte një qeveri të jashtëligjshme, jo legjitime të kryesuar nga Hashim Thaçi. Që të reklamonte eksponentë të LPK-së si udhëheqës të luftës”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Fatos Klosi është përgjegjës direkt për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

“Shkurt Fatos Klosi, përmes një strategjie anti-kombëtare e në dobi të Milosheviçit, krijoi përçarjen e parë të madhe në mesin e luftëtarëve për lirinë e Kosovës. Për këtë arsye angazhoi edhe njerëzit e devotshëm e të përkushtuar për ta bërë këtë. Fatos Klosi është përgjegjës direkt për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi. Ai është gjithashtu përgjegjës direkt për ndalimin dhe sekuestrimin e armëve që vinin përmes qeverisë Bukoshi për FARK-un. Më pas këto armë ai ua jepte njerëzve të Hashim Thaçit, Azem Sylës, Xhavit Halitit e të tjerë”, deklaron Bytyçi.

“Fatos Klosi ishte këshilltari kryesor i Thaçit dhe disave prej këtyre ish-komandantëve që sot janë në Hagë. Ai i udhëzonte ata se si të eliminoheshin kundërshtarët politikë të tyre. Dhe ata e besonin qorrazi, disa edhe për shkak se e konsideronin Klosin si përfaqësues të “Nanës Shqipëri”! Në fakt Shqipëria e Klosit dhe sojit të tij ishte dhe mbeti deri në fund njerka e shqiptarëve të Kosovës. Nana e vërtetë e kësaj Shqipërie, siç e shohim edhe sot me Edi Ramën, ishte dhe mbetet Serbia”, shpjegon më tej Bytyçi.

Bytyçi ka akuzuar edhe Hashim Thaçin, për të cilin thekson se është njeriu që e ka likuiduar Ali Ukajn.

“Të katër viktimat e lartpërmendura mendoj se ishin objektiv i akteve terroriste të Fatos Klosit dhe bandës që me ndihmën e tij uzurpoi komandën e UÇK-së. Për Ahmet Krasniqin ka prova dhe deklarime publike pa fund. Ali Ukajn dihet se e likuidoi Hashim Thaçi. Ilir Konushevci dhe Hazir Mala gjithashtu janë likuiduar në rrethana të paqarta. Fakti që askush nuk ka mundur ta zbardhë fatin e tyre dëshmon se ata që I kanë eleminuar kanë qenë ose janë njerëz të pushtetshëm. Këto akte kriminale janë bërë në Shqipëri dhe ish-kreu i SHIK-ut shqiptar i asaj kohe, pra Fatos Klosi, ose ka qenë pjesë e planit të eleminimit fizik të tyre, ose ka qenë në dijeni”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat